Daim Ilazi
Publicist
Selim Ramadani ishte artisti i parë tetovar i diplomuar në Akademinë e Artit Dramatik në Prishtinë. Me një talent të rrallë, ai ishte njeri me kritere, me parime, dhe dinte të dallonte çfarë ishte vlerë e çfarë antivlerë. Selimi kishte një bosht kurrizor të drejtë e të patundur. Kishte një pamje zotërie, dhe rrezatonte fisnikëri e altruizëm, si nga jashtë ashtu edhe nga brenda.
Në Teatrin e Prishtinës luajti shumë role përkrah artistëve të mëdhenj si Melihate Qena, Kumrije Hoxha, Safete Rogova, Çun Lajçi, Lumnije Mikullovci e të tjerë.
Më kujtohet që u njohëm në vitet 1972-73, kur isha në vitin e tretë në Gjimnazin e Tetovës. Atëherë, në kuadër të Shoqërisë Kulturore-Artistike “Xheladin Zeqiri” në Tetovë, ishte formuar edhe departamenti i dramës, ku ishim regjistruar disa prej nesh – nxënës, studentë, arsimtarë – me pasion e entuziazëm për artin dramatik. Herë pas here, vinin edhe regjisorë nga Prishtina për të përgatitur shfaqjet.
Më kujtohet kur një regjisor amator nga Tetova, Enver Shala, që na ushtronte dramën Cuca e maleve për rreth dy muaj, na njoftoi se javën e ardhshme do të vinte një aktor tetovar që luante në Teatrin e Kosovës në Prishtinë. Ne kërcyem nga gëzimi që do të na ushtronte një aktor profesionist!
Ai ishte Selim Ramadani – një djalë i ri, 29-vjeçar, plot energji. Ishte luan në skenë, me lëvizje të shpejta dhe dikcion të shkëlqyer. E mbaj mend se shpesh na kthente një fjali ta përsërisnim nga pesë herë; për lëvizjet skenike, nga shtatë a tetë herë – dhe në fund të provave ishim qull, të djersitur nga puna. Por falë përkushtimit të tij – ai vinte çdo të shtunë vullnetarisht, pa pagesë, dhe madje na sillte lëngje e pije freskuese – pas dy muajve punë intensive, kur morëm pjesë në Festivalin e Dramës në nivel republikan në Manastir, fituam çmimin e dytë.
Publiku në Manastir mbeti i habitur – në Shtëpinë e Kulturës, nga dhjetë shoqëri pjesëmarrëse, të gjitha maqedonase, vetëm ne ishim shqiptarë nga Tetova, dhe morëm vendin e dytë. Ky sukses erdhi si rezultat i angazhimit të palodhur të aktorit profesionist tetovar Selim Ramadani.
Selimi kishte zemër të madhe, shpirt artisti dhe shpirt poetik. Por vdekja e ndau nga jeta në lulëzim të rinisë, në moshën 30-vjeçare. Mendoj se, po të kishte jetuar gjatë, me atë talent të jashtëzakonshëm, profesionalizëm dhe energji titanike, ndoshta edhe Tetova do të kishte një Bekim Fehmiu të dytë.
Ai kishte edhe talent për poezi. Pas vdekjes së tij, motra e tij, profesoresha Hasije Ramadani, për fat të mirë kishte mbledhur shumë poezi e tregime të Selimit dhe i botoi në një libër, i cili u promovua vitin e kaluar në Pallatin e Kulturës në Tetovë, para një publiku elitar – poetë, artistë, intelektualë dhe kolegë të tij nga Teatri i Prishtinës. Libri titullohej Një melodi e këputur.
Në këtë rast, Prof. Dr. Agim Vinca dhe unë, si kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve “Oeneum” të Tetovës, propozuam që Teatri i Tetovës të mbajë emrin e Selim Ramadanit – artisti i parë i diplomuar në Akademinë e Artit Dramatik në Prishtinë – dhe që një rrugë e qytetit të Tetovës të mbajë emrin e tij.
Ky artist i dha Tetovës një imazh modern, një frymë evropiane – dhe u shua si një meteor.
*Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori.