Virtytet e artit ideologjik

    Nga: Ross Douthat / The New York Times
    Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com

    Çfarë është arti i suksesshëm i djathtë? Disa javë më parë, në podkastin tim ia shtrova këtë pyetje Jonathan Keepermanit, i cili drejton shtëpinë botuese të ekstremit të djathtë, Passage Press, dhe mund të kuptosh se është një pyetje e ndërlikuar, sepse ai dha dy përgjigje, duke ofruar një përgjigje gjatë bisedës sonë dhe një tjetër të rishikuar në një postim pasues në Substack-un e tij [platformë e shkrimtarëve dhe gazetarëve].

    Në përgjigjen e parë ai sugjeroi që duhet ta kuptojmë “artin e krahut të djathtë” si çdo art që rrëfen të vërtetën e plotë për botën, duke qenë i lirë nga kufizimet ideologjike dhe leximet analitike të imponuara nga progresivizmi bashkëkohor. Për mua kjo dukej si një qasje e duhur – realiteti ka prirje të njohur konservatore, prandaj çdo art që tregon të vërtetën është në vetvete i djathtë – dhe ai në mënyrë të heshtur e pranoi këtë në postimin që bëri më pas; atje ai sugjeroi se vetë koncepti i “artit të djathtë” mund të jetë një gabim kategorik, pasi arti nuk mund të kufizohet nga politika dhe detyra e artistit është të tregojë të vërtetën dhe të lërë implikimet politike të merren me veten.

    Përgjigja e dytë është më interesante për krijuesit dhe kritikët, por as ajo nuk është plotësisht e kënaqshme. Sigurisht që ajo nuk e zgjidh tensionin e brendshëm në vetë projektin botues të Keepermanit, i cili përpiqet të largohet nga propaganda që shpesh e karakterizon kulturën e djathtë në Amerikën moderne (mendoni për dokumentarët e bërë nga Dinesh D’Souza dhe për filmat me mesazh të krishterë), ndërkohë që njëkohësisht merret me idenë se ekziston një vlerë e veçantë estetike në territorin e ndaluar të prozës së djathtë ekstreme, mes shkrimtarëve (nga H.P. Lovecraft deri te Curtis Yarvin) që konsiderohen të rrezikshëm për shkak të racizmit, seksizmit apo autoritarizmit të tyre.

    I njëjti tension shfaqet në përpjekjet më të moderuara për të rregulluar marrëdhënien e dëmtuar të konservatorizmit me format më të larta të kulturës. Në librin e tij të ri, Trembëdhjetë romane që konservatorët do t’i duan (por ndoshta nuk i kanë lexuar) – [13 Novels Conservatives Will Love (but Probably Haven’t Read)] – Christopher Scalia përpiqet me qëllim të edukojë lexuesit konservatorë drejt një vlerësimi më të thellë të kulturës letrare – për të shtuar më shumë letërsi artistike në krahasim me veprat e teorisë politike dhe historisë që preferohen nga shumë lexues të djathtë, dhe për të zgjeruar listën e zakonshme të romancierëve të dashur nga konservatorët, përtej Kryezotit të unazave [The Lord of the Rings], Revoltës së Atlasit [Atlas Shrugged] dhe ndoshta Përsëri në Brajds’hed [Brideshead Revisited].

    Kështu, ai është i vetëdijshëm për rrezikun e instrumentalizimit të veprave që ai promovon, dhe për këtë arsye ai paralajmëron se “çdo artist që e ngre pikëpamjen personale politike mbi teknikën dhe elementët e zanatit të vet, ai krijon propagandë, jo art”. Por, përsëri i nxit njerëzit të lexojnë [shkrimtarët] Nathaniel Hawthorne, Walter Scott dhe P.D. James, sepse ata shquhen për një këndvështrim të veçantë filozofik – ose ideologjik – mbi botën, jo thjesht për hir të mjeshtërisë së tyre artistike. Kjo e lë të hapur pyetjen nëse motivimet e vetëdijshme filozofike ose ideologjike mund të krijojnë vetë vlerë të veçantë artistike, në vend që të përfundojnë në mënyrë të pashmangshme në propagandë.

    Mendoj se përgjigjja duhet të jetë po – se konceptet e “artit të suksesshëm të djathtë” dhe “artit të suksesshëm të majtë” janë të dyja përshkrime domethënëse, jo thjesht gabime kategorike apo justifikime për propagandë, për aq kohë sa të dy këndvështrimet, “i djathtë” dhe “i majtë” për botën, kapin aspekte të realitetit që mund të paraqiten në një mënyrë që nuk është propagandistike.

    Pra, kur flasim për art të suksesshëm të djathtë, flasim për art që përcjell ndonjë aspekt të realitetit konservator që është i njohshëm dhe, megjithatë, gjithashtu i njohshëm edhe për një lexues të majtë si i vërtetë për jetën.

    Për të huazuar këtu një shembull nga libri i Scalias, mendoj se romanet dhe esetë e V. S. Naipaulit për shoqëritë post-koloniale, e kalojnë qartë këtë provë: qëndrimet e tyre themelore janë reaksionare, por realitetet që ato përshkruajnë janë padyshim pjesë e të vërtetës për botën, dhe lexuesi serioz i majtë mund të mohojë përmbushjen e portretit duke pranuar, megjithatë, se diçka e vërtetë po transmetohet.

    Dhe, e njëjta gjë vlen për konservatorin që angazhohet me art të suksesshëm të majtë. Në bisedën time me Keepermanin, përmenda shkurt Andor-in, serinë e re nga Luftërat e yjeve [Star Wars] të [platformës] “Disney+”, për fillimin e kryengritjes kundër Perandorisë, si një shembull i kulturës pop që është haptazi e majtë në analizën e saj të sistemeve të shtypjes dhe në vizionin e saj antifashist, dhe gjithashtu shumë e suksesshme – veçanërisht në krahasim me pothuajse çdo produkt tjetër të kohëve të fundit nga Luftërat e yjeve – në mënyrën si e bën botën e saj të fantashkencës të duket e përmbushur, bindëse, e vërtetë. (Jo rastësisht, krijuesi Tony Gilroy është gjithashtu përgjegjës për një nga filmat më të mirë të majtë të shekullit XXI, Majkëll Klejton / Majkëll Klejton.)

    Një pjesë e kësaj vërtetësie pasqyron gatishmërinë e serialit për ta ndërlikuar mesazhin e tij ideologjik, duke paraqitur edhe tepricat e mundshme të radikalizmit, si dhe të këqijat e shtypjes perandorake. Nuk mund të argumentosh në mbrojtje të Perandorisë nga materiali në Andor, por mund të shohësh mënyrat se si një impuls revolucionar mund të dështojë.

    Në një mënyrë të ngjashme, një vepër e madhe konservatore, si Kryezoti i unazave, gjithashtu ndonjëherë ndërlikon ose nënvleftëson temat e veta reaksionare, duke u lejuar admiruesve të saj të majtë të gjejnë pika angazhimi. Siç shkruan Gerry Canavan në një ese të fundit për Dissent, për adhuruesit e majtë të Tolkienit “gjithmonë ka një fill të lirë për ta tërhequr, një mundësi të papritur për t’u marrë parasysh”. Edhe kur një lexim i drejtpërdrejtë i tregimit duket tradicional, patriarkal apo ndryshe i djathtë, ai sugjeron se kornizimi i librave si një histori retrospektive e shkruar nga fitimtarët, do të thotë se mund t’i lexosh ato ashtu siç do t’i lexonte një historiograf i majtë – si “një narrativë thellësisht e kontestuar, e bazuar në të dhëna jashtëzakonisht të paplota dhe në një debat të gjatë dhe të polarizuar”.

    Por, duke u shprehur kështu, lexuesi apo shikuesi që e do një vepër, pavarësisht se nuk pajtohet me politikën e saj, nuk duhet të kërkojë thjesht mundësi për ta tërhequr rrëfimin drejt mënyrës së vet të të parit të botës.

    Në vend të kësaj, të majtët që e duan Tolkienin duhet gjithashtu të njohin – në reagimin e tyre të fuqishëm ndaj një rrëfimi për një monarki të lashtë të rikthyer dhe një të keqeje mbinatyrore të mposhtur – ekzistencën e mundshme të disa të vërtetave jashtë sistemit të tyre të preferuar. Dhe, e njëjta gjë vlen për konservatorin që e vlerëson Andor-in apo ndonjë vepër tjetër me kod të majtë: ky vlerësim nuk ka pse të sjellë konvertim ideologjik, por duhet të ndezë një ndjeshmëri të papritur ndaj këndvështrimit të majtë për botën.

    Kjo ndezje është testi i artit me tematikë politike. Ai dështon nëse vizioni i tij duket artificial për cilindo që nuk e ka botëkuptimin e tij. Ai ka sukses, jo përmes konvertimit, por përmes tronditjes: ndjesisë që autori apo regjisori të thotë diçka që nuk prisje ta dëgjoje, të cilën gjë ndoshta nuk dëshiron ta pranosh, por që megjithatë dhe në njëfarë mënyre ka jehonën e qartë të së vërtetës.

    Lajmi Paraprak

    Çfarë pritet nga bisedimet e propozuara në Turqi për luftën e Rusisë kundër Ukrainës

    Lajme tjera

    ANALISTAT

    Lirim Alija Përher para ene mbas votimeveKërcllojnë intervistatNejse politikant e kanë paqetërPo xhi duunë analistat.?! Hasret ta kallish…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë