Për një Kujtim…!

    Kujtim Shabani / Fotografia: Halim Luta

    DITAR TETOVAR
    27 dhjetor 2024


    Kujtim Shabani

    Borë s’ka. Shi s’ka. Drita ka!

    Jashtë bën ftoht. Acar.

    Kur jam në Tetovë gjej rast të eci në këmbë. Edhe në të ftohtë. Dua ta shoh qytetin. T’i shoh njerëzit. Të takoj ndonjë të njohur. Kjo më bën kënaqësi. Fundja për këtë vijmë këtu.

    Eci gjithmonë shtigjet që i kam rrahur në kohën time në Tetovë. Pas kujtimeve të kësaj kohe. Bredh në këmbë, sikur kam shkuar asaj kohe. Dhe këto janë vitet e shkollës fillore dhe të gjimnazit. Për këtë kohë kam më shumë mall. Sidomos për atë të fillores. Dhe i përshkoj rrugët që bëja nga shkolla në shtëpi.

    Ato ishin tri.

    Njëra binte nga lagjja e romëve. Këtë e merrja me ndonjë shok të klasës, a të gjeneratës që banonte këndej. Dhe i ngacmonim nga pak gocat që e kishin shtëpinë nga kjo anë. Kjo rrugë shkonte për këtë. Në sfond gjëmonte gjithmonë dalldia e ndonjë këngëtari që e vajtonte me vrer një dashuri… Tarabuke, harmonikë, klarinet… Haj medet!

    Tjetra ishte ajo nga Rektorati i Moçëm. Andej i bija më shpesh kur bisedonim ndonjë mësim me shokun e bankës, një nxënës tejet i zellshëm dhe ambicioz. Dhe me kushërinjtë e tij, që banonin afër njëri-tjetrit. Kjo ishte më e largëta, shkonte për biseda të gjata. Nga fundi i gjimnazit nga kjo rrugë u bë një autostradë mijëra kilometërshe, që e ecim me bashkëshorten time…

    E treta është ajo që të nxjerr te Çezma e Kadisë. Këndej i bija vetëm! Kjo ishte rruga e mejtimeve! Ecja kujtueshëm… Në një segment të këtij sokaku kishte një derë të vogël. Të vogël fare! Vinte ndër gjysmën e avllisë së shkurtuar pas fushatës së sistemit të viteve 80/90-të kundër avllive të shqiptarëve. Ishte, a s’sishte një metër e lartë. Më të vogël s’kam parë deri tani. Ajo më intrigonte, sikur ishte vetëm për fëmijë. Doja të futesha në oborrin e kësaj shtëpie, sepse mendoja se edhe shtëpia do të ishte kështu e vogël. Edhe të rriturit aty duhej të ishin të vegjël! Miqësorë dhe të padjallëzuar. Përrallë!

    Ajo derë u bë referencë e ecjes time. Aty matesha. Unë rritesha, ajo zvogëlohej. Deri në vitet e gjimnazit, kur kur ajo pushoi të zvogëlohej, sepse unë pushova të rritesha. Kësaj kohe, këndej i bija më i përhumbur se më parë. Me një çantë në kurriz dhe një dashuri në kraharor. Dhe s’ia huqja për netë të tëra ta zhys këmbën në një pellg nga kaloja. Dhe u çudita njëherë si s’e bëra këtë. Dhe u ktheva mbrapsht te pellgu dhe e futa këmbën me dëshirë në këtë reliev të shpërfilluar… Dhe vazhdova në paqe drejt një nate tjetër pa gjumë… Sepse të shkelësh tokën me një barrë librash dhe peshën e një dashurie në gji është ta bekosh atë!

    Kur jam në Tetovë, i bie patjetër njëherë andej. Më duket sikur eci në kohë. Kthehem në fëmijëri. Eci në këmbë. Ëndërrueshëm. Përmallshëm. Dhe kalova prapë andej. Por s’e gjej më derën time të vockël; shoh ca dyer të tjera, të mëdha, të bukura. Dhe më vjen t’i shemb këto rrangalla. T’i shkallmoj!

    Mbase ka ndërruar pronari; e kanë shitur shtëpinë…

    Pse erdhëm ne kësaj radhe në Tetovë, për herë të tretë sivjet? Për një shtëpi. Për ca kujtime. Kujtime! Njerëzit e nuses e kanë shitur shtëpinë dhe janë zhvendosur. Shtëpinë ku ajo e ka njohur dynjanë dhe është rritur. Ajo desh të vinte në Tetovë dhe të qëndronte ndonjë ditë aty ku ka gjithë ato kujtime. Hesapet tona ishin që ajo të buante qoftë edhe një natë aty. Ta bënte dhe një gjumë të thellë e të rëndë si foshnja në shtëpinë e prindërve. Apo një gjumë të trazuar, sikur kishte hallet e botës.

    Rruga na vonoi aq shumë, sa asaj i ra ta pinte vetëm një kafe në shtëpinë e babës. Një kafe! Një kafe të zezë, fundi i së cilës e shkruan një roman. Një kafe të rëndë, që s’e ban mideja. Një kafe sa një pikë lot, që nuk soset dot! Një kafe…

    Erdhëm për një çast sa një përshkënditje meteori, për çka s’pendohesh kurrë. Po të vjen ndonjëherë të bërtasësh: mallkuar kufijt dhe doganat! Mallkuar autobusi dhe aeroplani! Mallkuar Unioni Evropian dhe Ballkani! Mallkuar koha dhe largësia! Bekuar Kujtimet dhe Dashuria!

    *Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    Testimi i sistemeve kompjuterike vonon hapjen e ‘One Stop Shop’ në Bllacë

    Lajmi i rradhës

    Mungesa e kuadrove ndikon në efikasitetin e gjykatës

    Lajme tjera

    Lutje për imbecilët

    Autor: Giovanni PapiniPërktheu: Aurel Plasari Ju jeni të nevojshëm për shoqërinë e për vetë ne, dhe ia lejojmë…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë