Mungesa e vendeve të parkimit dhe kaosi në Tetovë vazhdojnë të jenë ndër problemet kryesore për qytetarët, të cilët ndër vite presin zgjidhjen e këtyre dy problemeve të ndërlidhura njëri me tjetrin. Edhe krahas shtimit të vendeve të parkimit viteve të kaluara sidomos në pjesën e parkimit zonal në disa rrugë të qytetit, megjithatë ky problem nuk po gjen zgjidhje. Përderisa ende nuk po fillon ndërtimi i parkingjeve në kate, ky problem vështirë se do të shpëtojë Tetovën nga kaosi, duke përfshirë zonën qendrore.
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, gjatë një takimi me gazetarë ka thënë se është në përpilim studimi i mobilitetit për tërë qytetin dhe ky studim duhet të nxjerrë në sipërfaqe mangësitë dhe njëkohësisht të ofrojë zgjidhje se ku duhet të shtohen parkingjet zonale, por edhe ku duhet të ndërtohen parkingje në kate.
“Është duke u përpiluar një studim mobiliteti i cili përfundimisht në Tetovë do të ofrojë zgjidhje për lëvizmshërinë e veturave dhe të qytetarëve dhe të qytetarëve dhe për zonat ku do të jetë parkimi zonal apo edhe nevoja për parkingje në kate. Besojmë se brenda dy muajve do ta kemi këtë studim konform marrëveshjes, pjesë e planit gjeneral dhe do të vazhdojnë procedurat juridike për ndryshimet që duhet të sillen. Në pjesën e urbanizuar në Tetovë parashihet që rrugë të caktuara në Tetovë të përshtaten për parkim zonal dhe prej aty do të del informata se sa na duhen vendparkime shtesë”, deklaroi Kasami.
Problem në vete është se edhe pse janë krijuar parkime zonale, megjithatë këto nuk janë të rregulluara me ligj si duhet. Në këtë drejtim, Kasami është shprehur se punohet për një zgjidhje e cila do të përshtatet me realitetin aktual, ngase siç potencoi ai, nuk mund të largohen mijëra vetura brenda ditës që parkohen në zona të ndaluar. Prandaj, ai thotë se duhet që kjo të rregullohet edhe në aspektin ligjor.
“Shembull e kemi Bulevardin Bllagoja Toska, ku parkohen vetura përgjatë këtij bulevardi gjatë tërë kohës. Në bulevard ende nuk ka parkim zonal dhe kjo sigurisht se kërkon bashkëpunim me policinë, e cila duhet të jep leje për krijimin e zonave për parkim. Por, ka edhe vende tjera në qytet ku frekuentimi është më I madh pasi që qytetarët aty ku kanë nevojë edhe parkohen dhe pavarësisht se bëhet largimi i tyre me merimangë megjithatë numri është i madh që paraqet problem shtesë. Si zgjidhje parashihet edhe zgjerimi i qytetit në pjesën e poshtme, që të lehtësohet pjesa qendrore”, tha kryetari i Tetovës, Bilall Kasami.
Megjithatë, plani për studimin e mobilitetit do të bëhet në kuadër të përpilimit të Planit Gjeneral Urbanistik që do të merr edhe shumë kohë. Deri sa ky plan të jetësohet, qyteti i Tetovës do të vazhdojë të jetë i ngulfatur nga kaosi në rrugët kryesore. Ndërkohë, bulevardet kryesore në qytet tashmë janë të gjithë me parkim zonal dhe kjo edhe më shumë e ngarkon komunikacionin. /Koha/