Në RMV merr fund “vrapimi” për lirime

    abstract blur in supermarket for background

    Pas diskutimeve të gjera dhe pritjeve për zbatimin e rregullave të reja, nga kjo e premte hynë në fuqi dispozita që kërkon publikimin e përditshëm të çmimeve të produkteve në faqet zyrtare të internetit të supermarketeve, farmacive dhe dyqaneve të pajisjeve elektroshtëpiake dhe mobilieve. Ky hap konkret, i cili rrjedh nga ndryshimet në Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit, synon të vendosë standarde të reja në mënyrën se si qytetarët informohen dhe bëjnë zgjedhje konsumatore. Në një kohë kur çmimet e produkteve bazë ndryshojnë me ritme të shpejta, konsumatorët më nuk do të kenë nevojë të krahasojnë fizikisht çmimet nga një treg në tjetrin. Tani, çdo individ do të ketë mundësinë të informohet lehtësisht nga shtëpia për çmimet aktuale në çdo pikë shitjeje, duke bërë të mundur një krahasim më të shpejtë dhe më racional për të kursyer para dhe kohë.

    KUSH JANË TË DETYRUAR DHE KUSH PËRJASHTOHET?

    Detyrimi për publikimin e çmimeve vlen për të gjithë shitësit me pakicë që klasifikohen si tregtarë të vegjël, të mesëm dhe të mëdhenj sipas Ligjit për Shoqëritë Tregtare. Kjo përfshin supermarketet, barnatoret, dyqanet e teknikës dhe mobiljeve që operojnë me një strukturë të konsoliduar biznesi. Përjashtim nga ky detyrim bëjnë mikrotregtarët dhe tregtarët individual, pra ata që kanë deri në 10 të punësuar dhe të ardhura bruto vjetore deri në 50,000 euro. Për këto subjekte të vogla, nuk ekziston obligimi ligjor për të publikuar çmimet online.

    Rregullorja e re e miratuar nga Ministria e Ekonomisë specifikon qartë se çdo tregtar i vogël, i mesëm apo i madh duhet të krijojë një seksion të veçantë në faqen e tij zyrtare të internetit, ku çmimet e të gjitha produkteve të disponueshme për shitje të jenë të qarta dhe lehtësisht të qasshme për publikun, pa nevojë për regjistrim. Çmimet që duhet të publikohen përfshijnë: çmimin aktual të shitjes, çmimin për njësi, çdo çmim promocional apo me zbritje, përqindjen dhe shumën e uljes, si dhe kohëzgjatjen e ofertës. Të gjitha këto të dhëna duhet të përditësohen çdo ditë, deri në orën 10:00 të mëngjesit. Në rast gabimi teknik të paqëllimshëm, tregtari ka një afat prej 24 orësh për të korrigjuar informacionin.

    MASA NDËSHKUESE PËR MOSRESPEKTIM

    Ligji parasheh edhe masa të rrepta për subjektet që nuk i përmbahen kërkesave. Përveç gjobave që sillen nga 500 deri në 10.000 euro në varësi të madhësisë së subjektit tregtar, është paraparë edhe një sanksion më i rëndë, si mbyllja e përkohshme e njësisë tregtare deri në 15 ditë. Kjo është një përpjekje për ta bërë sa më efektiv zbatimin dhe për të shmangur praktikat e fshehjes së çmimeve apo mashtrimeve të mundshme.

    Nga ana tjetër, sipas autoriteteve, zbatimi i kësaj mase do të sjellë më shumë konkurrencë në treg, çka pritet të ndikojë edhe në uljen e çmimeve në periudhë afatmesme. Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Punës, Marjan Risteski, ka theksuar se ky është një model që bazohet në përvojën pozitive të disa shteteve evropiane si Izraeli, Italia dhe Kroacia, ku sistemi i publikimit të çmimeve ka ndihmuar në stabilizimin e çmimeve dhe përmirësimin e kulturës së konsumit. Risteski gjithashtu ka njoftuar për funksionimin aktiv të Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës, i cili po monitoron marrëdhëniet mes furnitorëve dhe shitësve me pakicë e shumicë, duke kontribuar në eliminimin e praktikave të padrejta në zinxhirin tregtar. Masa për kufizimin e marzhit bruto të fitimit, e zbatuar gjatë festave të fundvitit, ka treguar rezultate pozitive me një deflacion prej 1.3 për qind dhe një ulje të përgjithshme të çmimeve të produkteve bazë për rreth 3 për qind.

    Ndryshe, zbatimi i këtij sistemi përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt një tregu më të drejtë dhe më të ndershëm. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse këto masa do të jenë të mjaftueshme për të ndikuar realisht në uljen e çmimeve dhe për të mbrojtur konsumatorin nga spekulimet. Monitorimi dhe zbatimi i qëndrueshëm do të jenë thelbësorë për suksesin afatgjatë të këtij sistemi. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    40% e kuadrove me arsim të lartë migruan! Pesimistët ikën, mbetën vetëm optimistët

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë