Qeveria e ardhshme në Berlin ndryshon kursin: më pak migracion nga Ballkani

    Qeveria e ardhshme në Berlin ndryshon kursin: më pak migracion nga Ballkani, rregulla më të ashpra për shtetësinë dhe kufijtë

    Në Gjermani është arritur një marrëveshje e re për formimin e qeverisë së ardhshme, nën drejtimin e kancelarit të pritshëm Friedrich Merz (CDU). Në qendër të kësaj marrëveshjeje janë politikat e reja të migracionit, kufizimi i ndjeshëm i Rregullores së Ballkanit Perëndimor dhe ndryshimet në ligjin për shtetësinë.

    Sipas kontratës qeverisëse, kuota vjetore për leje pune për qytetarët e Ballkanit Perëndimor do të përgjysmohet – nga 50.000që u vendos vitin e kaluar, në 25.000. Kjo prek drejtpërdrejt qytetarë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi dhe Serbia. Ekspertët argumentojnë se sistemi i migracionit duhet të bazohet më shumë në kualifikime profesionale sesa në origjinën gjeografike.

    Migracioni: Kontrolle dhe kthime

    Po ashtu, do të ashpërsohen rregullat për marrjen e shtetësisë gjermane: në të ardhmen, ajo nuk do të mund të merret më pas tre vitesh qëndrimi, por vetëm pas pesë vitesh. Masat përfshijnë gjithashtu ndalimin e bashkimeve familjare për disa kategori refugjatësh dhe përfundimin e pranimeve vullnetare, përfshirë për ata nga Afganistani.

    Kancelari i ardhshëm Friedrich Merz e përshkroi marrëveshjen si një “sinjal të fortë për Evropën”, duke shtuar se “Gjermania është në rrugën e duhur”, se “Evropa mund të mbështetet te Gjermania”, dhe – në drejtim të presidentit amerikan Donald Trump – se Gjermania do të përmbushë detyrimet në fushën e mbrojtjes dhe do të rrisë konkurrueshmërinë e saj.

    Përtej migracionit, marrëveshja parashikon masa për të ringjallur ekonominë gjermane pas tre vitesh recesion: ulje taksash për sipërmarrjet, përjashtim nga tatimi i orëve shtesë të punës dhe më shumë fleksibilitet për pensionistët që duan të punojnë.

    Ndërkohë, Ballkani Perëndimor mbetet në axhendën ndërkombëtare të Berlinit. Procesi i Berlinit do të vijojë si platformë për mbështetjen e vendeve të rajonit në rrugën drejt Bashkimit Evropian.  /DW/

    Lajmi Paraprak

    BDI dënon përpjekjet për tensione ndëretnike si mbulesë për dështimet e Mickoskit

    Lajmi i rradhës

    Shqetësim në Greqi për blerjet e pronave nga turqit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë