Çfarë Europe dëshiron brezi i ardhshëm dhe si mendon ta formësojë ai atë? Ky do të jetë fokusi i dialogut ndërkombëtar që do të bëjë bashkë në Tiranë drejtues politik me eksperiencë dhe politikanë të rinj.
Eventi që zhvillohet në Tiranë mbështetet nga fondacioni i Çmimi Ndërkombëtar Charlemagne i Aachen-it. Çmimi Ndërkombëtar Charlemagne i Aachen-it, dhënë për herë të parë në vitin 1950, është çmimi më i vjetër dhe më prestigjioz që u jepet individëve ose institucioneve për punën e bërë në shërbim të Bashkimit Evropian.
Për DW flet Dr. Jürgen Linden, Kryetar i Bordit të çmimit ndërkombëtar ‘’Charlemagne”, politikan gjerman, ish kryetar i Bashkisë së Aachen-it.
DW. Çmimi Charlemagne ka një histori të jashtëzakonshme, prej 75 vitesh. Cila është rëndësia që mbart në Europën e sotme, në promovimin e bashkimit europian dhe të vlerave demokratike?
Dr. Jürgen Linden: Ai u themelua pak pas Luftës së Dytë Botërore, mund të thuhet mbi rrënojat e qytetit tonë dhe madje të Gjermanisë dhe fqinjëve. Pra, qëllimi i parë ishte paqja, kuptimi dhe bashkëpunimi. Dhe këto kritere janë ende të rëndësishme edhe sot. Kështu që na duhet paqe për të bashkëpunuar. Na duhet paqe për të përmirësuar jetën tonë sociale dhe ekonomike dhe na duhet liri dhe demokraci për të jetuar në kushte normale jetën e përditshme.
DW: E ardhmja e Shqipërisë në Bashkimin Europian është një temë e rëndësishme për ne. Po cilat janë sfidat kryesore të zgjerimit të BE-së, veçanërisht me vende si Shqipëria? Pse është ky moment kaq delikat për unionin?
Dr. Jürgen Linden: Bota po ndryshon dhe kemi më shumë probleme se ato që kishim dje ose më parë. Kemi dy luftra dhe kemi gjithashtu një agresion të Rusisë ndaj Ukrainës. Dhe nëse Rusia sulmon Ukrainën, kjo do të thotë edhe idenë europiane, edhe strukturën e modelit të jetës sonë, dhe në këtë kuptim, gjithashtu demokracinë dhe lirinë. Kështu që duhet ta mbrojmë atë dhe të rezistojmë. Agresioni i dytë vjen nga brenda. Kemi shumë votues anti-europianë në Gjermani, dy javë më parë ishin 20%. Dhe këto agresione janë anti-demokratike dhe janë në një farë mënyre, të rrezikshme për të ardhmen tonë. Kjo do të thotë që, nga ana tjetër, duhet së pari të kundërshtojmë agresionet nga jashtë dhe së dyti nga brenda. Dhe së treti, tani kemi probleme me mikun tonë, Shtetet e Bashkuara, pasi nuk mund të llogarisim se çfarë do të jenë politikat e nesërme ndaj Europës dhe, mund të thuhet, ndaj rendit të botës që është ngritur që nga viti 1945. Kështu që kemi shumë probleme aktualisht dhe nuk jemi në gjendje t’i zgjidhim këto probleme si një komb. Të qëndrojmë së bashku është me të vërtetë alternativa e vetme për të gjithë. Vende të vogla siç janë Luksemburgu apo edhe Shqipëria dhe vende më të mëdha si Gjermania apo Franca, nëse qëndrojmë së bashku dhe jemi të aftë të kemi një ide të përbashkët duke qendruar së bashku, atëherë kemi një mundësi për të mbijetuar në njëfarë mënyre. Kemi shumë potenciale, kemi shumë fuqi, kemi shkencë, kemi ekonomi, kemi para. Euroja është e qëndrueshme aktualisht. Kështu që jemi në gjendje ta bëjmë këtë, por duhet ta duam dhe duhet ta bëjmë. Kështu që këto dy pika janë thelbësore tani.
DW: Si mund të kontribuojnë të rinjtë në mbrojtjen e institucioneve demokratike dhe formësimin e politikave europiane?
Dr. Jürgen Linden: Shumë, pasi kjo është e ardhmja e tyre. Së pari, ata duhet të kuptojnë se politikat e përbashkëta janë të nevojshme, pasi kjo është një çështje mbi jetën personale. Së dyti, ata mund të shohin se për karrierën e tyre, Europa ofron shumë mundësi që ata mund t’i shfrytëzojnë. Erasmus, për shembull, mundësia për të studiuar ose për të punuar kudo brenda Bashkimit Europian. Këto janë mundësi që brezi im nuk i pati në fillim. Kështu që, unë dua që ata të kalojnë përmes asaj porte dhe t’i marrin mundësitë që ofrohen. Duke e bërë këtë, ata do të fitojnë eksperienca dhe do të bëhen, natyrisht, europianë.
DW: Europa po përballet me sfida të ndryshme gjeopolitike, digjitale, pasiguritë ekonomike. Cilat janë rreziqet më të mëdha për gjeneratën e ardhshme?
Dr. Jürgen Linden: Ne kemi shumë rreziqe. Kemi, siç thashë më lart, kemi luftra përpara dyerve tona. Kemi rrezikun nga klima. Kemi probleme ekonomike. Por rreziku kryesor që unë shoh është mosbashkimi, në kuptimin që ne mund të mos jemi së bashku për të trajtuar sfidat që janë para nesh. Këto janë, sipas mendimit tim, sfidat kryesore.
DW: Dr. Ursula von der Leyen fitoi Çmimin Charlemagne 2025. Si e shihni të ardhmen e BE-së nën udhëheqjen e saj ?
Dr. Jürgen Linden: Kemi kaos në botë. Tani kemi impulsione amerikane që nuk mund t’i llogarisim. Dhe kështu, pasoja duhet të jetë që Europa të jetë e bashkuar, të qëndrojë së bashku. Dhe për këtë, na duhen jo vetëm një ide, por edhe udhëheqës. Dhe mendoj se pesë vitet e para tëUrsula von der Leyenkanë treguar se ajo është në gjendje të jetë udhëheqësja, në fakt. Ajo ka një pozicion strategjik dhe respektohet nga qeveritë kombëtare. Dhe gjithashtu ajo respektohet nga partnerët ndërkombëtarë. Kështu që pyetjet për të ardhmen e Europës janë përqendruar te ajo. Dhe kështu, ne duam jo vetëm ta falënderojmë për atë që ka bërë deri tani, por edhe ta mbështesim për atë që ajo do të bëjë në të ardhmen. /DW/