Dhuna në shkollat e RMV — familja ka rol të rëndësishëm

    Shumica e nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme, ose 65 për qind e tyre, kanë përjetuar ose kanë qenë dëshmitarë në çdo formë dhune fizike mes bashkëmoshatarëve, ndërsa një përqindje akoma më e madhe, rreth 71 për qind, kanë përjetuar abuzim verbal. Në të njëjtën kohë, vetëm 45 për qind janë përgjigjur se “gjithmonë” dhe vetëm 40 për qind “në shumicën e kohës” ndjehen të sigurt në mjedisin shkollor. Nga njëra anë, hulumtimet tregojnë se dhuna mes bashkëmoshatarëve është pak a shumë një dukuri e përditshme në shkolla, por ende ka një stigmë dhe një pjesë e nxënësve, për arsye të ndryshme, nuk janë të përgatitur në asnjë mënyrë ta pranojnë atë.

    Dhunë ka më shumë – rreth 90% në qytetet e mëdha dhe më pak, rreth 10 për qind në shkollat rurale në fshatra, tregojnë të dhënat e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

    Në Shkup kryesisht, pothuajse çdo ditë – në të gjitha shkollat ka bullizëm dhe dhunë midis bashkëmoshatarëve, ndërsa alarmi jepet se kjo më e theksuar është në shkollat fillore. Politizimi i arsimit fillor nga partitë politike vazhdon të jetë shqetësues, ndërsa të paaftë për të zgjidhur mosmarrëveshjet midis nxënësve, shumë drejtori të shkollave zgjedhin mënyrën për heshtjen e bullizmit dhe dhunës në shkolla, thonë hulumtime të organizatave joqeveritare, duke përfshirë këtu edhe Ambasadën e Parë të Fëmijëve “Megjashi”.

    FRIKA NGA STIGMATIZIMI

    Veç kësaj, hulumtimet tregojnë se në pjesë të madhe, janë prindërit ata që nuk punojnë ose nuk u bëhet vonë nëse fëmijët e tyre ngacmojnë të tjerët, ndërsa reagojnë vetëm kur fëmija i tyre ngacmohet.

    “Në shumë raste, është konstatuar se prindërit janë ata që duhet ‘edukuar’ më shumë sesa fëmijët, sepse mungojnë këshillat, bisedat dhe reagimi që në familje”.

    Dhuna e bashkëmoshatarëve është një fenomen që ka prekur shumë komunitete, përfshirë madje edhe atë të studentëve. Ky lloj i dhunës, që shpesh ndodh mes të rinjve, mund të shfaqet në forma të ndryshme, siç janë kërcënimet, fyerjet, shantazhet, ngacmimet fizike ose psikologjike, si dhe përdorimi i mediave sociale për të shpërndarë informacion të dëmshëm apo për të shfrytëzuar vulnerabilitetin e të tjerëve. Megjithatë, një nga karakteristikat më të shpeshta të këtij fenomeni është se shumë nxënës e përjetojnë këtë dhunë, por një pjesë e madhe e tyre nuk kërkojnë ndihmë.

    Kjo ndodh për disa arsye. E para, siç thonë analizat e shumta në Maqedoni, është frika nga stigmatizimi ose humbja e imazhit në mesin e grupit të shokëve dhe shoqeve. Nxënësit shpesh ndjehen të turpëruar për atë që po kalojnë dhe mund të kenë frikë se, nëse kërkojnë ndihmë, do të etiketohen si të dobët ose të paaftë për të përballuar situatën.

    “Sidoqoftë, ky është një perceptim i gabuar, pasi kërkimi për mbështetje është një veprim i fuqishëm dhe i nevojshëm për të mbrojtur mirëqenien e individëve. Dhe për këtë duhet të flitet në shtëpi me prindërit dhe mësuesit e profesorët në shkolla”, thonë psikologët.

    Një arsye tjetër është mungesa e informacionit ose e mundësive për t’u informuar se ku dhe si mund të kërkohet ndihmë. Shumë nxënës nuk e dinë se ekzistojnë shërbime mbështetjeje, si këshilltarë akademikë, psikologë ose shërbime sociale në shkolla, që mund të ndihmojnë ata të kalojnë këtë periudhë të vështirë. Po ashtu, shpesh ndodhet që nxënësit të mos dinë si të trajtojnë situatat e dhunës ose të besojnë se problemi është i natyrës kalimtare dhe se mund ta zgjidhin vetë, pa kërkuar ndihmë të jashtme. Mungesa e një mjedisi mbështetës në disa shkolla ose institucione arsimore mund të jetë një tjetër arsye pse nxënësit nuk kërkojnë ndihmë. Nëse ata nuk ndjehen të sigurt ose të mbështetur nga administrata, mësuesit, ose kolegët, ata mund të kenë frikë se do të përballen me pasoja negative, si shkatërrimi i reputacionit ose humbja e mundësive mësimore dhe profesionale.

    “Për t’i dhënë fund këtij fenomeni, është e nevojshme që të promovohen ndërgjegjësimi dhe mbështetja për studentët. Institucionet arsimore duhet të krijojnë një mjedis ku dhuna mes bashkëmoshatarëve nuk tolerohet, dhe ku ata që janë viktima të dhunës mund të kërkojnë ndihmë pa pasur frikë nga pasojat negative. Po ashtu, është e rëndësishme të ofrohen mundësi për trajnim dhe zhvillim të aftësive të komunikimit dhe menaxhimit të konflikteve nxënës-prindër-mësues, që mund të ndihmojnë në parandalimin e dhunës dhe përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet nxënësve”, thuhet në protokollin që MASH i ka nisur shkollave muaj më parë.

    FAMILJA, FAKTORI KRYESOR

    Pasojat e bullizmit për viktimën mund të jenë aq të rënda sa mund të çojnë në dëmtime fizike, ndikim të rëndë psikologjik, humbje të vetëbesimit si dhe në rastet më të rënda në vetëvrasje. Për ta luftuar atë është e rëndësishme të krijojmë një kulturë ku respektohet diversiteti, vlerat njerëzore dhe të drejtat e të tjerëve, si dhe të ndërmerren masa konkrete për trajtimin e rasteve të bullizmit duke përfshirë edukimin e nxënësve dhe stafit shkollor. Psikologja Fatime Ziberi për gazetën Koha thotë se shkaqet e bullizmit janë të ndryshme dhe komplekse, ndërsa faktori kryesor që mund të ndikojë është mjedisi familjar ku fëmijët rriten.

    “Nëse flasim për një mjedis ku ka dhunë, abuzim, neglizhencë apo mungesë të dashurisë dhe vëmendjes, ata fëmijë mund të jenë më të prirur të shfaqin sjellje bullizuese. Shkak tjetër është edhe presioni nga bashkëmoshatarët pasi fëmijët ndonjëherë mund të ndihen të detyruar të bullizojnë të tjerët për t’u përshtatur me një grup të caktuar ose për të fituar pranimin e bashkëmoshatarëve”, tha Ziberi duke shtuar më tej se fëmijët që nuk kanë zhvilluar ndjeshmëri dhe empati ndaj të tjerëve mund të mos e kuptojnë ndikimin negativ që kanë veprimet e tyre tek viktimat.

    Sipas Ziberit, nuk duhet harruar as problemet personale pasi fëmijët që përjetojnë probleme emocionale si ankthi, depresioni apo vetëbesimi i ulët, mund të përdorin bullizmin për të përballuar këto vështirësi.

    “Ndikimi i mediave po ashtu ka rolin e vet. Ekspozimi ndaj dhunës në media, filma, video lojëra mund të ndikojnë në sjelljen e fëmijëve dhe t’i bëjë ata më të prirur ndaj bullizmit. Është e rëndësishme që të gjithë të punojmë së bashku për të luftuar dhe parandaluar bullizmin në shkolla sa më shpejtë që të jetë e mundur. Kjo mund të përfshijë biseda me fëmijët e përfshirë, ofrimin e mbështetjes psikologjike dhe zbatimin e masave disiplinore të përshtatshme. Shkollat dhe familjet duhet të punojnë së bashku për të edukuar fëmijët mbi pasojat negative të bullizmit dhe për të promovuar një kulturë të respektit dhe tolerancës”, theksoi ajo.

    Lajmi Paraprak

    Portalet në RMV së shpejti në “kornizë ligjore”

    Lajmi i rradhës

    Fertiliteti, Maqedonia e Veriut i afrohet mesatares së BE-së

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë