Fenomeni i martesave ndëretnike është një temë e ndjeshme dhe komplekse, veçanërisht në shoqëritë që kanë histori të gjatë të ndarjes etnike dhe tensioneve midis grupeve të ndryshme. Në Maqedoninë e Veriut, ku etnia maqedonase dhe shqiptare përbëjnë shumicën e popullsisë, tema e martesave ndëretnike ka qenë gjithmonë një çështje e diskutuar, për shkak të historisë.
Megjithatë, përparimi i kohës dhe ndryshimi i perspektivave sociale kanë sjellë edhe ndryshime në mendësitë e individëve ndaj këtyre çështjeve. Anketa e realizuar nga organizata OMNIBUS tregon se më shumë se gjysma e qytetarëve të vendit janë të hapur për martesat ndëretnike, një shenjë e mundshme e një ndryshimi të perceptimit publik për këtë temë. Sipas anketës, 54.3 për qind e qytetarëve janë përgjigjur se do të martoheshin me një person të një etnie tjetër, 31.2 për qind janë përgjigjur me “jo”, ndërsa 14.5 për qind “nuk e di”.
Megjithatë, ndonëse statistikat mund të sugjerojnë një prirje drejt hapjes, disa eksperte dhe individë mund të kenë pikëpamje më konservative, të cilat janë të lidhura me realitetin e jetës së përditshme dhe ndikimet kulturore.
Sociologia Arta Beqiri ka një pikëpamje të ndryshme, duke u bazuar në realitetet sociale dhe kulturore që ekzistojnë midis grupeve të ndryshme etnike në vend. Ajo për gazetën Koha theksoi se anketa mund të ketë qenë kryesisht një pasqyrë e mendimeve të komunitetit maqedonas, duke qenë se shumë shqiptarë, sipas saj, ende e shohin martesën ndëretnike si një tabu.
“Mendoj se anketa ka pasur një ndikim të rëndësishëm nga pjesa më e madhe e komunitetit maqedonas, pasi te shqiptarët sidomos, ende mbizotëron një qëndrim konservator për martesat ndëretnike. Etniciteti është një faktor kyç, por ajo që shpesh neglizhohet është edhe ndikimi i fesë. Kjo është një tjetër pengesë që ndikon te shqiptarët, ku shumë prej tyre mund të ndihen të papërgatitur për të pranuar martesat me individë nga grupe të tjera fetare ose etnike. Ata që përgjigjen me ‘jo’ ose ‘nuk e di’, mendoj se janë kryesisht pjesë e këtij komuniteti, i cili është i ndikuar nga normat e forta kulturore dhe fetare, të cilat shpesh krijojnë një barrierë të fortë ndaj ndryshimit”, tha Beqiri.
Në kontrast me këtë pikëpamje, Matilda Bakiu, një shqiptare e Maqedonisë së Veriut, që është e lidhur me një maqedonas, ofron një qëndrim më të hapur dhe më të lirë për këtë çështje. Ajo thekson se për të, etniciteti dhe ngjyra e lëkurës nuk kanë rëndësi, pasi ajo i trajton të gjithë individët njësoj, dhe ajo që ka më shumë rëndësi është cilësia e marrëdhënies dhe respekti që një person tregon për tjetrin. Matilda e kundërshton mendimin e sociologes dhe ofron një shembull të jetës së saj për të theksuar se në një lidhje duhet të vlerësohen cilësitë e partnerit, jo etnia e tij.
“Që kur isha e vogël nuk më ka interesuar as etniciteti e as ngjyra e njerëzve, thjesht i kam trajtuar të gjithë njësoj, në fund të fundit ne jemi të gjithë njerëz dhe ajo që ka rëndësi është nëse ata janë persona me zemër të mirë. Po sikur të dilja me një djalë shqiptar që më trajton keq? A supozohet të jetë në rregull dhe a duhet të detyroj veten të qëndroj në atë marrëdhënie abuzive vetëm sepse ai është ‘lloji im’? Sigurisht që jo! Për mua ajo që ka rëndësi në një lidhje është nëse të dyja palët e përfshira kujdesen për njeri-tjetrin dhe e duan dhe e vlerësojnë njëri-tjetrin. Në fund të fundit, nëse jeni në një lidhje të përkushtuar, do të kaloni pjesën më të madhe të jetës tuaj me dikë, kështu që mos zgjidhni dikë për familjen tuaj”, theksoi ajo.
Ndryshe, anketa nga OMNIBUS është realizuar përmes thirrjeve telefonike me 1.150 të anketuar nga i gjithë territori i vendit, në periudhën nga 1 deri më 4 shkurt 2025.