Përsëri temat etnike kanë dominuar në Kuvend, në seancën për pyetje deputetësh. Deputeti i Frontit Europian, Blerim Bexheti, kërkoi llogari për vonesat në miratimin e Ligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, duke akuzuar qeverinë për tallje dhe mungesë serioziteti. Bexheti, në mungesë të ministrit të administratës, kërkoi nga kryeministri informacion se deri ku është situata me Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, të cilën e ka paralajmëruar partneri shqiptarë në qeveri, koalicioni VLEN.
“Të tregoni njëherë e përgjithmonë, pasi qeveria ka një plan, në cilin muaj. U lodhën Izet Mexhiti dhe Arben Fetai duke thënë këto dy javë, këto dy javë, është bërë si çështje humori, herë këtë të enjte e herë atë të enjte, kjo puna e ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Personat publik duhet të mbahen për fjale. Realisht po talleni me këtë pjesë të marrëveshjes së Ohrit”, theksoi Bexheti.
Ligji është gati por po shqyrtohet nëse i njëjti është në përputhje me Kushtetutën, tha në përgjigjen e tij për pyetjen e parë kryeministri, Hristijan Mickoski. Ndërkohë, Mickoski tha se BDI lëshon deklarata hipokrite sa i përket Balancuesit, pasi që heqja e mekanizmit të Balancuesit ka qenë kërkesë e ish-qeverisë LSDM-BDI.
“Përfaqësuesit e Gjykatës Kushtetuese, të zgjedhur me shumicë nga qeveria ku ju bënit pjesë, me rekomandimin tuaj, e shfuqizoi Balancuesin. Duhet ta dijë opinioni, domethënë Gjykata Kushtetuese, gjykatësit kushtetues janë zgjedhur në kohën kur opozita e sotme, ulej në këtë anë dhe ishte pushtet. Qeveria, ku bënte pjesë LSDM dhe BDI, mori vendim dhe i rekomandoi Gjykatës Kushtetuese se Balancuesit i ka kaluar koha. E tani rreth ligjit, ligji është gati që nga viti i kaluar, para 6 muajve, por për dallim prej kohës kur ju ishit ministër i Drejtësisë, tani ligjet duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën, që mos të na ndodhë sërish të bien në Gjykatën Kushtetuese”, tha Mickoski.
Në pyetjen e dytë Bexheti i kërkoi kryeministrit Mickoski përgjigje nëse do të kërkojë falje për sjelljen, sipas Bexhetit, arrogante të kryeministrit Mickoski ndaj shqiptarëve, duke iu referuar deklaratës së kryeministrit Mickoski se do ti ngrejë për veshi të gjithë funksionarët e BDI-së. “Sot a ke guximin dhe përkrahjen t’ju kërkosh falje shqiptarëve me gjithë këtë sjellje arrogante ne cilësinë e kryeministrit që po e bëni. Mos e gënjeni veten se e shqetësoni dikë e frikëson dikë”, tha Bexheti
Në përgjigjen e tij, kryeministri Mickoski tha se nëse duhet tu kërkojë falje shqiptarëve, do tu kërkojë vetëm për atë se nuk e ka dërguar BDI-në më herët në opozitë, ndërsa tha se punon për të gjithë njësoj. “Në mënyrë të barabartë, mendoj për shqiptarët, për maqedonasit, për serbët, për turqit, për boshnjakët, për romët – për çdo qytetar, në mënyrë të barabartë mendoj, dhe shumë më tepër sesa ç’mendoni ju për shqiptarët. Unë mendoj për shqiptarët sepse nuk e humbas kohën time si kryeministër duke luajtur futboll e basketboll në zyrë, por realizoj projekte – bulevarde të reja.”, ka deklaruar Mickoski.
Ndërkohë, kryeministri u përball edhe me pyetje nga opozita maqedonase. Deputeti i LSDM-së, Mitko Trajçuleski, në seancën e sotme parlamentare të dedikuar për pyetje deputetësh, drejtoi një pyetje për kryeministrin Hristijan Mickoski, e cila kishte të bënte me tragjedinë e tmerrshme në Koçan, që mori 62 jetë të të rinjve dhe la mbi 100 të plagosur, dhe për të cilën, sipas tij, po zhvillohet një hetim selektiv dhe po mbrohen funksionarë aktualë.
“Pas më shumë se një muaji, mund të konkludojmë qartë se tek funksionarët më të lartë qeveritarë nuk ekziston një vertikale morale, se nuk ekziston ndjenjë e përgjegjësisë morale, dhe për këtë arsye sot nuk kemi asnjë dorëheqje për arsye morale. Kjo është dëshpëruese për një qeveri pas një aksidenti të këtyre përmasave dhe me një numër kaq të madh të jetëve të humbura. Por për moralin nuk diskutohet, ose e ke, ose nuk e ke. Përfundimi i dytë është se po udhëhiqet një hetim selektiv, i cili në thelb ka për qëllim të mbrojë bartësit aktualë të pozicioneve të larta në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Inspektoratin Shtetëror të Tregut dhe institucione të tjera nga përgjegjësia e tyre”, theksoi Trajçulevski, i cili pyeti Mickoskin nëse zbehja tendencioze e hetimit synon të pengojë drejtësinë dhe të mbrojë zyrtarët aktualë që janë drejtpërdrejt përgjegjës për shkaqet imediate të zjarrit.
Hetimin për aksidentin në Koçan e udhëheq Prokuroria dhe jo Qeveria, dhe pikërisht Prokuroria vendos se kush do të përfshihet në hetim, theksoi kryeministri Hristijan Mickoski në përgjigjen e tij drejtuar deputetit të LSDM-së, Mitko Trajçulevski, duke sqaruar se aktualisht janë përfshirë 68 persona, mes tyre edhe funksionarë aktualë, gjë që sipas tij ka qenë një mision i pamundur në kohën e LSDM-së.
“Nuk kam menduar se mund të bini kaq poshtë dhe ende të përpiqeni të ngjiteni mbi valën e një tragjedie kolektive që e goditi shtetin. Grupi parlamentar i LSDM-së është ndër të fundit që ka të drejtë të flasë për moral. Sa i përket dorëheqjeve, për pesë muaj nga tani nis fushata për zgjedhjet lokale dhe qytetarët do të tregojnë se kujt do t’i përfundojë karriera politike, kujt do t’i vazhdojë dhe në çfarë forme. Qytetarët do të thonë fjalën e tyre. Ju që luani me harresën e shkurtër dhe që vazhdimisht i keni fyer qytetarët duke menduar se do të fitoni pikë politike – këshilla ime është se nuk do të fitoni, por do të humbni”, deklaroi Mickoski në përgjigje ndaj pyetjes së deputetit Mitko Trajçulevski.
Kryeministri Mickoski i sqaroi deputetit se hetimin e udhëheq Prokuroria dhe ajo vendos se kush duhet të arrestohet, jo Qeveria.
“Le t’ju tregojnë bashkëpartiakët tuaj për spitalin modular, për Laskarcin dhe për Besa Trans – sa ishin të përfshirë në hetim dhe sa kallëzime penale u dorëzuan në atë kohë. Nëse nuk ju tregojnë ata, së shpejti do të ketë debat në Kuvend dhe do t’i dëgjoni nga kolegët e tjerë deputetë arsyet, kush, pse dhe si. Hetimin për Koçanin e udhëheq prokurori publik, jo unë, jo Qeveria. Nëse prokurori publik vendos që mua duhet të më arrestojnë – le të më arrestojnë. Shtatë vite na mbyllët, na arrestuat dhe deri më sot VMRO-DPMNE është nën ndjekje nga prokurorët që u zgjodhën në kohën e LSDM-së. Ne e përballuam, dhe burgu është për burra, në rastin tonë edhe për gra. Deri tani 68 persona janë përfshirë në hetim nga prokurori publik, nga prokuroria dhe të gjitha institucionet kompetente. Ndryshe nga rasti i spitalit modular, Llaskarës dhe Besa Trans ku vdiqën 75 bashkëqytetarë tanë – atje kishte zero. Këtu ka 68 persona. Nëse do të jenë 168 – këtë do ta thotë prokuroria, jo unë, jo ministri i Brendshëm, por prokuroria bashkë me gjykatën”, theksoi kryeministri Mickoski. /Koha/