Pesë muaj para zgjedhjeve lokale skenën politike në Maqedoninë e Veriut po e trondisin tendera të diskutueshëm, akuza për krime dhe ndërtime të paligjshme. Retorika mes aktorëve në skenën politike po ashpërsohet, kështu që gjithnjë e më shpesh po dëgjohen fyerje dhe matje forcash, ndërsa “ilaç” për zbardhjen e të gjitha dyshimeve po kërkohet në Prokurori, raporton Dojçe Vele.
Kryeministri Hristijan Mickoski u bëri thirrje të gjitha autoriteteve në prokurori dhe gjyqësor, si dhe organizatave joqeveritare të përfshihen në kontrollin e dokumentacionit të tenderit për prokurimin e uniformave për policinë.
“U bëj thirrje autoriteteve në prokurori dhe gjyqësor, si dhe organizatave joqeveritare, si dhe ministrit të punëve të brendshme, që ta bëjnë publik dokumentacionin e tenderit nga tani, por edhe nga e kaluara, për të parë se si janë siguruar pajisjet për MPB-në”, tha Mickoski. Ai u bëri thirrje mediave që ta ndjekin nga afër të gjithë procedurën, pas akuzave për “skema korrupsioni” në MPB nga LSDM-ja opozitare.
Akuza për skema korrupsioni
Paraprakisht edhe njeriu i parë i MPB-së, Pançe Toshkovski, i bëri thirrje prokurorisë që të përfshihet dhe ta hetojë rastin. Ai mohoi se pronarja e studios së modës, për të cilën LSDM opozitare akuzoi se ishte themeluar pak para se të shpallej tenderi dhe se ka vetëm dy punonjës, është mikeshë e bashkëshortes së tij.
“As nuk e di se kush është pronar i studios së modës, as nuk besoj se është mike e ngushtë e bashkëshortes time. Nga pyetja që po më bëni populli do ta kuptojë shumë mirë se kjo është vetëm një nga hajkat që po bëhen kundër meje. Deri më tani, nuk besoj se në historinë e Maqedonisë ka pasur dy interpelanca në tre muaj, kundër cilit do politikan”, tha Toshkovski, i cili më 29 prill “e mbijetoi” edhe interpelancën e dytë që u ngrit kundër tij.
Reagimi vjen pas gjetjeve të cilat i publikoi LSDM-ja opozitare se “një kompani e themeluar 20 ditë para shpalljes së tenderit, pa seli, pa punonjës, pa përvojë, pa kapacitet, ka fituar një tender me vlerë prej 4 milionë eurosh”.
“Kur kompanitë fantazmë fitojnë biznese me miliona, kjo është baza për korrupsion sistemik në krye të qeverisë. Kjo vjen era korrupsion. Dhe kjo bëhet në një institucion që duhet ta luftojë korrupsionin, e jo të jetë burim. Sa i përket tenderit skandaloz në Ministrinë e Punëve të Brendshme institucionet nuk mund të jenë vëzhgues të heshtur, por duhet të hapin procedura në përputhje me kompetencat e tyre”, thanë nga LSDM dhe kërkuan që Prokuroria Publike dhe Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit të veprojnë dhe ta mbrojnë interesin publik dhe “që të anulohet tenderi skandaloz “.
Mickoski thotë se kjo është një marrëveshje kornizë dhe një prokurim publik i hapur pa kufizime – kushdo që ishte i interesuar mund të paraqitej dhe të konkuronte me një ofertë. “Sipas asaj marrëveshjeje kornizë, nëse uniformat dorëzohen dhe përdoren, Ministria e Punëve të Brendshme do të jetë e detyruar të paguajë për to. Nuk e di nëse kanë kapacitet apo jo, sepse ata aplikuan në tender dhe nëse nuk kanë kapacitet, atëherë kontrata do të ndërpritet. Në të kundërtën, ajo do të realizohet”, thotë Mickoski.
Ndërtime të paligjshme dhe krime
Fushata zgjedhore u karakterizua edhe me akuza për ndërtime dhe punë të paligjshme nëpër komuna. Për një pjesë të rasteve për të cilat u bë shumë zhurmë tashmë janë ngritur procedura. Kështu, autoritetet kompetente hetuese njoftuan se do t’i bashkëngjiten “gjuetisë” për ndërtime të paligjshme në komunën e Çairit, të cilën e filloi kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska. Pas disa muajsh heshtjeje këto ditë para përfundimit të mandatit të saj ajo e trazoi përsëri publikun duke vizituar disa vende nëpër komunën e Çairit ku po kryhen aktivitete ndërtimore. Ajo akuzoi se bëhet fjalë për ndërtime të paligjshme duke e fajësuar drejtpërdrejt kryetarin e komunës, Visar Ganiu, nga koalicioni qeveritar “Vlen”, të cilit i tha: “Visar, djalë, të presim të vish, ke bërë falsifikim gjatë legalizimit”.
Sipas saj, në Çair “vazhdojnë aktivitetet e paligjshme dhe kriminale të “princeshës së ndërtimeve të paligjshme’ dhe mentorit të tij”. “Edhe një herë duke u munduar t’i mbulojnë gjurmët e krimit të kryer në kundërshtim me ligjin dhe me objekte të ndërtuara në mënyrë të paligjshme në tokë shtetërore. Sot në vendngjarje gjetëm punëtorë që ishin angazhuar drejtpërdrejt nga autorët e krimit me ndërtime të paligjshme dhe uzurpimit të tokës shtetërore, i kanë paguar me para në dorë dhe i kanë dërguar në vendndërtim për ta fshehur vrimën me të cilën e dëmtuan bulevardin dhe instalimet nëntokësore të furnizimit me ujë, kanalizimit dhe kabllove elektrikë. E gjithë kjo për ta shmangur përgjegjësinë për krimet e tyre”, njoftoi Arsovska këto ditë.
Ajo njoftoi për një “vazhdim” në të cilin do t’i publikojë të gjitha veprimet dhe krimet e paligjshme të vërtetuara dhe të parandaluara me argumente dhe prova, e për të cilat nuk kanë vepruar institucionet kompetente. Duke theksuar se në tre vjet në Qytetin e Shkupit kanë parandaluar mbi 150 tentativa të paligjshme për legalizimin e ndërtimeve të paligjshme, Arsovska i bëri thirrje zëvendëskryeministrit dhe ministrit të mjedisit, Izet Mexhiti, të vijë në Çair dhe “të përballen në terren”.
“”Trimi” Mexhiti nuk do që të përballet me mua në terren për ndërtimet e paligjshme që ai dhe Visar Ganiu i kanë ndërtuar dhe legalizuar në mënyrë të paligjshme në Çair për vite me radhë, duke falsifikuar dokumente dhe leje për ato ndërtime të paligjshme”, tha Arsovska.
Viktima të urdhrave të të tjerëve
Por, zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i mjedisit jetësor, Izet Mexhiti, është i mendimit se kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, është viktimë e urdhrave të të tjerëve kur e viziton Komunën e Çairit. Në një intervistë për TV Sitell, Mexhiti i bëri thirrje Arsovskës që ta vizitojë edhe Sarajin e Shkupit, për të parë, siç tha ai, numrin e ndërtesave të paligjshme atje.
“Më vjen keq që ajo është viktimë e urdhrave të një tjetri dhe që dy ose tre muaj para zgjedhjeve i shkoi ndërmend se ekziston Çairi dhe Shkupi. Por do të ishte mirë që e njëjta kryetare të shkonte edhe në Saraj, për të parë se si është numri i ndërtimeve të paligjshme, si po legalizohen ato për një euro jashtë rregulloreve ligjore. Të marrë një listë nga inspektorati i ndërtimit dhe ta shohë numrin e përgjithshëm të ndërtimeve të paligjshme, për të parë se ku është Çairi në atë listë dhe ku janë komunat e tjera”, tha Mexhiti.
Arsovska këto ditë po zhvillon një betejë tjetër – para Gjykatës Kushtetuese, ku ajo e konteston vendimin për miratimin e PDU-së për lagjen C3 16 të Komunës së Gjorce Petrovit nga muaji shkurt i vitit 2024.