Në Ditën Botërore të Mjekësisë Familjare, mjekët ngrejnë alarmin për mbingarkesën në sistem dhe kushtet e punës që jo vetëm dekurajojnë mjekët e rinj, por edhe pengojnë ofrimin e kujdesit cilësor shëndetësor.
Mjekësia familjare është themeli i çdo sistemi shëndetësor dhe nuk duhet të mbetet në fund të listës së prioriteteve. Organizata Botërore e Shëndetësisë thekson se mjekët e familjes janë pika e parë e kontaktit të qytetarëve me sistemin shëndetësor. Ata luajnë një rol kyç në diagnostikimin e hershëm, ndërhyrjen në kohë, ofrimin e kujdesit të vazhdueshëm dhe edukimin e pacientëve.
Hulumtimet tregojnë se sistemet me kujdes të fortë shëndetësor parësor karakterizohen nga më pak shtrime në spital, kontroll më i mirë i sëmundjeve kronike dhe jetëgjatësi më e lartë. Kjo ditë, 19 maji, është një mundësi për të reflektuar mbi rëndësinë e këtyre mjekëve, por edhe mbi sfidat e shumta me të cilat përballen.
Në vendin tonë, situata është larg idealit: mungesë alarmante e kuadrit mjekësor, mbingarkesë me detyra administrative, motivim i ulët për të rinjtë dhe kushte që nuk garantojnë trajtim cilësor dhe human.
“Mjekësia familjare sot po përjeton ditët e saj më të vështira. Nuk kemi mjaftueshëm mjekë dhe nuk ka asnjë nxitje për të rinjtë që të zgjedhin këtë specializim” , deklaroi kryetari i Shoqatës së Mjekëve të Mjekësisë së Përgjithshme, Dr. Dragan Gjorgjievski.
Sipas tij, problemi është sistematik dhe përfshin që nga numri i vogël i pacientëve në zonat rurale – që sjell të ardhura të ulëta – deri te mungesa e mbështetjes financiare për hapjen e ordinancave private.
“Pagat janë të ulëta, sepse në vendet e vogla ku ka pak pacientë, kapitacioni është i ulët dhe nuk sigurohen të ardhura të mjaftueshme. Mjekët nuk kanë motiv të hapin ordinanca të tyre, sepse fillojnë nga zero pacientë dhe me asnjë të ardhur. Nuk ka stimul financiar, ndërkohë që duhet të paguhen rregullisht pagat. Shtuar kësaj, puna administrative është e tepërt dhe e panevojshme në kujdesin parësor. Për më tepër, specializimi në mjekësinë familjare shpesh nuk njihet dhe nuk vlerësohet,” shton Gjorgjievski.
Krahas sëmundjeve kronike dhe infektive, është rritur ndjeshëm edhe numri i pacientëve me çrregullime mendore, veçanërisht te të rinjtë. Këtë e konfirmojnë edhe mjekët e familjes përmes përvojës së tyre të përditshme.
“Kur bëjmë pyetje për disponimin, gjumin apo ankthin, pacientët shpesh refuzojnë të flasin. Nëse përmendet fjala ‘psikiatër’, reagimi është i menjëhershëm: ‘Nuk jam i çmendur.’ Ky mentalitet duhet ndryshuar. Edhe aktorët, politikanët dhe artistët më të famshëm në botë kanë psikiatër të tyre”, thotë Dr. Gjorgjievski.
Fondi i Sigurimeve Shëndetësore tashmë i ka identifikuar këto trende. Në ekzaminimet parandaluese për personat e moshës 25–40 vjeç do të përfshihen pyetësorë për shëndetin mendor, në bazë të të cilëve do të realizohet një “vlerësim i rrezikut” (scoring), që do të shërbejë për referim të mëtejshëm profesional. Synimi është që mjekët e familjes të përfshihen në mënyrë aktive në parandalimin e çrregullimeve mendore. Në kongresin dhe simpoziumin e mbajtur këto ditë në Shkup, përveç shëndetit mendor, u diskutua edhe për diabetin, hipertensionin, sëmundjet reumatizmale dhe infeksionet seksualisht të transmetueshme – një temë ende tabu për shumë pacientë të rinj.
Mjekët e familjes janë ata që i njohin pacientët prej vitesh. Ata janë të vetmit që mund të vërejnë ndryshimet në sjellje, sinjalet fizike apo emocionale që tregojnë se diçka nuk shkon. /Koha/