Kolona të gjata, pritje të pafundme, qytetarë të lodhur që duan vetëm të kalojnë kufirin për një kafe, për një drekë, për të vizituar miqtë dhe të afërmit e tyre. Kjo nuk është vetëm pengesë fizike – është përpjekje e qëllimshme për të ndalur ndërveprimin natyror mes dy shoqërive tona. Shkupi dhe Prishtina janë kryeqytetet më afër njëra-tjetrës në gjithë rajonin, dhe kjo afërsi është potencial – për zhvillim, për ndikim të ndërsjellë pozitiv, për bashkëpunim dhe për afrimin e popujve. Kështu akuzon partia e Ali Ahmetit – Bashkimi Demokratik për Integrim, ndërsa për të disatën herë shpreh indinjatë për kolonat e gjata dhe keqtrajtimin e udhëtarëve në kufirin e Bllacës me Hanin e Elezit.
“Me kolonat dhe pritjet e pafundme, po synohet të ndërpritet pikërisht kjo: ndikimi përmes afërsisë. Kufijtë që ndajnë njerëzit, nuk janë kufij të sigurisë – janë kufij të mendësisë së vjetër. Një mentalitet i tejkaluar jugosllavo-komunist që mendon se mund të ndalë komunikimin, dashurinë, miqësinë dhe lirinë me pengesa fizike dhe burokraci. Jo! Kjo logjikë duhet të dërgohet në histori! Kjo është një thirrje për ndërgjegje: mos e prano këtë realitet si normal! Kërkojmë respekt dhe dinjitet për qytetarët tanë – tani!”, thonë në BDI, ndërsa shtojnë se kjo pamje përsëritet prej më shumë se 8 muajsh.
Por jo vetëm BDI shpreh indinjatë me kolonat dhe keqtrajtimin e udhëtarëve në Bllacë. Dje, kolona e veturave për hyrje në Maqedoni në Bllacë kishte arritur deri në mes te Hanit të Elezit, ndërkohë që ishte bllokuar edhe vendkalimi kufitar i palës kufitare, policët e së cilës gjithashtu shprehnin habi me punën e palës maqedone. Pritjet për t’u futur në Maqedoni tashmë arrijnë më shumë se një orë! Dhe kjo nuk ishte hera e parë. Situatë e njëjtë ndodhë thuajse çdo ditë, për tetë muaj me radhë. Kalimet selektive tashmë janë pjesë e historisë. Konkretisht, asnjë punonjës i policisë kufitare nuk guxon ta implementojë kalimin selektiv (pa kontroll të detajuar) siç ndodhë rëndom në kufijtë tjerë të shtetit kur ka numër të konsiderueshëm udhëtarësh.
“As që bëhet fjalë për kalime selektive. Më shumë se 15 policë kufitarë janë nën masë disiplinore vetëm pse ndonjëherë nuk i kanë fut në sistem kalimin e ndonjë udhëtari. Kështu që, me të drejtë shprehet revolta e udhëtarëve ndaj nesh, por sinqerisht nuk kemi asnjë faj, pasi edhe mund të na suspendojnë nga puna nëse vendosim për kalim selektiv. Nuk kemi mënyrë tjetër pos të respektojmë urdhrin e Ministrisë për kontroll të detajuar të secilit udhëtarë”, thotë një polic kufitar në Bllacë. Ai, njëjtë sikurse të tjerët, thotë se urdhri i ministrit Pançe Toshkovski është i prerë: Edhe foshnjat të futen në sistem! Përveç kësaj, vendkalimi kufitar në Bllacë është ndër të vetmet pikë kufitare ku ka mungesë të theksuar të punonjësve. Gati me gjysmë kapacitetesh punon kjo pikë kufitare, ndërsa punësime të reja nuk ka.
Gjendja me këtë pikë kufitare është diskutuar edhe me zëvendësministrin Astrit Iseni, por siç thonë punonjësit shqiptarë, duket se nuk ka fuqi të ndërhyjë në vendimet e Ministrisë së Punëve të Brendshme. “Gjatë dy vizitave të zëvendësministrit Iseni në Bllacë, është premtuar tejkalimi i kësaj situate, por për tetë muaj asgjë konkrete nuk ka”, ankohen punonjësit e pikës kufitare në Bllacë. Dhe duket se kështu është, pasi për tetë muaj në detyrën e zëvendësministrit, Iseni në asnjë rast të vetëm nuk është prononcuar për kolonat e gjata në Bllacë.
Qytetarët janë ata që më së shumti e vuajnë kalimin në Bllacë. Agimi nga Shkupi, që udhëton dy-tre herë në javë për punë, por edhe për vizita familjare në Kosovë, thotë për Koha se për t’i evituar kolonat, i duhet të udhëtojë ose herët në mëngjes, para orës 7 ose vonë në darkë, pas orës 11 të natës.
“Ndryshe bllokohesh. Kur më ndodhë të udhëtojë, për shembull, në ora 14, më duhet të nisem një orë e gjysmë përpara për ta planifikuar edhe pritjen në kufi e për të arritur në kohë në Ferizaj”, tregon Agimi.
Ai thotë se Bllaca është i vetmi kufi ku edhe pasaportat e foshnjave futen në sistemin kompjuterik të policisë.
“Nuk kanë faj edhe policët. Shpesh në biseda të shkurtra me ta, shihet se edhe ata janë në zor, sepse mllefi drejtohet kundrejt tyre ndërsa të shkretët kanë urdhër të kontrollojnë secilin. Por faji është tek këta tanët në Qeveri, që gojën s’guzojnë ta çelin e t’i kundërvihen Toshkovskit dhe politikave antishqiptare të VMRO-së”.
Në ndërkohë, Ministria e Punëve të Brendshme për këtë pikë kufitare, ka dhënë katër premtime se do të lehtësohet qarkullimi. Konkretisht, vendimi i marrë që vitin e kaluar për sistemin One Stop Shop pritet të hyjë në fuqi më 14 prill. Fillimisht ishte premtuar se i njëjti do të nis më 1 janar, për t’u shtyrë pastaj më 1 mars, më 1 prill dhe tash më 14 prill. Sistemi One Stop Shop është testuar tashmë dhe ka rezultuar i suksesshëm.
“Ky hap paraqet një realizim konkret të bashkëpunimit dypalësh ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës, që synon lehtësimin e lëvizjes ndërkufitare, uljen e kohës së pritjes dhe rritjen e efikasitetit të kontrolleve kufitare”, thuhet në njoftimin e fundit të MPB-së.