Fëmijët dhe dygjuhësia: si ndikon në zhvillimin e tyre

    Përgatiti: Sumeja Hamzi, psikologe

    Dygjuhësia te fëmijët, veçanërisht ata të moshës parashkollore dhe shkollore, është një fenomen gjithnjë e më i pranishëm në shoqëritë moderne. Ajo i referohet aftësisë për të folur dhe kuptuar më shumë se një gjuhë, që është një arritje e rëndësishme zhvillimore për fëmijët. Përkundër avantazheve, dygjuhësia mund të sjellë disa sfida për fëmijët. Njëra nga këto sfida mund të jetë zhvillimi i ngadaltë i njohurive për një prej gjuhëve, veçanërisht kur njëra prej gjuhëve nuk është e përdorur shpesh, shkruan Nistori.

    PENGESAT E NJË GJUHE TË DYTË TE FËMIJËT

    Se si ndikon dygjuhësia te fëmijët e moshës së vogël gjegjësisht 6 vjeçare si dhe atyre të moshës më të rritur për Nistori mësuesja e gjuhës angleze, Arlinda Aliti thotë se kjo lidhje mund të bëhet duke përdorur krahasime dhe lidhje të drejtpërdrejta mes dy gjuhëve duke shfrytëzuar ngjajshmëritë në mes tyre. Sipas saj, kjo ndihmon në përdorimin e aktiviteteve që kombinojnë të dyja gjuhët. Aliti flet nga përvoja e saj edhe për vështirësitë që kanë këta fëmijë në të shkruarit.

    “Po, ndodh shpesh dhe ka shumë raste që fëmija flet vetëm në gjuhën angleze në të kundërtën as që mund të shprehet. Kjo vjen si pasojë e qëndrimit të fëmijëve me kohë të pacaktuar ose e tepruar përballë smartfonave, tabletave. Në përgjithësi ky fenomen është një kombinim i faktorëve kulturore, edukative dhe shoqërore që mund të ndikojn në faktin se një fëmijë flet vetëm gjuhën Angleze. Për të mbajtur ose zhvilluar edhe gjuhën amtare është e rëndësishme që të ketë mundësi të flasë dhe të përdor atë gjuhë në mjedise sociale dhe edukative. Gjatë të shkruarit hasin vështirësi në gramatikë, sintaksë dhe stilistikë”, shprehet Aliti.

    Mësuesja Nazmije Zejneli mësuese e gjuhës dhe letërsisë angleze në shkollën fillore “Kirili dhe Metodij” në Tetovë, pohon se kohëve të fundit ka ndikim të madh edhe përdorimi i teknologjisë informative, burime të ndryshme ku nxënësit marrin informata në gjuhë të huaj si në të folur, lexim dhe shkrim. Sipas Zejnelit shumica e nxënësve din të flasin gjuhën angleze, por vështirësi hasin në të shkruar dhe kjo është pasojë e qëndrimit gjatë para ekraneve televizive apo përdorimi i telefonave të mençur.

    Nga përvoja e saj si mësimdhënëse Zejneli bën një paralele ndërmjet mësimit në të kaluarën dhe sot, se sa është folur gjuha angleze nga nxënësit dhe si qëndrojnë sot para anglishtes.

    “Ndryshimet në procesin mësimorë duke marrë parasysh distancën kohore janë shumë evidente, përderisa para 10 viteve kemi pasur nxënës që kanë komunikuar në mënyrë të shkëlqyer në gjuhën angleze dhe kemi pasur nxënës mesatar tani ky mes pothuajse po zhduket. Tani kemi nxënës që e flasin gjuhën angleze si gjuhën amtare dhe kemi nxënës të cilët nuk e flasin fare apo nuk shprehin interesim edhe pse janë të rrethuar nga të gjitha anët me gjuhën angleze”, thekson Zejneli për Nistorin.

    Çka me fëmijët që flasin anglisht që në klasë të parë dhe ku gabojnë prindërit?

    Nga ana tjetër, psikologia Jehona Iljazi Haliti thotë se mësimi i gjuhës angleze ka një ndikim të rëndësishëm në zhvillimin kognitiv dhe emocional te fëmijët në moshën fillore, por ka raste që mësimi i një gjuhe të dytë mund të shkaktojë konfuzion dhe bën që fëmijët të flasin një gjuhë hibride. Prandaj, sipas saj, është shumë e rëndësishme që procesi i mësimit të gjuhës të jetë fleksibël dhe i mbështetur nga një mjedis i sigurt emocionalisht.

    “Si psikologe shkollore, e shoh si një efekt të globalizimit dhe ekspozimit të hershëm në teknologji, që mund të ketë përfitime për zhvillimin kognitiv. Por, është e rëndësishme që prindërit të jenë të kujdesshëm dhe të sigurohen që fëmijët të zhvillohen në një mënyrë të balancuar, duke ofruar mundësi për të mësuar gjuhë të huaj, por gjithashtu duke ruajtur dhe mbështetur zhvillimin e të gjitha aftësive të tjera, përfshirë ato sociale dhe emocionale. Në fund, është e rëndësishme të kujtojmë se mësimi i një gjuhe të re është një proces i gjatë dhe i natyrshëm, dhe qëndrimi ynë mbështetës dhe pozitiv mund të bëjë një ndryshim të madh në ndihmën që u ofrojmë fëmijëve për të kapërcyer frikën dhe pasigurinë që mund të kenë nga gabimet”, thekson Iljazi Haliti.

    Sigurisht, mësimi i gjuhëve të huaja, si gjuha angleze, duke marrë parasysh faktorët e jashtëm, si përdorimi i teknologjisë dhe ekspozimi i hershëm ndaj gjuhëve të huaja, mund të ndikojnë në aftësitë e fëmijëve për të komunikuar në mënyrë të natyrshme, por kjo gjë do kujdes dhe monitorim të vazhdueshëm. Prandaj, është thelbësore që procesi i mësimit të jetë i mbështetur nga një mjedis emocionalisht i sigurt dhe me vëmendje. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    17 shkurti: lidhja historike e ligjëratave të para në UT me shpalljen e pavarësisë së Kosovës

    Lajmi i rradhës

    Pesë ushqime të shëndetshme që duhet të shtosh në dietën tënde

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë