Kujt ia vret sytë përdorimi i gjuhës shqipe?

    Kryeministri vendit Hristijan Mickoski në një intervistë ekskluzive për Alsat deklaroi se gjuhë zyrtare për përdorim ndërkombëtarë është gjuha maqedonase, derisa në nivel të shtetit përskaj gjuhës maqedonase si gjuhë zyrtare mund të përdoret edhe gjuha shqipe dhe sipas tij për këtë nuk duhet askush të ketë dilema, përfshi edhe të gjitha organet e administratës shtetërore, përcjell Nistori.

    “Askujt, askujt nuk ia vret sytë dhe askujt nuk duhet t’ia vras sytë. Ligji që është miratuar për përdorimin e gjuhëve duhet të respektohet dhe këtu nuk duhet askush të ketë dilema. Por duhet të respektohet nga të gjithë akterët e jetës politike në Maqedoni. Që nënkupton se gjuhë zyrtare për përdorim ndërkombëtare dhe ngjarje ndërkombëtare është gjuha maqedonase… ndërsa në nivel të shtetit gjuha maqedonase dhe mund të përdoret edhe gjuha shqipe… 20 përqindëshi është gjuha shqipe, gjuha maqedonase zyrtare dhe mund të përdoret edhe gjuha shqipe dhe këtu askush nuk duhet të ketë dilema, dhe absolutisht të gjitha organet е administratës shtetërore duhet ta respektojnë”, deklaroi Mickoski. 

    Nisma për ndryshimin e stemës shtetërore?

    Kryeminsitri Hristijan Mickoski i pyetur rreth nismës eventuale për ndryshimin e stemës së shtetit, tha se edhe përkundër që kjo temë është ngritur në publik, ende nuk ka një iniciativë nga qeveria për ndryshimin e stemës shtetërore.

    Ndërkohë i pyetur nëse do të pranonte një ndryshim të mundshëm të stemës shtetërore në një pako me ndryshimin e himnit shtetëror dhe heqjen e 20%, Mickoski tha:

    “Nuk mund të pranoj pako apo të mos e pranoj, kur një temë e tillë nuk është vënë në tavolinë për diskutim, apo ka qenë objekt diskutimi”.

    Mickoski: nëse duam të shkojmë përpara duhet të shohim cilësinë dhe jo partinë

    Mickoski edhe njëherë shprehu qëndrimin e tij rreth punësimeve duke nënvizuar se në të ardhmen nuk do të ketë punësime në baza partiake e as etnike, por punësime në bazë të kualitetit.

    “Nuk do të ketë punësime etnike e as partiake. Vlerësoj se duhet ta tejkalojmë atë çështje kur kemi funksionuar në bazë partiake, duhet të shohim kualitetin dhe jo aspektin partiak

    “Pavarësisht nëse është shqiptar, turk, serb, rom, maqedonas e të ngjashme, besoj se duhet ta tejkalojmë atë çështje kur kemi vepruar sipas parimit si më parë dhe duhet të merret parasysh cilësia. Sepse nëse duam të ecim përpara duhet të shikojmë cilësinë, e jo rekomandimin partiak”, tha Mickoski. 

    Mickoski: Ahmeti ka komunikim të rregullt me Grubin, e këshilloj të kthehet dhe të përballet me drejtësinë

    I pyetur se kur do të kthehet Artan Grubi në Maqedoni, kryeministri theksoi se Ali Ahmeti ka komunikim të rregullt me Grubin dhe e këshilloi atë të kthehet në vend dhe të përballet me drejtësinë.

    “Kur do të kthehet Grubi, nuk e di, nga sa arrita ta dëgjoj Mexhitin, ai tha se Ahmeti ka komunikim të rregullt me Grubin dhe ndoshta ai duhet të japë një përgjigje se kur do të kthehet. Unë do të dëshiroja që ai të kthehej që sot, sepse mënyra e vetme për t’iu përgjigjur të gjitha pyetjeve është të jetë këtu i pranishëm dhe të japë përgjigje”, theksoi kryeministri Mickoski.

    Lidhur me deklaratat e bëra disa muaj më parë për një përpjekje për destabilizim të vendit nga BDI dhe pse tani nuk ka më deklarata të tilla, Mickoski tha se një përpjekje për destabilizim nuk do të thotë domosdoshmërisht se do të ketë sukses dhe se vendi është më stabil se kurrë më parë.

    “Përpjekja për destabilizim nuk do të thotë se do të kenë sukses apo se ne do të jemi një shtet jostabil. Siç e shihni, për nëntë muaj jo vetëm që jemi një shtet stabil, por edhe në planin ndërkombëtar po krijojmë miqësi dhe aleanca të tilla që nuk janë parë kurrë më parë në Maqedoninë e pavarur,” theksoi kryeministri Mickoski.

    Sa i përket mundësisë së bashkëpunimit me BDI-në, kryeministri Mickoski tha se është i kënaqur me bashkëpunimin me koalicionin VLEN dhe se marrëdhëniet brenda koalicionit qeveritar janë kohezive dhe të forta, ndërsa qëllimi i koalicionit është një e ardhme më e mirë për qytetarët dhe shtetin.

    “Kështu po punojmë dhe do të vazhdojmë të punojmë,” theksoi kryeministri Mickoski. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    A do të përfshihen personat me aftësi ndryshe në zgjedhjet e ardhshme?

    Lajmi i rradhës

    “Përmbajtja” në OKB: izolim apo strategji?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë