Kush do të kujdeset për ne? Dy mijë infermierë më pak brenda pesë viteve!

    Në një shtet ku kujdesi shëndetësor është i ndërtuar mbi përpjekjet e individëve dhe jo mbi një sistem funksional, infermierët janë ndër më të dëshpëruarit. Ata nuk janë thjesht pjesë e sistemit, por një shtyllë pa të cilën çdo repart, klinikë apo ambulancë do të rrëzohej. E megjithatë, për dekada me radhë, janë lënë në harresë, pa përfaqësim, pa mbështetje, dhe shpesh pa zë.

    Vetëm gjatë pesë viteve të kaluara, Shoqata e Infermierëve informon se rreth 2000 infermierë u larguan nga Maqedonia e Veriut, kryesisht drejt vendeve evropiane, duke kërkuar jo vetëm paga më të larta, por edhe dinjitet profesional.

    Këtë vit, sipas paralajmërimeve nga kjo Shoqatë, ky numër pritet të jetë edhe më i lartë. Arsyeja? Një sistem që i trajton si krah pune të padukshëm, me orare të tejzgjatura, pa kompensim të drejtë, pa mundësi avancimi, dhe mbi të gjitha, pa siguri, shkruan gazeta Koha.

    NJË PROFESION QË PO BRAKTISET

    Në vetëm një muaj, 40 infermierë janë larguar nga spitalet shtetërore, disa për të punuar jashtë vendit, të tjerë në sektorin privat, e një pjesë thjesht e kanë braktisur profesionin. Pagat mbeten të ulëta. Përgjegjësia që mbajnë në duar infermierët shpesh tejkalon edhe detyrat që mbulon zyrtarisht pozicioni i tyre. Në disa reparte, një ose dy infermierë kujdesen për mbi 30 pacientë në ditë, në ndërrime që zgjasin 12 orë, pa pushim dhe pa kushte minimale për rikuperim fizik ose mendor.

    Një nga ata që e bëri hapin për të ikur është Ermira Jashari, një infermiere nga që prej gjashtë vitesh punon në Mynih të Gjermanisë. “Në Gjermani gjeta atë që kërkoja prej vitesh në Maqedoni. Jo vetëm një pagë të drejtë, por respekt, zhvillim profesional dhe mbështetje institucionale. Spitali ku punoj më dha mundësinë të ndjek specializime të reja dhe më ndihmon financiarisht për studime më të larta. Do të kisha qëndruar në Maqedoni nëse do të më ofronin të njëjtat kushte. Por atje çdo gjë është më e vështirë, madje paga ofenduese, sepse punon me orë të tëra, për paga që nuk mbulojnë as gjysmën e muajit. Çdo vit po vijnë më shumë kolegë nga Maqedonia, dhe të gjithë më thonë të njëjtën gjë, ‘Nuk ia vlente më të durohej’”, rrëfeu infermierja për gazetën KOHA.

    NJË SISTEM NË KOLAPS TË HESHTUR

    Në mungesë të një strategjie për mbajtjen e stafit shëndetësor, shumë infermierë nuk presin më premtime. Ndërkohë, shifrat e diplomimit nuk japin asnjë garanci për zëvendësimin e atyre që ikin. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave (ESHS), në vitin 2021 në vend u diplomuan rreth 1.200 infermierë. Por duke patur parasysh se vetëm në vitin 2023 ikën 2.000, është e qartë se kemi të bëjmë me një deficit gjithnjë e më të madh, që nuk mbulohet dot me prodhim të brendshëm të kuadrove të reja. E për më tepër, shumë prej tyre menjëherë pas diplomimit aplikojnë për punë jashtë shtetit.

    E në ndërkohë që bota kremton 12 majin kontributin e infermierëve, në vendin tonë kjo ditë është më shumë një kujtesë e një plage të hapur. Për shtetin, infermierët janë aty për të duruar. Por për vetë infermierët, durimi ka një kufi dhe shumë prej tyre tashmë e kanë kaluar atë.

    Lajmi Paraprak

    Pagat në RMV: gjysma për ushqim, gjysma për mbijetesë!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë