GËZIM TUSHI
Në jetën e sotme të sho qërisë, në familje, shkollë, shoqëri e kudo ka shumë fakte, ngjarje, procese që tregojnë për një zbehje regresive të humanizmit, për një “ftohje” të shpirtit njerëzor. Të cilat të bëjnë të ndihesh pesimist për të parashikuar se deri ku do jenë kufijtë e njeriut dhe shoqërisë humanitariste e deri ku mund të shkojnë proceset retrograde të egoizmit ekstrem, individualizmit pa fre, indiferencës sociale, mungesës së empatisë për të kontribuar në përmirësimin e shëndetit kolektiv të shoqërisë dhe nevojave për ndihmë e mbështetje sociale të njerëzve në nevojë. Kur shikon skena të ashpra të braktisjes të moshuarve, dhunës mbi gratë, trajtimet e pakujdesshme të njerëzve që jetojnë në varfëri apo që janë me aftësi ndryshe, kur përballesh me indiferencën e skajshme të këtij njeriu super individualist që jeton brenda vetes, i rrethuar nga subjektivizmi i tij anormal, të krijohet një dozë e fortë e pesimizmit, për kurbën e të ardhmes së ndjenjës së humanizmit dhe sjelljeve humanitariste.
Që në mesin e shekullit të kaluar, kur sapo u shfaqën shenjat e kohës postmoderne dhe njeriut individualist pa dimension social, shumë filozofë e sociologë shtruan pyetjen ekzistenciale: a ka shpirt njeriu i kohës moderne? A do vlerësohet humanizmi si kuintesencë e personalitetit të njeriut si qytetar që jeton në shoqëri? Nuk ka dhe nuk mund të quhet qytetar njeriu i izoluar brenda “guaskës materiale” të interesave të ngushta. Një tendencë që në shoqërinë tonë po shfaqet me agresivitet dhe pa frikë mund të themi, se sociologjikisht po bëhet një prirje dominante, me shumë gjasa ireversibile. Është devijacion shumë i madh i shoqërisë shqiptare, i sjelljes së njerëzve tanë, të cilët në këto momente në mënyrë të njëanshme, subjektiviste, eksentrike nuk duan të kuptojnë dhe pranojnë, se njeriu është qytetar dhe mund të ketë këtë status, vetëm si produkt i humanizmit social. Qytetari me shpirt njerëzor, është qendra e kuptimit dhe ndërtimit të humanizmit. Padyshim qytetari humanitarist nuk është thjesht dëshirë, apo “titull që trashëgohet”, por entitet që lidh jetën dhe vlerat e qytetarit të veçantë me ato të shoqërisë dhe qytetërimit tonë në përgjithësi. Atyre që ju ka hyrë vetja në qejf, që nanuriten me statusin kalimtar politik apo pasuror dhe që nuk e kthejnë kokën pas, nuk mendojnë për “tjetrin”, duhet ta dinë që mund të jenë dikushi, të pasur, njerëz publikë, të adhuruar, elitarë etj., por duhet ta se e kanë të cenuar statusin e qytetarit. Sepse nuk ka qytetar që refuzon komponentët e humanitaritetit dhe nuk trashëgon vlera humane të qytetërimit tonë, të shoqërisë dhe stofit edukativ të familjes biologjike.
