KOSTOJA E JETESËS NË RMV, SHTRENJTË E MË SHTRENJTË!

    Kostoja e jetesës në mars 2025, në raport me marsin e vitit të kaluar, shënuan rritje prej 2,7 për qind, ndërsa çmimet me pakicë shënuan rritje të lehtë prej 2,2 për qind, kumtoi Enti Shtetëror i Statistikës. Inflacioni i matur nëpërmjet indeksit të kostos për jetesë në mars 2025, krahasuar me muajin shkurt të vitit 2025, është -1.3 %. Rënia e inflacionit në mars të vitit 2025, krahasuar me shkurtin e vitit 2025, është rezultat i rënies së kostos për jetesë në grupet e mëposhtme: Ushqim dhe pije joalkoolike për 3.0 %, Transport për 1.8 %, Mobilje, inventarë dhe mirëmbajtje e ekonomisë familjare për 0.6 %, Pije alkoolike, duhan dhe narkotikë për 0.5 %, dhe Mallra dhe shërbime të ndryshme për 0.3 %.

    Në mars 2025, krahasuar me muajin shkurt 2025, rritja e kostos së jetesës është vërejtur në grupet e mëposhtme: Banim, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera dhe Veshje dhe këpucë për 0.4 %, Restorante dhe hotele për 0.3 %, Komunikim dhe Shëndet për 0.2 %, dhe Rekreacion dhe kulturë për 0.1 %. Kostoja e jetesës në grupën: Arsimi mbetet në të njëjtin nivel si muajin paraprak. Indeksi i çmimeve me pakicë në mars të vitit 2025 krahasuar me muajin shkurt të vitit 2025 është 99.1.

    Në ndërkohë, ndryshe nga të dhënat e ESHS-së, ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, është lavdëruar se masat e Ministrisë me të cilën udhëheq ai, po japin rezultat, ndërsa çmimet e produkteve ushqimore bazë janë në stabilizim dhe në rënie.

    “Në nivel vjetor në mars 2025 krahasuar me mars 2024, inflacioni i matur përmes kostos së jetesës është 2.7 për qind. Në vazhdimësi po punohet në masa për përmirësimin e standardit të qytetarëve dhe stabilizimin e çmimeve”, është shprehur ministri Durmishi. Qeveria, thotë ai, me propozim të Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës, mori vendim për kufizimin e marzhit bruto të fitimit të 102 grupeve të produkteve ushqimore bazë, si dhe vendim për përcaktimin e çmimeve më të larta të 8 grupeve të produkteve ushqimore bazë. Këto dy vendime kanë hyrë në fuqi më 20 shkurt dhe do të vlejnë deri më 30 prill 2025.

    “Vendimi për të kufizuar marzhin bruto të fitimit në tregtinë me shumicë dhe pakicë në 102 grupe produktesh ose mbi 1000 produkte ushqimore dhe joushqimore përfshin: 5% marzh fitimi bruto në bazën 8 produkte ushqimore qumësht, bukë, miell (lloji 400 dhe tip 500, vezë, vaj gatimi, kos dhe kos) 10% marzh fitimi bruto për produktet ushqimore, i cili përfshin një grup prej 55 produkteve ushqimore (mish dhe produkte mishi, sheqer, produkte qumështi, margarinë, gjalpë, perime dhe fruta të konservuara, fasule, oriz, makarona), 15% marzh fitimi bruto për 39 produkte ushqimore dhe produkte higjienike (fruta dhe perime të freskëta, detergjentë, ushqim për fëmijë, pelena, sapun, letër higjienike dhe të tjera. Po ashtu u ngrinë çmimet e 8 grupeve të produkteve ushqimore bazë : qumështi, buka, mielli (lloji 400 dhe tipi 500), vezët, vaji i gatimit, kosi etj”, qëndron në kumtesë.

    Qëllimi i këtyre masave, siç shprehet ministry Durmishi, është mbrojtja e standardit të qytetarëve, ulja e çmimeve të produkteve ushqimore bazë dhe stabilizimi i inflacionit, theksoi Durmishi. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    POLIC NË RMV, KAMERIER NË KROACI! / Eksod sezonal drejt bregdetit kroat

    Lajmi i rradhës

    Inspektim i jashtëzakonshëm në komunën e Tetovës për shtëpizën malore në Kodrën e Diellit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë