Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese për të shfuqizuar akreditimin e medresesë “Isa Beu” ka nxitur reagime të forta në skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, duke hapur një debat të ashpër ndërmjet opozitës shqiptare Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) dhe koalicionit qeveritar VLEN, përcjell Nistori.
VLEN e ka cilësuar këtë vendim si një goditje për të gjithë shqiptarët që janë mashtruar nga premtimet boshe të BDI-së dhe nga, siç thonë ata, heshtja bashkëpunuese e Bashkësisë Fetare Islame (BFI).
“Sot doli e vërteta në shesh se medreseja nuk është akredituar kurrë në mënyrë të ligjshme dhe se BDI vetëm e përdori nëpër fushata, siç përdor çdo simbol, çdo ndjenjë, çdo nevojë të shqiptarëve për t’i mashtruar,” deklarojnë nga VLEN.
Ata e konsiderojnë vendimin si një dështim personal të Ali Ahmetit dhe të “klikës së tij”, të cilët sipas tyre, kanë luajtur me ndjenjat fetare të shqiptarëve për përfitime politike.
VLEN i kujton opinionit disa prej premtimeve të parealizuara nga BDI:
- Fabrika për makina elektrike, që nuk u ndërtua kurrë;
- Korridoret 8 dhe 10D, që mbetën vetëm në letra;
- Rruga Shkup-Bllacë, e premtuar dhjetëra herë;
- One Stop Shop-i me Kosovën, që sipas tyre, ka mbetur vetëm në sirtarët e propagandës.
Sipas VLEN, “BDI funksionon përmes propagandës, fotografive dhe mashtrimeve, duke mos zgjidhur asnjë çështje shqiptare në mënyrë ligjore dhe kushtetuese.”
VLEN përfundon duke theksuar se medreseja “Isa Beu” nuk do të lejohet më të përdoret për, siç thonë ata, lojëra të ndyra politike, dhe se ata po punojnë për një zgjidhje të qëndrueshme dhe larg manipulimeve të së kaluarës.
Në anën tjetër, BDI ka reaguar ashpër kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke e quajtur atë politik dhe antikushtetues. Sipas tyre, vendimi ndalon Bashkësinë Fetare Islame nga organizimi i arsimit të mesëm, duke mohojnë të drejtën për arsim të mijëra të rinjve shqiptarë që dëshirojnë të ndjekin arsim sipas bindjeve të tyre fetare dhe identitetit.
“Ky është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj lirisë fetare, ndaj dinjitetit të komunitetit mysliman dhe ndaj një të drejte që u fitua si korrigjim i një padrejtësie historike gjatë qeverisjes sonë”, deklarojnë nga BDI.
Ata kritikojnë edhe heshtjen e përfaqësuesve shqiptarë në qeveri, të cilët sipas tyre, nuk protestojnë, nuk japin dorëheqje dhe nuk mbrojnë qytetarët, por “mbrojnë karriget dhe shefat e tyre”. BDI thotë se nuk do të lejojë që “fitoret historike të zhbëhen nga ata që sot shiten për një vend pune, një privilegj apo një telefonatë urdhëruese”.
“Ne do të jemi zëri i çdo nxënësi që sot ndjehet i përjashtuar, i çdo prindi që sheh të rrezikohet e ardhmja e fëmijës së tij,” thuhet më tej në reagimin e BDI-së.
Partia u bën thirrje opinionit vendor e ndërkombëtar, komunitetit fetar, shoqërisë civile dhe çdo qytetari me ndërgjegje që të reagojnë, pasi “heshtja sot do të thotë bashkëpunim me padrejtësinë”. /Nistori/