Gjashtë vite më parë ekspertët konstatuan se ndërmarrjet publike në Maqedoni nevojitet të rrisin llogaridhënien e punës së tyre, të ulin ndikimin e fuqishëm politik, të vendosin sistemin e meritave në punën e tyre, të vendosin masat antikorrupsion, si dhe të vendosin interesin publik para interesit privat. Kjo ndër të tjerash u theksua në debatin “Puna financiare e ndërmarrjeve shtetërore nën llupë”, e organizuar nga Qendra për komunikime qytetare, Shoqata Konekt me mbështetje të BE-së. Me kalimin e kohës, pak gjëra kanë ndryshuar në funksionimin e tyre.
Ekonomistët thonë se shteti është pronar i keq i biznesit, kemi ndërmarrje publike që janë themeluar por nuk duhen, ka mbipunësime në disa prej tyre, dhe çdo vit kur ndryshojnë strukturat politike, janë ndërmarrjet publike që janë të parat që përballen me presionin politik për punësime të reja. Shtojnë se është e vështirë të gjesh staf cilësor apo një administratë publike të përgatitur mirë, ku ndër vite kemi një strukturë të dobët drejtuese që ndryshon shpesh dhe kjo ndikon drejtpërdrejt në të gjithë strukturën e kompanisë, ose ndaj punës joprofesionale.
Aktualisht, më shumë se 16 milionë euro borxhe janë obligimet e ndërmarrjeve komunale në vetëm 23 komuna në vend, nga të cilat organizata që përfaqëson komunat apo Bashkësia e Njësive të Vetëqeverisjes Lokale ka arritur të mbledhë të dhëna. Faturimi i ulët, rryma e shtrenjtë dhe borxhet ndaj shtetit po i mbytin kompanitë e shërbimeve.
Puna e tepërt, joefikasiteti dhe mungesa e kontrollit në menaxhim – kështu funksionojnë ndërmarrjet publike dhe një kornizë e fortë për kontroll, llogaridhënie dhe monitorim do ta zgjidhë pjesërisht problemin. Gjithashtu, këto probleme nuk janë të reja dhe po përshkallëzohen prej disa vitesh.
Kështu e përshkruan profesor Borçe Trenovski gjendjen me ndërmarrjet shtetërore.
“Gati 60 për qind e këtyre kompanive nuk i publikojnë çmimet për shërbimet e tyre dhe as nuk dihet se si funksionojnë organet e tyre mbikëqyrëse. Bile nuk mund të gjesh të dhëna për mënyrën se si funksionojnë organet e tyre mbikëqyrëse. Pra jo efikasitetin dhe jo kontrollin në menaxhimin e ndërmarrjeve publike në veçanti. Ka edhe mbipunësime dhe një informacion që mbi 50 për qind kanë rezultat negativ financiar”, shton ai.
Nga ana tjetër, Kryetari i Komisionit Rregullativ të Energjisë (KRE), Marko Bislimovski, ka kritikuar ashpër mënyrën e funksionimit të ndërmarrjeve publike, duke theksuar se është e nevojshme reforma sistemore dhe qasja ekonomike në punën e tyre.
“Drejtorët e ndërmarrjeve publike më në fund duhet të ndahen nga ndikimi politik dhe t’u jepet mundësia të menaxhojnë sipas kritereve ekonomike e jo politike. Njëherësh praktika e kahershme e fshehjes së humbjeve financiare dhe mbulimit të borxheve nga komunat ka sjellë dobësi serioze sistematike. Këto kompani kanë vite që kanë probleme. Para se të krijohej KRE, shumë prej tyre funksiononin sipas vendimeve të marra në vitet 1990. Humbjet e ujit arrijnë deri në 64% dhe në disa vende edhe 75%. Këto janë shifra alarmante për një vend që ka një bollëk të ujit të pijshëm”, vuri në dukje ai.
Bislimovski paralajmëroi se nëse nuk bëhet ndryshim në koncept dhe nuk vendoset një sistem i qëndrueshëm, ndërmarrjet publike do të bien sërish në të njëjtin cikël borxhesh dhe krizash.
Nga ana tjetër, organizata Transparensi Interneshënël – Maqedoni sugjeron që Qeveria të krijojë një njësi të centralizuar koordinuese me rolin e koordinimit të punës së ndërmarrjeve publike. Qeveria duhet të krijojë një platformë të centralizuar për të publikuar informacione rreth funksionimit të NP-ve (struktura e menaxhimit, numri i punonjësve, pasqyrat financiare, etj.) për të përmirësuar transparencën e tyre. Qeveria duhet të krijojë një kod të korporatës për të gjitha NP-të dhe një njësi e centralizuar koordinuese duhet të mbikëqyrë zbatimin e tij.
Qeveria duhet të ndryshojë ligjin për NP-të, të vendosë sanksione dhe masa në rastet kur zbulohen parregullsi financiare dhe sjellje të papërshtatshme. Përgjegjësia financiare e NP-ve duhet të përmirësohet me një mekanizëm raportues më transparent që do të krijohet nga Ministria e Financave. Ky mekanizëm duhet të përfshijë raporte vjetore mbi aktivitetet e NP-së, të cilat i dorëzohen autoriteteve kompetente dhe janë të disponueshme publikisht në faqet e internetit të NP-së.
Të gjitha NP-të duhet të zhvillojnë dhe publikojnë dokumente të brendshme për parandalimin e korrupsionit dhe integritetit, dhe kjo përfshin një kod sjelljeje dhe një politikë integriteti me masa për të parandaluar konfliktet e interesit, marrjen e dhuratave, sjelljen e papërshtatshme, etj. /Koha/