16 VJEÇARËT NË RMV TË DHËNË PAS MARIHUANËS!

    Përdorimi i kanabisit është më i përhapur në Maqedoni, ndërsa pilulat konsumohen lirshëm dhe tregjet online të drogës po rriten. Megjithatë, stigma, frika nga ndëshkimi dhe paragjykimi social vazhdojnë të pengojnë diskutimin dhe kërkimin e trajtimit. Këto janë disa nga gjetjet e Anketës Evropiane të Uebit mbi Përdorimin e Drogës (EëSD), të realizuar nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP), ku morën pjesë 862 persona, kryesisht të moshës 25 deri në 44 vjeç.

    Sipas anketës, 32 për qind e të anketuarve kishin përdorur kanabis në 12 muajt e fundit, ndjekur nga benzodiazepinat pa recetë (26 për qind) dhe produktet CBD me THC të ulët (25 për qind). Kokaina u përdor nga 18.4 për qind, amfetamina nga 10.7 për qind dhe ekstazia/MDMA nga 9.3 për qind. Kanabisi zakonisht provohet për herë të parë në moshën 16-vjeç, shpesh në kombinim me duhan ose alkool, ndërsa 12.6 për qind e kanë përdorur së bashku me kokainë pluhur.

    “Motivimi për kanabis ishte kryesisht lehtësimi i stresit dhe relaksimi, me një përqindje të konsiderueshme të të anketuarve që e përdorin atë edhe për socializim, përmirësimin e gjumit dhe rregullimin e humorit”, thuhet në anketën në internet të ISHP-së.

    Vendi tipik i përdorimit ishte shtëpia (72.7 për qind), e ndjekur nga natyra, hapësirat publike dhe festivalet ose festat muzikore. Plot 53 për qind pranuan se drejtuan një automjet brenda katër orëve të përdorimit, gjë që, sipas studiuesve, përbën rrezik trafiku.

    “Pak më shumë se gjysma e të anketuarve nuk përjetuan asnjë efekt negativ ose të padëshiruar shëndetësor nga përdorimi i kanabisit, ndërsa të tjerë raportuan probleme shëndetësore si probleme me kujtesën, vështirësi në përqendrim, ankth ose reaksione paniku, si dhe humbje ose shtim në peshë, ndër të tjera”, thuhet në dokument. Marihuana është forma më e zakonshme e kanabisit në Maqedoni. Rreth 40 për qind e përdoruesve nuk e njohin specien, ndërsa një pjesë e vogël e identifikojnë si vendase ose të importuar. Përdorimi bëhet kryesisht në shoqëri (56.9 për qind), dhe shumica (79 për qind) e blejnë, zakonisht nga miq (60 për qind) ose tregtarë (51.6 për qind). Vetëm 2.1 për qind e kultivojnë vetë.

    Sipas studimit, 91.4 për qind e përdoruesve konsumuan kokainë në formë pluhuri, e cila nuhatet ekskluzivisht. Në shumicën e rasteve (92.1 për qind) përdorimi u shoqërua me alkool, shpesh edhe me duhan (68.4 për qind) dhe marihuanë (35.5 për qind). Kokaina konsumohej kryesisht në klube apo bare (73.7 për qind) kurse në shtëpi (65.8 për qind).

    Motivi kryesor ishte socializimi (65.8 për qind), pasuar nga dëshira për argëtim dhe përmirësim humori. Disa e përdorën për të zbutur efektet e alkoolit (34.2 për qind), për të ulur stresin (25 për qind) apo për të rritur kënaqësinë seksuale (18.4 për qind). Shumica e përdoruesve të ekstazisë/MDMA-së e konsumonin për t’u “droguar” dhe për t’u shoqëruar (50 për qind). Motive të tjera përfshinin përmirësimin e kënaqësisë seksuale, kuriozitetin dhe lehtësimin e stresit (27.5 për qind). Përdorimi ndodhte kryesisht në festivale dhe festa muzikore (72.5 për qind). Përdorimi i amfetaminave shpesh lidhet me qëndrueshmëri dhe përmirësim performance, si në punë ashtu edhe për argëtim, duke treguar se nuk përdoren vetëm për qëllime rekreative, por edhe për rritjen e produktivitetit.

    “Shumica e përdoruesve raportuan përdorim të rastit, por një pjesë e konsiderueshme (edhe pse e vogël) raportuan përdorim të shpeshtë, gjë që përbën rrezik për varësi dhe ndërlikime shëndetësore afatgjata”, thuhet në dokument.

    Numri më i madh i të anketuarve deklaruan se nuk kishin marrë asnjë trajtim për përdorimin e drogës. Pavarësisht indikacioneve për konsum më të madh, vetëm 1.5 për qind raportuan trajtim për kanabis dhe benzodiazepina. “Arsyet më të zakonshme për shmangien e trajtimit ishin frika nga stigmatizimi, pasojat ligjore dhe shqetësimet në lidhje me konfidencialitetin”, thuhet në dokument.

    Sipas studiuesve, nevojiten strategji të synuara për reduktimin e dëmit, përfshirë edukimin mbi rreziqet e përdorimit të shumë substancave, drejtimin nën ndikim dhe pasojat shëndetësore të drogave të parregulluara. Rekomandohet forcimi i shërbimeve si hapësira të sigurta për konsum dhe linja ndihme anonime, si dhe alternativa ndaj ndëshkimit, përfshirë dekriminalizimin dhe trajtimin në vend të akuzave penale. Analiza krahasuese tregon se, ndonëse kanabisi është droga më e përdorur në rajon, përhapja e tij ndryshon: në Maqedoni 32 për qind, në Ballkanin Perëndimor 42 për qind, dhe në BE 59 për qind. Këto dallime reflektojnë ndikimin e legjislacionit, qëndrimeve shoqërore dhe qasjeve në drogë.

    Kokaina ishte substanca e dytë më e raportuar në Maqedoni (18.4 për qind) dhe Ballkanin Perëndimor (21 për qind), ndërsa në BE prevalenca ishte më e lartë (29 për qind). Përdorimi i MDMA/ekstazisë ndjek një model të ngjashëm: 9.3 për qind në Maqedoni, 14 për qind në Ballkan dhe 30 për qind në BE, duke treguar një përfshirje më të madhe të stimuluesve në përdorimin rekreativ në BE.

    Përdorimi i benzodiazepinave pa recetë ishte më i lartë në Maqedoni (25.9 për qind) sesa në Ballkanin Perëndimor (22 për qind, ndërsa në BE ky fenomen nuk është aq i theksuar, duke sugjeruar probleme të lidhura me vetëmjekimin dhe shëndetin mendor në rajon. Një shqetësim i përbashkët në të gjitha rajonet ishte shkalla e ulët e kërkimit të trajtimit për përdorimin e drogës – më pak se 3 për qind e të anketuarve. Stigmatizimi, frika nga ndëshkimi dhe shqetësimet për konfidencialitetin pengojnë qasjen, ndonëse në disa vende të BE-së politikat e reduktimit të dëmit dhe dekriminalizimi lehtësojnë këto barriera. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Ligji i ri në RMV ua hap dyert pensionistëve për të punuar sërish!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë