Studentët në Ballkanin Perëndimor kërkojnë njësimin e diplomave universitare

    Pavarësisht se janë nga shtete të ndryshme, studentët e rajonit përballen me probleme të ngjashme. Për të folur për to dhe për të kërkuar zgjidhje për sfidat që kanë përpara, të rinjtë u mblodhën në Shkup në Forumin e Dytë Studentor. Studentë të Maqedonisë, Shqipërisë, Kosovës dhe Serbisë nënshkruan një deklaratë të përbashkët, e cila siç tregoi Blendi Hodai nga Forumi për Ndryshime në Arsim, ka për qëllim të bëjë një lloj presioni për përshpejtimin e procedurës së njësimit të diplomave të universiteteve nga Ballkani Perëndimor që është në kuadër të Procesit të Berlinit.

    “Më pas do të votohet edhe rezoluta studentore kur ndër pikat e rëndësishme është që kërkojmë nga institucionet e arsimit në Maqedoni që të krijohet një fond i pavarur investues për në arsim, që do të investohet jo vetëm nga MASh por edhe nga sponsorë të tjerë dhe do të lejojë një lloj barazie më të gjerë të aspektit financiar të universiteteve dhe arsimit të lartë në vend”, u shpreh Blendi Hodai, nga FECH.

    Ajo që theksuan përfaqësues të organizatave studentore të shteteve të rajonit është rëndësia që ata të qëndrojnë të lidhur mes vete dhe bashkërisht të veprojnë si për përmirësimin e cilësisë në arsimin e lartë, por edhe luftën ndaj korrupsionit dhe jotransparencës.

    “Ideja jonë është që bashkërisht që jo vetëm të shpërndajmë ide të ndryshme, jo vetëm të ndërlidhemi në asketin kulturor, por edhe të vazhdojmë për përmirësimin për nivelin e arsimit të lartë dhe jo vetëm. Bashkimi besoj që na sjell jo vetëm fuqi ndërmjet organizatave por edhe ndërmjet shteteve tona”, tha Adriatik Llugiqi, drejtor eksekutiv “United Youth Task Force” – Kosovë.

    “Ajo që është e rëndësishme, që tani po ndodh në Serbi, është një energji e re, që studentët kanë ndërmarrë në një farë mënyre ta udhëheqin popullin, që shteti të udhëhiqet ashtu siç duhet udhëhequr dhe më pëlqen që ajo energji përcillet edhe në shtetet e tjera në rajon dhe Europë”, u shpreh Lazar Begoviq, kryetar i Institutit për Aktivizëm Rinor dhe Diversitet – Serbi

    “Duke e ditur që studentët, jeta studentore ka shumë probleme bën vazhdimësi, iniciativa të këtilla tregojnë se studentët janë gjithmonë aty për të treguar se si gjërat që ne i marrim arbitrare në jetën e përditshme, në fakt janë shumë të brishta dhe se si ne mund t’u kundërvihemi gjithmonë atyre për ta bërë jetën tonë dhe jetën e gjithë komunitetit më të mirë”, tha Jon Kola, Rezistenca Qytetare – Shqipëri.

    Ky ishte Forumi i Dytë Studentor, që u mbajt në dy ditë të ndryshme, me folës të ndryshëm, që diskutuan për tematika që prekin kryesisht të rinjtë. Edicioni i këtij viti u mbajt nën sloganin “Çohu. Ngrihu. Për të drejtat tona. Për njëri-tjetrin. Për të ardhmen që meritojmë”. /TV21/

    Lajmi Paraprak

    Prindërit e fëmijëve me aftësi ndryshe në RMV kërkojnë statusin prind-kujdestar

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë