Nga 34 komunat urbane, 22 prej tyre nuk e përmbushin standardin e rekomanduar për sipërfaqe të gjelbra prej 25 m2 për person. Zonat qendrore të qyteteve nuk kanë mjaftueshëm hapësira publike të gjelbra që duhet të kontribuojnë në uljen e ndotjes së ajrit. Sipas raportit të fundit të Entit Shtetëror të Revizionit, Qyteti i Shkupit ka vetëm 12,44 m2 sipërfaqe të gjelbër për person ndërsa Komuna e Çairit dhe ajo e Kisella Vodës kontribuojmë me vetëm 3% gjelbërim për qytetin e Shkupit.
Pas Shkupit, ndër qytetet e mëdha është edhe Kumanova, por as ky qytet nuk i plotëson rekomandimet për 25 m2 sipërfaqe të gjelbër për person.
“Planet e përgjithshme urbanistike të 22 komunave nuk e plotësojnë standardin e rekomanduar për gjelbërim prej 25 m2 për kokë banori, dhe sipërfaqet e gjelbra që mirëmbahen dhe sipërfaqet e gjelbra të sapondërtuara në korrelacion me numrin e banorëve sipas regjistrimit të vitit 2021 tregojnë se asnjë komunë e vetme nuk përmbush standardin e përcaktuar në dispozitat e nenit 19 të Ligjit për gjelbërimin urban”, thuhet në raportin e Entit Shtetëror të Revizionit.
Sipas raportit, vetëm tetë komuna kanë plan të përgjithshëm urbanistik të vlefshëm, ndërsa shumica janë duke punuar me plane të vjetra. Në raport gjithashtu theksohet se 18 komuna nuk kanë miratuar programe vjetore për mirëmbajtjen e gjelbërimit dhe 59% nuk kanë investuar në sipërfaqe të reja të gjelbra në periudhën 2020-2024.
“Pushteti qendror dhe lokal nuk kanë ofruar monitorim dhe kontroll efektiv, pra mosvendosja e gjobave ndaj shkelësve, si dhe ulja e gjobave për shkeljet, kontribuojnë në shkatërrimin e gjelbërimit, mosmirëmbajtjen e tij dhe moszëvendësimin e tij me gjelbërim të ri”, thonë nga Entit Shtetëror i Revizionit.
Arsyet e kësaj situate, sipas raportit, janë urbanizimi masiv, koordinimi jofunksional ndërmjet institucioneve, financimi i planeve urbanistike nga subjektet private dhe kontrolli i pamjaftueshëm inspektues. /Alsat/