Nuk e di, nuk e kam idenë. Kështu i është përgjigjur nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Arbër Ademi, në një intervistë për “360 Gradë” në RTM 1, pyetjes – a e di se ku është ish-zëvendëskryeministri i parë dhe zyrtari i lartë i BDI-së, Artan Grubi.
Ademi u përgjigj gjithashtu se nuk e di nëse Grubi do të kthehet në vend dhe i pyetur nëse duhet të kthehet, ai tha:
“Mendoj se të gjithë duhet të përballen me drejtësinë. Mendoj se ka pasur një gjueti politike dhe arrestimi i tij është shpallur shumë muaj përpara. Edhe para formimit të Qeverisë. I keni deklaratat publike të politikanëve se “kur të vijmë ne në pushtet do ta arrestojmë, etj.”
I pyetur nëse e konsideron përndjekje futjen në listën e zezë të Artan Grubit nga Shtetet e Bashkuara (SHBA), Ademi është përgjigjur se kjo është një çështje tjetër.
“Ne e respektojmë këtë si BDI. Ata janë partnerët tanë strategjikë. Por a ka persona të tjerë në listën e zezë? Ka. A janë në burg? Nuk janë. Kaq mjafton”, tha Ademi.