Një gjë duket qartë dhe është e sigurt. Shumë vlera dhe cilësi humane të qytetarit mund të përsosen apo të prishen, të konsolidohen apo të deformohen në vartësi të vullnetit të tij për humanizëm, socialitet, sociabilitet dhe vlerësim jo vetëm të vetes dhe interesave të ngushta, por edhe rrethanave sociale të jetës “përtej vetes” dhe kushteve në të cilën jeton individualisht. Analiza e shfaqjeve sociale dhe dukurive të sjelljes së personalizuar të shumë njerëzve janë bërë shqetësuese, sepse po përballemi përditë e më shumë me shfaqje të bujshme të fenomenit të degradimit të humanizmit, të sjelljes moralisht individualiste, procese që tregojnë se dehumanizmi po favorizohet dukshëm nga tendenca e zgjeruar e personalizmit, prirja e shfrenuar instrumentalizimit të gjithçkaje në shoqërinë tonë. Perceptimi anarkist i lirisë personale si mohim i humanizmit dhe çdo gjëje që është “përtej vetes”, duke u sjellë kundër çdo rregulli social, vendosja e dëshirave individuale jashtë çdo “shtrati” të humanizmit social, kthimi i perceptimit moral personal në të vetmin realitet sundues social, po bëhet një shqetësim serioz, i cili po cenon rëndë bazat e kohezionit të “humanizmit social”, mundësisë e njerëzve për të jetuar në mënyrë personale, padyshim, por në të njëjtën kohë duke vlerësuar vlerat e komunitetit social, duke ruajtur rregullat e bashkëjetesës humane. Ndryshe kjo rrugë e dehumanizmit në emër të jetës postmoderne, do të zgjerojë shfaqjet e bujshme të njeriut pa shpirt human, do e rëndojë akoma më shumë statusin social të individit dhe shëndetin e shoqërisë, duke shtuar sjelljet brutale, arrivizmin, dhunën e përditshme, krime, vrasje dhe vetëvrasje, përdhunime, sadizëm seksual, perversione morale, të realizuara nga njeriu antihuman që si qenie sociale qarkullojnë në shoqëri me “formë njeriu” por që thelbësisht shfaqen me natyrë e sjellje zoologjike. Rruga e dehumanizmit duhet vlerësuar seriozisht, si një nga plagët e mëdha sociale që po agravohet dhe kalcifikohet, duke e bërë shoqërinë tonë “arenë” të përballjes çdo ditë e më shumë, me “qenie kontradiktore”, njerëz që shfaqen të tjetërsuar, me “formë që nuk përputhet me thelbin” ose me “thelb që nuk i përshtatet” formës së humanitetit social. Janë të shumta rastet që të bëjnë të pranosh pa frikë, se tashmë në shoqërinë tonë po detyrohemi të bashkëjetojë njeriu human, i arsyeshëm, modern, me disa të tjerë, që për fat të keq po shtohen dhe që “brenda tyre endet kafsha” dhe me të cilët “jemi të detyruar” të qëndrojmë përballë njëri-tjetrit.
Njerëz humanë, të virtytshëm, qytetarë të bindur ndaj ligjit, me sjellje sociale paqësore e qytetare, por në të njëjtën kohë edhe qenie “të afta” për krime, të dhënë tërësisht pas të keqes, dhunës, egoizmit. Kanti dhe më pas Martin Heidegger në veprën e tij madhore “lerët mbi humanizmin”, nuk e kishin gabim, që mendonin se arsyeja dhe sjellja morale, kanë mundësi të gjëra të kontribuojnë në përsosjen e sjelljes njerëzore, sidomos në kufizimin e dhunës, e cila në shoqërinë tonë për fat të keq është bërë “epidemi sociale” që ndeshet kudo, në familje, ambiente publike dhe në marrëdhëniet konfliktuale ndërnjerëzore. Ajo që duket shqetësuese për shoqërinë tonë është fakti se tek një pjesë njerëzish, duket se është harruar fakti, se edhe në kushtet e shoqërisë moderne njeriu ndodhet domosdoshmërish përballë shoqërisë dhe brenda saj. Pavarësisht shkallës së re të lirisë individuale, që vetë shoqëria moderne ka prirje që ta zgjerojë vazhdimisht, njeriu nuk mund të jetojë jashtë dhe i pavarur nga rrjedha shoqërore e humanitarizmit.
Kjo do të thotë se liria e individit është vepruese, e inkuadruar brenda një “mekanizmi” social të humanizmit funksionues, i cili ka ndikim mbi sjelljet humane të individit. Sociologët kur analizojnë këtë raport social të individit dhe shoqërisë, “lirisë personale” dhe “mekanizmit social” kufizues, thonë se liria është e mundur pikërisht se shoqëria është humane kur respekton rregullat e saj. Ndryshe nuk do të kishte liri, por anarki sociale. Personalisht ajo që më duket urgjente në këtë fazë të zhvillimit social dhe moral, është puna e të gjithë strukturave morale, sociale, shkollore, edukative e fetare, për të rivendosur një ekuilibër të ri social të “humanizmit funksionues” në shoqëri, e cila po hallakatet në hullinë e imagjinuar të asocialitetit dhe “lirisë pa kufi”, duke devijuar nga norma detyruese, sipas të cilës, njeriu është i lirë kur vepron si qenie humane, në sinkron me “zakonet e humanitetit të komunitetit” dhe pa cenuar “dëshirat dhe përvojat personale”. Ky është mekanizmi social i njëkohshëm që siguron unitetin e humanizmit dhe lirisë, i cili tek ne ka filluar të funksionojë me defekte për shkak të njëanshmërisë së konceptimit të tij, jo vetëm e thjesht teorik, por në praktikën e sjelljes individuale të një pjese të madhe të anëtarëve problematikë e shqetësues të shoqërisë sonë. Ky raport i përcaktimit të “vlerës individuale”, që e zgjedh vetë njeriu individualisht nga njëra anë dhe “vlerës shoqërore” të humanizmit, si vlerësim që shoqëria bën për individin dhe sjelljen e tij humane është thelbi i detyrës së madhe, për të “rindërtuar” mekanizmin social jo të një lloj humanizmi abstrakt, teorik e filozofik, por të një humanizmi konkret, të përshtatshëm për shoqërinë e sotme, në mënyrë që ajo të jetë thelbësisht humane, sociale, e lirë dhe moderne.
Nuk është fjala për të bërë “leksione teorike” për mënyrën e ndërtimit të “mekanizmit social” të humanizmit, si instrument që ndikon në bashkimin e arsyeshëm dhe produktiv të sjelljes së individit me socialitetin e njerëzve në shoqëri. Akoma më pak, çështja nuk është që të pengojmë dëshirat dhe pasionet e natyrshme të njerëzve, që të shfaqen dhe të realizohen lirisht sipas “perceptimit personal të lirisë”. Por, nga ana tjetër, nuk mund të sakrifikojmë shoqërinë, e cila konsensualisht ndërton një “mekanizëm” social, veprimi i të cilit siguron “harmonizimin” e dëshirave humane individuale, pasioneve intime duke e konsideruar veten në të njëjtën kohë “anëtar të bashkësisë”, që ka pranuar veprimin personal të përputhur me kërkesat publike të “mekanizmit” të humanizmi social. Natyrisht shumë defekte të shoqërisë tashmë shfaqen dukshëm tek ne. Ato vinë nga fakti që kjo shoqëri ka vënë në qendër të saj garën midis njerëzve për sukses personal. Kjo në vetvete nuk është gjë e keqe dhe siç po duket, nga gara e vërtetë midis individëve për sukses personal dhe material, shoqëria ka vetëm fitim.
Por pikërisht kjo garë e kthyer në qëllim në vetvete jashtë rregullave të mekanizmit të humanizmit social, i ka dhënë spunto shfaqjes së njerëzve johumanë, cinikë, egoistë, asocialë, arrivistë, madje edhe të një kategorie njerëzish të pushtetshëm, mbi të cilët nuk “sundon” asnjë rregull apo “mekanizëm” i humanizmit social. Shoqëria jonë nuk mund të funksionojë, nëse në radhët e saj shtohen njerëzit më natyrë jo apo antihumane, që nuk njohin vlerën, forcën dhe ndikimin e dobishëm të respektimit të detyruar të nevojës imperative të humanizmit social, si mjet rregullator i marrëdhënieve midis njerëzve si qenie humane, që bashkëjetojnë mes tyre në shoqëri. /Panorama/