Paga mesatare në Maqedoninë e Veriut, e cila ishte 43.050 denarë në janar, nuk “mbulon” shportën mesatare të konsumatorit me vlerë 62.691 denarë , ndërsa edhe dy paga e gjysmë minimale që arrijnë 60 mijë nuk e mbulojnë vlerën e Shportës Minimale Sindikale. Me fjalë tjera, rroga minimale mbulon vetëm harxhimet minimale për ushqim, me përjashtim të të gjitha harxhimeve tjera.
Një pjesë e lartë e ushqimit në shpenzimet totale të familjeve është shenjë e një standardi të ulët. Për krahasim, në SHBA këto kosto përbëjnë gjashtë për qind të shpenzimeve totale të familjeve, në Britaninë e Madhe janë tetë për qind dhe në Austri dhe Gjermani rreth 12 për qind. Në Slloveni, 18.8 për qind e të ardhurave mujore ndahen për ushqim, në Kroaci 27 për qind, Serbi afër 40 për qind dhe në Mal të Zi rreth 30 për qind.
Thënë ndryshe, gjysma e pagës mesatare shkon për ushqim, dhe gjysma tjetër shkon për mbijetesë. Statistikat zyrtare tregojnë se pjesa e kostove të ushqimit në Maqedoni në raport me pagën mesatare është më shumë se 30 për qind, pra ndër më të lartat në rajon.
“Kur dal nga dyqani, ndalem te dera dhe e llogaris përsëri faturën me para në dorë. Shuma është gjithmonë më e lartë se sa e kisha planifikuar… Tre produkte, nga të cilat mezi mund të bësh një drekë, kushtojnë të paktën 1.000 denarë. Një kilogram mish më i lirë, disa perime dhe një sallatë për një drekë, kaq kushtojnë. Kursej sa të mundem, blej nga marketet që kanë zbritje, kombinoj vaktet për të shpenzuar më pak dhe pjesa më e madhe e pagës sime shkon për ushqim”, shprehet banorja H. M nga Shkupit, duke bërë pazar në tregje për të përgatitur ushqim për familjen e saj prej pesë anëtarësh.
Në shportën minimale të prillit, pjesa më e madhe, ose 21.480 denarë (34,3%) e buxhetit, është ndarë për ushqim dhe pije. 5.634 denarë (9.0%) u ndanë për veshmbathje dhe këpucë, 6.096 denarë (9.7%) për qira, ujë, energji elektrike dhe ngrohje, dhe 2.455 denarë (3.9%) për higjienë personale dhe mirëmbajtje të shtëpisë. Gjithashtu, në shportën e prillit, për shëndetësi u ndanë 1.136 denarë (1.8%), për transport 4.615 denarë (7.4%), për komunikim 3.417 denarë (5.5%), për rekreacion dhe kulturë 5.592 denarë (8.9%), për arsim 7.036 denarë (11.2%), për restorante dhe hotele 4.131 denarë (6.6%) dhe për mallra dhe shërbime të tjera 1.100 denarë (1.8%).
Në Slloveni, ku paga mesatare në janar të këtij viti ishte 1.570 euro dhe paga minimale ishte 930 euro, 18.8 për qind e të ardhurave të një familjeje mesatare shpenzohet për ushqim dhe pije joalkoolike, 26.9 për qind janë shpenzime transporti dhe komunikimi, dhe lart në listë janë shpenzimet për strehim dhe pajisje familjesh – 19.7 për qind.
Në Kroaci, paga mesatare në janar të këtij viti ishte 1.392 euro, ndërsa paga minimale është 750 euro që nga janari i këtij viti. Zyra Qendrore e Statistikave tregon se një familje mesatare kroate shpenzon 330 euro në muaj për ushqim dhe pije joalkoolike , ose 27 për qind të të ardhurave të saj. Pas shpenzimeve për ushqim, pjesa më e madhe e parave shkon për transport, 15.5 për qind, dhe në vendin e tretë me një pjesëmarrje prej 14.5 për qind është strehimi, uji, energjia elektrike dhe gazi. Mesatarisht, shpenzohet 87 euro në muaj për familje për veshmbathje dhe këpucë, ndërsa mesatarisht shpenzohet 60 euro në muaj për kujdes personal, mirëqenie sociale dhe mallra të tjera. Sindikatat kroate shtojnë se për të varfrit, ushqimi është një artikull gllabëron 40 deri në 50 për qind të të ardhurave të tyre totale.
Në Gjermani, qytetarët shpenzojnë rreth dhjetë për qind të të ardhurave të tyre për ushqim, duke lënë shumë më tepër për arsim, një makinë më të mirë, udhëtime dhe një cilësi më të mirë jetese në përgjithësi.
Në Mal të Zi, paga mesatare në janar ishte 1.004 euro, ndërsa paga minimale u rrit ndjeshëm në fund të vitit të kaluar dhe është 600 euro për profesionet e shkollës së mesme dhe 800 euro për arsimin e lartë. Që nga viti i kaluar, tabela e shpenzimeve mujore është hartuar nga sindikata dhe sipas llogaritjeve të tyre, për një jetë normale nevojiten 2.000 euro, 100 euro më shumë se vitin e kaluar. Shpenzimet për ushqim dominojnë, pak mbi 30 për qind, pra 615 euro. Shporta e konsumatorit e llogaritur nga Federata e Sindikatave të Pavarura të Bosnjës dhe Hercegovinës në muajin mars 2025 ishte 3.166 marka të konvertueshme (rreth 1.623 euro). Nga kjo shumë, 44.63 për qind shkon për ushqim, 13.85 për qind për strehim dhe shërbime komunale, 11.37 për qind për veshmbathje dhe këpucë, 10.11 për qind për arsim dhe kulturë, ndërsa pjesa tjetër shkon për transport, mirëmbajtje shtëpie, higjienë dhe shëndetësi. Kjo do të thotë që me dy paga mesatare në Bosnje e Hercegovinë, një familje me katër anëtarë mezi i mbulon shpenzimet.
Ekonomistët thonë se një pjesë kaq e lartë e ushqimit në shpenzimet totale të familjeve në rajon është shenjë e një standardi të ulët. Për krahasim, në SHBA këto kosto përbëjnë gjashtë për qind të konsumit total të familjeve, në Britaninë e Madhe janë tetë për qind dhe në Gjermani rreth 11 për qind.
Ekonomistët shpjegojnë se në praktikë, fakti që qytetarët në rajon dhe Maqedoni shpenzojnë më shumë mbi 35 për qind por edhe 40 për qind për ushqim, do të thotë se ata nuk kanë para për asgjë tjetër.
“Kjo thjesht do të thotë që ne duhet të ndajmë një pjesë shumë të madhe të parave që kemi në dispozicion vetëm për ushqim dhe se na kanë mbetur shumë pak para për gjithçka tjetër, ndërsa pjesa e parave që mbeten, ajo pjesë shkon për kosto të tjera fikse. Paguajmë qiranë ose një kredi për një apartament, karburantin, transportin, energjinë elektrike, ngrohjen. Këto janë disa gjëra themelore që duhet të paguash. Dhe kur ia shton këtë mbi 35 për qind për ushqime, atëherë të mbeten shumë, shumë pak para për atë që mund ta quajmë jetë”, thonë ekonomistët.
Për më tepër shtojnë se këto statistika flasin edhe për standardin e jetesës, për shkak se kur ka një standard më të lartë, kjo kosto e ushqimit është rreth 10 ose 15 për qind, deri në një maksimum prej 20 për qind.
Në vitin 2021, familjet në BE shpenzuan mbi 1.035 miliardë euro (ekuivalente me 7.1% të Prodhimit të brendshëm Bruto të BE-së) për ushqime dhe pije joalkoolike. Kjo përfaqëson një pjesë prej 14.3% të shpenzimeve totale të familjeve. Krahasuar me vitin 2020 (14.8% e pjesës), kjo përfaqëson një rënie prej 0.5 pikësh përqindjeje (pp). Përqindjet më të larta për shpenzimet për “ushqime dhe pije joalkoolike” në vitin 2021 u regjistruan në Rumani (24.8%), Lituani (20.4%), Bullgari (20.1%), Estoni (19.9%), Poloni dhe Sllovaki (të dyja nga 19.6%). Në të kundërt, përqindjet më të ulëta ishin në Irlandë (8.3%), Luksemburg (9.0%), Austri (10.9%), Danimarkë dhe Gjermani (të dyja nga 11.8%).
Çmimi i ushqimeve më themelore po rritet deri në shtatë herë më shpejt se pagat, tregojnë të dhënat e Eurostat të publikuara në fund të nëntorit 2023. Çmimi i vajit të ullirit ishte 75 për qind më i lartë se sa ishte në janar 2021, ndërsa ka patur edhe rritje të çmimit të patateve (53%), vezëve (37%) dhe gjalpit (27%). Në të kundërt, pagat nominale janë rritur me 11% në BE dhe 10% në zonën e Euros gjatë tre viteve të fundit.
Rritja e çmimeve të ushqimeve ka ardhur në të njëjtën kohë me një rritje të madhe të fitimeve në sektorin e bujqësisë, sipas të dhënave nga Banka Qendrore Evropiane.
“Realiteti pas shifrave të sotme është miliona njerëz që përpiqen të sigurojnë ushqim për veten ose familjet e tyre, pavarësisht se punojnë orë të gjata në punë të vështira”, u shpreh Esther Lynch, Sekretare e Përgjithshme e Konfederatës Evropiane të Sindikatave.
Provat tregojnë se korporatat e mëdha po përfitojnë nga rritja e çmimeve, me rritjen e fitimeve në agroindustrisë të dytën pas atyre në sektorin e energjisë.
“Ndërkohë, pagat ende nuk po përballojnë koston e ushqimeve më themelore, përfshirë edhe për punëtorët në vetë sektorin e bujqësisë, duke i detyruar gjithnjë e më shumë punëtorë të mbështeten në bankat e ushqimit. Udhëheqësit duhet të adresojnë shkakun e vërtetë të inflacionit duke vendosur një taksë të papritur mbi fitimet e tepërta dhe duke siguruar që e drejta e punëtorëve për negociata kolektive të respektohet. Evropa ka nevojë për një rritje pagash, jo për kufizim pagash dhe norma të larta interesi”, shtoi ajo. /Koha/