Komisioni Europian nuk është informuar për zgjedhjen e Bogojeskit në krye të AFAE-së

    Komisioni Evropian është i njoftuar me shqetësimet publike në lidhje me zgjedhjen e Petar Bogojeskit në krye të Agjencisë për Programet Evropiane për Arsim dhe Lëvizshmëri dhe do të flasë për këtë me ministren e Arsimit. Nga Komisioni Evropian për Alsat thonë se ata nuk kanë qenë të përfshirë në zgjedhjen e Bogojeskit dhe procesin e nominimin dhe nuk janë informuar akoma zyrtarisht për zgjedhjen e tij. Nga atje thonë se drejtori i këtij institucioni duhet të ndajë vlera evropiane.

    “Ne kemi marrë parasysh shqetësime të theksuara që lidhen me veprimet dhe qëndrimet e tij të mëparshme publike. Meqenëse presim që Drejtori i Agjencisë Nacionale që menaxhon një program kyç të BE-së të jetë në nivel të vlerave themelore të BE-së, që nënkupton respektim të dinjitetit dhe të drejtave të njeriut, lirinë, demokracinë, barazinë dhe sundimin e ligjit, presim që ta diskutojmë këtë çështje me Ministren e Arsimit”, thonë nga Komisioni Evropian.

    Komisioni Evropian nuk është informuar për zgjedhjen dhe Bogojeski nuk ka pranuar akoma zyrtarisht postin, por ai tashmë ka filluar dhe dërgon komunikata në emër të agjencisë, me vulë dhe numër arkivor të agjencisë.

    Ndërkohë në opinion, për pothuajse një javë, nuk kanë pushuar reagimet për shpërblimin me post nga qeveria të kësaj figure kontraverse.

    Rrjeti për mbrojtje nga diskriminimi ka bërë një koleksion të bollshëm të qëndrimeve publike të Bogojeskit, në press-konferenca dhe në rrjetet sociale. Ai fyen shpesh shqiptarët, por edhe gratë, personat me HIV dhe të komunitetit LGBT, personat që kanë qëndrime të ndryshme politike, duke përdorur shpesh edhe gjuhë të urrejtjes. Rrjeti për mbrojtje nga diskriminimi kërkon tërheqjen e vendimit nga ana e Ministrisë së Arsimit për shkak të përdorimit të gjuhës shqetësuese, fyerjeve dhe gjuhës së urrejtjes, si dhe veprime që janë në kundërshtim me vlerat evropiane. Ata i cilësojnë shqetësuese qëndrimet e funksionarëve, kryesisht ministres së Arsimit, se puna e drejtorit do të vlerësohet që tani e tutje.

    “Ne besojmë se emërimi i një personi i cili, me sjelljen e tij në mediat sociale, çdo ditë shkel mbi këto parime dhe përçmon njerëzit që i respektojnë ato, jo vetëm që është i pabazë, por edhe një fyerje ndaj Programit, i cili ekziston për më shumë se 35 vjet dhe i cili investon vazhdimisht në zhvillimin e të rinjve. Në të njëjtën kohë, jemi jashtëzakonisht të shqetësuar nga reagimi i Ministres së Arsimit, e cila pas reagimeve të disa palëve të interesuara në shoqëri, përfshirë edhe të Ministrit të Çështjeve Evropiane, deklaron se puna e tij do të ndiqet me një fokus më të madh. Qëndrime dhe mënyra të tilla komunikimi nuk kanë vend në diskursin publik, veçanërisht jo nga një zyrtar i emëruar” – Rrrjeti për mbrojtje nga diskriminimi.

    Bogojeski ishte paditur për gjuhë të urrejtjes ndaj shqiptarëve nga Koalicioni VLEN kurse më herët ishte paditur për gjuhë të urrejtjes dhe kërcënime nga më shumë organizata joqeveritare, si pasojë e të cilave kishte humbur edhe vendin e punës në Ministrinë e Mbrojtjes.

    Përfaqësuesit shqiptarë në qeveri kanë thënë se ndajnë shqetësimin për zgjedhjen e Bogojeskit, por, të paktën publikisht, nuk kanë kërkuar tërheqjen e tij.

    Lajmi Paraprak

    Shkelja e të drejtave nga institucionet publike – 2705 parashtresa ka pranuar Avokati i Popullit në 2024

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë