Xhemazije Rizvani
Sa herë ka filluar debati për konkurset vjetore në Ministrinë e Kulturës ka dalë një dhelpër me bishtin e djegur dhe me poteren që ka krijuar e ka zhvendosur debatin nga sa ka ndarë ministria për shqiptarët e sa kam marr unë, sa ke marrë ti, pse ka marrë ai tjetri, pse s’ ka marrë ky tjetri. Pse ajo parti, pse kjo parti, ajo më e mirë, kjo më e keqe, ose anasjelltas.
Sa i përket kulturës: me keqardhje them se disa njerëz kanë zero kulturë për të parë nga ndarja e këtij buxheti si artistë, si intelektualë dhe racionalisht, ja pse:
- mungon një këshill mbipartiak i përbërë nga artistë nga të gjitha fushat që do të mbikëqyrin këto konkurse dhe do vënë interesin artistik, shkencor, para atij partiak;
- se reagimet janë individuale, secili reagon pse nuk kalon, ka pak buxhet ose pse një tjetër ka më shumë buxhet se ai. Shpirtrobër këto të fundit i quan Konica që duan t’i ngordh fqiut gomari në vend se të kenë dhe vetë një;
- se kemi krijuar skemën e mitëmarrjes për projekte “ma kalo, të hudhi diçka”. Kjo skemë funksionon te kushdo që shihni që secilin vit “merr” para të mira. Nuk duhet të kalojë një projekt sepse jep para të mira, por sepse ka përmbajtje të mirë.
- sepse një libër publikohet me emra ndryshe me dhjetëra herë, në disa raste përkthehet në gjuhë tjera, shpesh përkthehet disa herë, me disa tituj që ndërrojnë.
- se reagimet për padrejtësitë me këto konkurse bëhen mes miqsh në kafe, tinëza, të frikësuar se herën e ardhshme nuk do të kalojnë.
- se shumë projekte ne nuk i kemi parë askund, kanë qenë fiktive ose kanë shkuar veç fotografi gjoja ja: e bëmë. Këto aktivitete bëhen për publikun apo ministrinë?
- shumë libra nuk janë botuar sa shkruan në tirazh. As ribotuar bile me të njëjtin tirazh.
- shumë mashtrime e dallavere në emër të artit. Ne krejt këto i dimë, që sa vite ndodhin dhe thellësia e këtij problemi është kthyer në pus që kutërbon. Kur e bën shpesh si veprim, as nuk skuqesh më, se thua “po krejt e bëjnë, pse mos ta bëj dhe unë”.
Por, me këtë e dini ç’i keni bërë vetes ju artistë, studiues e intelektualë? E keni zhvlerësuar totalisht. Ju mendoni se kërkoni lëmoshë te Ministria e Kulturës dhe jo paratë tuaja që i meritoni, që publiku juaj që është taksapaguesi shpaguan mundin për atë që jepni, artin tuaj, atë që më së miri dini ta bëni, për çka jeni shkolluar e kualifikuar gjithë jetën. Ju kërkoni më pak se sa meritoni dhe merrni gjithnjë një trohë nga sa mendoj se duhet të merrni, sepse tjerat ua merr “ai që ua ka kaluar ” me marrëveshje paraprake. Situatë identike me ata që lypin në rrugë që në fund të ditës ndajnë fitimin.
Ju artistë e intelektualë duhet ta mbani politikën nën vëzhgim e ta korrigjoni kur gabon e lajthit dhe ta ngrini zërin kur dinjiteti ju nëpërkëmbet, jo të dilni në mbrotje dhe t’i konsideroni armiq artistët e partisë tjetër. “Partia” juaj duhet të jëtë arti. Artit duhet t’i shërbeni pa frikë, sepse armiku më i madh i artit është frika.
Edhe pse nuk është punuar zëshëm deri më sot, besoj se ju tashmë e dini se ku përfundojnë krejt projektet dhe prapa cilëve dyer në fund vendoset për fatin e secilit projekt. Halli jonë është ky. Ato dyer kurrë s’ kanë qenë fer dhe transparente, siç nuk janë dhe sivjet.
Këto llogari duhet t’i kërkojmë të na i pastrojnë partitë, pse nuk ka drejtësi dhe transparencë? Partitë janë për të mbrojtur para se gjithash interesin e artistit, shkencëtarit, intelektualit, por kohëve të fundit kanë ndërruar rolet, nuk kujdeset artisti e shkencëtari për punën e tij sa kujdeset për reputacionin e partisë së tij.
Ku e keni dinjitetin për t’i flakur partitë, politikën dhe për të ngritur zërin për ato që ju takojnë? Në fund, për ta ilustruar këtë që thash, më vjen keq që profesoresha Sihana Badivuku është tallur me vite me buxhet fyes, ashtu siç më vjen keq që sivjet po tallet pianisti Shkëlzen Baftiari.
Më vjen keq që Zejna Halimi nuk mbështetej për të materializuar një thesar kulturor ashtu siç më vjen keq që arsimtari Neshat Memedi që organizon “Karnavalet Ilire” nuk është trajtuar me seriozitet dhe keni dëgjuar tashmë që Kosova ka mbështetur aktivitetin e tyre. Mund të përmendi me qindra e mijëra emra për të cilët më vjen keq.
Më vjen keq për shumë koloni, punëtori, koncerte për të cilat kam shkruar me vite se nuk kanë buxhetin që meritojnë, ashtu siç më vjen keq për të gjitha buxhetet qesharake që ishin ndarë sivjet me parimin e moçëm “hi syve”.
Me vjen keq për shtëpitë botuese që publikojnë libra cilësorë dhe ju i keni parë, prekur e lexuar këto libra, për autorët që lëre se nuk marrin honorarin e shkrimtarit, por tashmë edhe e botimit u është mohuar. Për ata autorë që libri shkencor nuk u është përkrahur një mijë herë më vjen keq. Më vjen keq për teatrot shqiptare që gjithnjë ka shkuar duke ju zvogëluar buxheti dhe duke shkrirë buxhetet fyese të tre shfaqjeve për të nxjerr një si duhet. Thjesht, më vjen keq, që artistët e intelektualët nuk shohin së dëmi gjithnjë bie mbi kulturën tonë shqiptare, sepse partitë dhe funksionarët ndërrojnë, por arti, kultura, shkenca ngelet.
*Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.