Xhemazije Rizvani
Në një atmosferë të mbushur me emocion dhe mall të pashuar, miq, familjarë, bashkëpunëtorë dhe adhurues të fjalës së shkruar u mblodhën për të kujtuar poeten Lindita Ahmeti, në njëvjetorin e ndarjes së saj nga jeta. Mbrëmja përkujtimore, e organizuar pikërisht më 26 prill, në ditën e lindjes së saj, solli një dimension të veçantë emocioni dhe përkushtimi ndaj veprës së saj poetike.
Ngjarja nisi me evokime kujtimesh nga dy mikeshat e poetes prof. Vjollcë Berisha dhe Xhemazije Rizvani, të cilat ndanë me të pranishmit kujtime dhe falënderime për mbështetjen dhe dashurinë e treguar ndaj poetes.
Atmosfera u begatua më tej me leximin e poezive të Linditës, të interpretuara nga aktorë dhe poetë të njohur, të cilët sollën para publikut bukurinë dhe ndjeshmërinë e vargjeve të saj.
Pas leximeve poetike, studiues të letërsisë, shkrimtarë dhe miq të poetes mbajtën fjalime reflektuese, duke ndriçuar rrugëtimin e saj krijues dhe rëndësinë që ajo pati në letrat shqipe. Një ndër momentet më prekëse të mbrëmjes ishte shfaqja e një video-montazhi me kujtime, fotografi dhe pikëpamje të Linditës mbi Kanunin, miqësinë, leximin, shkrimin, letërsinë, shoqëruar me fragmente poetike që dëshmonin thellësinë e mendimit të saj artistik.
Pjesë e programit ishte edhe interpretimi muzikor me flautë nga Argjira Qollaku dhe kitarrë Dukagjin Ismaili, të cilët u harmonizuan bukur me botën poetike të Lindita Ahmetit, duke i dhënë mbrëmjes një ritëm të ndjerë e të natyrshëm.
Mbrëmja përkujtimore për Lindita Ahmetin ishte një dëshmi e qartë se fjala poetike është më e fortë se koha, dhe se shpirtrat e mëdhenj vazhdojnë të jetojnë përgjithmonë në kujtesën tonë. Poezia me elemente autobiografike ” Në boshllëkun e trungut” u recitua nga aktorja dhe dtejtoresha e Teatrit Shqiptar për Fëmijë e të Rinj Xaka Jonuzi Çeliku- poezi – në boshllëkun e trungut. Për krijimtarinë artistike foli Akademik Ali Aliu. Aktori Genci Mirzo interoretoi poezinë e ndjerë ” Udhëtimi i babait në këngën e vjeshtës. Profesori dhe kushëriri i Linditës Agim Leka evokoi kujtime nga fëmijëria e poetes.
E pranishme qe edhe studiuesja Donika Dabishevci, që udhëheq me Shtëpinë Botuese ” Littera” dhe portalin mbarëkombëtar ” ObserverKult”. Ajo tha se përveç aspektit studimor që i ka kushtuar veprës së Lindita Ahmetit dhe mbrëmjes homazh në Prishtinë së shpejti do përgatisin dhe botimin e veprës së plotë në një format të dinjitetshëm për poeten e ndjerë.
Dirigjentja Agona Çupi tecitoi poezinë ” Zbrazëtia”. Lulzim Haziri miku i ngushtë i poetes evokoi kujtime dhe njëkohësisht përgatiti afishen e mbrëmjes me të cilin u lajmërua publiku paraprakisht.
Profesori e miku Salajdin Salihu me ndjeshmëri bëri krahasime poetike mes poetes e disa asociacioneve letrare. Kënga ” Mall” me tekst nga Ismail Kadare e porositur nga Lindita për “Shkupi Lexon” që është mbajtur para katër vitesh u risoll sërish nga sopranoja e mikja Besarta Murtezani
Prof. Valdeta Dulahu recitoi poezinë ” Shtëpia kuq, shtëpia zi. Shkrimtari Kim Mehmeti foli ngrohtë duke ngushëlluat familjarët. Poezi interpretoi edhe aktori i njohur Adem Karaga.
Studieusja e profesoresha Kaltrina Sadiku shpalosi studimet e saja të thelluara mbi veprën e Lindita Ahmetit ndërsa hyrjen e librit ” Nga mështeknaja e babait me mallëngjim” e solli të interpretuar me shumë ndjeshmëri aktorja Drita Kaba Karaga.
Prof. Merita Abazi për fund tregoi për kohën kur Lindita ishte nxënëse dhe recitoi një poezi që ia kishte kushtuar asaj.
Prof. Xhabiri, babai i Lindita Ahmetit doli me mbesën e tij Arbën dhe i falenderoi të pranishmit me shumë emocion, mirënjohës që Lindita la pas vetes kaq miq dhe njerëz që e vlerësojnë krijimtarinë e bijës së tij.
Të pranishëm ishin intelektualë të shquar si, shkrimtari Fejzi Bojku, ish rektori Aziz Pollozhani, shkrimtarja Lira Bojku, gazetari Daut Dauti, zonja Sermine Purini që e mbështeti Lindita Ahmetin në organizimin e mbrëmjeve ” Shkupi lexon” sa ishte drejtoreshë QIK-ut, si edhe shume emra tjerë.
Mbrëmjes iu bashkëngjit fotografi Osman Demiri, gazetari Emir Hamzi me portalin Nistori dhe TV Alsat.