Hyrja në borxh për të kapërcyer hendekun midis të ardhurave dhe nevojave mujore në familje, pagesat e borxheve të vjetra apo shlyerja e një borxhi me një borxh tjetër, rinovimi i shtëpisë apo banesës, blerja e teknikës së bardhë bile edhe e smartfonave, vajtja në pushime, organizimi i një ahengu familjar më i madh apo më i vogël, blerja e banesës së re… Këto janë disa nga arsyet e hyrjes se vjen e më të madhe të qytetarëve në borxh ndaj bankave. Të dhënat e Bankës Popullore tregojnë se më shumë se tetë miliardë euro është borxhi që qytetarët, kompanitë, shteti kanë ndaj bankave. Mirëpo, prej kësaj shume afër 4.3 miliardë euro janë borxhet e amvisërive.
Të dhënat financiare për fitimet e mëdha të bankave dhe borxhin në rritje të amvisërive, pasqyrojnë varësinë financiare në rritje të qytetarëve nga bankat, të cilat, pavarësisht rritjes së borxhit të popullsisë, vazhdojnë të kenë fitime të konsiderueshme.Nga interesat e llogaritura dhe të arkëtuara, vitin e kaluar banka në vend kanë realizuar të ardhura neto në vlerë prej afër 460 milionë euro. Kjo paraqet një rritje prej 58.4 milionë euro krahasuar me vitin 2023. Kjo paraqet diferencën mes normave të interesit që bankat vendosin për kreditë dhe normave të interesit që u paguajnë depozituesve.”Qari”rrjedh edhe nga komisionet, diferencat e kursit, por fitimet më të mëdha vijnë prej dallimit midis kamatave në kursime dhe kamatave të kredive.
Të ardhurat neto nga komisionet dhe tarifat u rritën me 8.5 milionë euro, duke arritur në 115.1 milionë euro, ndërsa të ardhurat nga diferencat e kursit arritën në 28.2 milionë euro, që janë pothuajse të njëjta me vitin e kaluar. Gjithashtu, të ardhurat e mbetura nga aktivitetet e tjera sollën 49.4 milionë euro. Vetëm fitimi i bankave pas anulimit të harxhimeve të ndryshme si për paga, dhe mjete të tjera në punën e përditshme është gati 283 milionë eurosh. Kjo është për 50 milion euro më shumë në raport me vitin 2023.
Shpenzimet më të mëdha të bankave janë për provizionet për kredi të këqija, apo që vështirë kthehen edhe pas tre muajsh paralajmërimesh, të cilat vitin e kaluar arritën në 59.1 milionë euro, me një rënie prej 15.8 milionë euro krahasuar me vitin 2023. Ky është një faktor i rëndësishëm që ka përmirësuar fitimet e sektorit bankar. Shpenzimet e punonjësve arritën në 120 milionë euro, një rritje prej 11 milionë euro krahasuar me një vit më parë. Kjo tregon për një fokus më të madh në përmirësimin e të ardhurave të punonjësve në sektorin bankar.
Shpenzimet e tjera operative ishin 131 milionë euro, një rritje prej 11 milionë euro krahasuar me vitin 2023. Pas tatimit, fitimi i sektorit bankar për vitin 2024 është 282.8 milionë euro, ndërsa para tatimit është 321.6 milionë euro. Ky fitim nënkupton se bankat në Maqedoni kanë paguar 38.8 milionë euro tatim mbi fitimin për vitin 2024.
Nga ana tjetër, të dhënat e Bankës Popullore tregojnë se amvisëritë më së shumti borxh në bazë të kredive konsumatore që tejkalojnë dy miliardë euro. Qytetarët u detyrohen bankave komerciale një miliard e 500 milionë euro për kredi për banesa. Në tremujorin e katërt të vitit 2024, anketa tregon një rritje neto më të dobët të kërkesës për kredi totale për sektorin e ekonomive familjare krahasuar me tremujorin e tretë. Rritja neto e kërkesës për kredinë totale të individëve në këtë tremujor është në përputhje me pritjet për tremujorin e dhëna nga bankat në anketën e mëparshme. Në tremujorin e parë të vitit 2025, bankat presin një rritje të moderuar neto të kërkesës për totalin e kredisë nga individët. Faktorët që kontribuojnë në rritjen neto më të moderuar të kërkesës për kredi për banesa në këtë tremujor janë: “besimi i konsumatorit” dhe “perspektivat e tregut të banesave”, ndërsa të gjithë faktorët e tjerë kontribuojnë në uljen neto të kërkesës për kredi për banesa.
Nga faktorët që lidhen me kërkesën për kredi konsumatore, “kostot e mallrave të qëndrueshme” dhe “besimi i konsumatorit” kontribuojnë në rritjen neto të kërkesës, ndërsa faktorët e mbetur (“kredi nga bankat e tjera”, “kursimet e individëve” dhe “burime të tjera financimi”) kontribuojnë në uljen neto të kërkesës u raportua nga sondazhi i Bankës Popullore.
Gjatë muajit të parë të këtij viti janë miratuar 0.5 për qind më shumë kredi për banesa në bazë të kërkesave të paraqitura krahasuar me muajin dhjetor. Krahasuar me situatën e një viti më parë, ka një ndryshim prej 12.7 për qind. Është arritur shuma e përgjithshme prej 94,853 milionë denarë ose 1,5 miliardë euro. Megjithatë, edhe përkundër rënies mujore prej 0.3 për qind, kreditë konsumatore janë ende jashtë konkurrence , sipas të dhënave të fundit të Bankës Popullore. Në këtë linjë, borxhi i popullatës arrin në 128,466 milionë denarë, ose mbi dy miliardë euro, përderisa rritja vjetore e kredive më të shpeshta është 8.4 për qind.
Me vite mbetet jo shumë i lartë niveli i kredive për vetura që ka arritur në 6.8 milion euro. Borxhi përmes përdorimit të kredit kartelave është ulur në 8,833 milionë denarë ose 143,6 milionë euro. Gjithashtu në një vit, bilancet negative në llogaritë rrjedhëse të qytetarëve janë ulur me 4.6 për qind. Megjithatë, në muajin janar ka pasur një rritje prej 11.4 për qind, çka është e kuptueshme pas të gjitha shpenzimeve që kanë të bëjnë me festat e mëparshme. Minus i përbashkët i të gjithë përdoruesve është 104 milionë euro. Kërkesa e popullsisë për të siguruar fondet e nevojshme rritën kreditimin me 0.2 për qind në muaj dhe me 8.8 për qind në vit. Dhe kjo, siç theksojnë nga Banka Popullore, “në masë të madhe vjen si pasojë e rritjes së kreditimit në denarë, me rritje edhe të kredive në valutë”. /Koha/