Koha dhe rreziku i sindromës “Werner”

    GËZIM TUSHI 

    Është fjala për një fenomen psikologjik dhe dukuri sociale, e cila në këtë periudhë të kohës moderne ka filluar të shfaqet si “infeksion social” i zgjeruar, me frekuencë dhe intensitet jo të papërfillshëm edhe në jetën e shoqërisë shqiptare. Ajo në mënyrë të sintetizuar konsiderohet si “sëmundje” sociale, e cila teorikisht dhe psikologjikisht ka marrë emrin sindroma “Werner”, sepse ai që e identifikoi këtë patologji psiko-sociale ishte psikologu dhe mjeku gjerman Otto Werner, i cili e konsideroi si gjendje që i bën njerëzit të duken dhe të ndihen sikur janë 80 vjeç, edhe pse mund të jenë 20, 30 apo 40-vjeçarë. Në përgjithësi kjo patologji ka goxha virulence, sidomos tek ata njerëz që edhe pse në moshë të re dhe në pjesën aktive të jetës, jetojnë pa vlerësuar si duhet vlerën e jetës, pa i dhënë kuptimin dhe kontributin e merituar, si diçka me vlerë të madhe. Si mund të ndërtojnë jetën, sidomos ata të rinj, që qëndrojnë pasivë, enden nëpër kafene, që kanë ngritur “flamurin e bardhë” dhe dorëzohen ende pa filluar betejën me jetën? Pa qenë të vetëdijshëm se përpara kanë një luftë për të zhvilluar, për të cilën kanë nevojë të mendojnë drejt dhe të ndihen jo të mpirë e inaktivë, por të shqetësuar dhe njëkohësisht “vigjilentë” për problemet dhe pasiguritë e jetës së tyre

    Nëse bën një diagnostikim të njerëzve të kapluar nga kjo sindromë, nuk është e vështirë të dallosh, se përgjithësisht ata janë njerëz që “ushqehen” mendërisht dhe shpirtërisht me fantazi boshe, me koncepte utilitarisht të deformuara e qëndrime jorealiste, të cilët ngushëllojnë veten, paaftësinë e tyre, si realitet që nuk vjen nga jashtë, por është rrjedhojë, efekt i drejtpërdrejtë i ndikimit anestezik (paralizues) të kësaj sindrome, e cila pengon shumë njerëz të kuptojnë realitetin e vërtetë, i cili është konkret dhe kokëfortë. Kjo situatë i redukton në qenie me sjellje asociale, të atrofizuara, ndonjëherë deri në niveli paradoksal të një “ekzistence të pavetëdijshme”. Janë shumë njerëz që subjektivisht tregohen të paaftë për të kuptuar kohën, raportet individ-shtet-shoqëri, të cilat kanë ndryshuar krejtësisht, radikalisht. Si rezultat i efekteve të kësaj sindrome, në shoqërinë tonë janë shtuar njerëzit që shfaqin dikotomi, çarje ekzistenciale midis fantazive abstrakte dhe qëllimeve utopike, duke qenë të larguar nga ndikimet e vërteta të realitetit të drejtpërdrejtë. Këta janë njerëz që filozofojnë për gjëra që janë të pamundura t’i realizojnë, janë shpesh filozofikisht të predispozuar për të bërë përgjithësime sociale të gënjeshtra. Analiza e këtij grupi social i “plakur para kohe” dhe i infektuar nga sindroma “Werner” tregon se për sjelljen dhe personalitetin e tyre është karakteristike apatia sociale, frika individuale nga jeta e vështirë.

    Tipa të tillë kanë gjetur strehën e justifikimit te skepticizmi personal dhe vaniteti social, që për ta është “streha e preferuar”, ngaqë jetojnë si “ekzistencë e fjetur” në vend që të zgjohen nga letargjia dhe të jetojnë si “ekzistencë e gjallë”. Është i pafalshëm ndërtimi i një stili jete kaotik e vanitoz, i cili i bën disa të rinj në moshë të ndihen të lodhur nga të jetuarit aktiv e dinamik. Kjo sjellje është asociale dhe e pengon njeriun në procesin organik të lidhjes me jetën, ngaqë është në kundërsens me kohën. Madje, kur intensiteti i sidromës është i lartë, e vendos njeriun jo në jetën e gjallë, por në një “hapësirë të vdekur” sociale, krejt e shkëputur nga jeta reale, ngaqë rrinë me duar kryq, në pozicion pasiv dhe presin të “bërën” e gatshme pa luftuar për procesin e të “bërit”. Për fat të keq, demografikisht dhe në vlerësimin social e statistikor, po shtohet kategoria “inorganike” e kësaj shtrese të infektuar nga përtacia, dembelizmi, vaniteti, kotësia, narcizizmi, vetëkënaqësia, ndjenja e “pritjes së Godosë”, të cilët jetojnë në pritmëri, me iluzione të kota, pa kuptuar dëmin e këtij “infeksioni social”, që i pengon seriozisht që të vlerësojnë si duhet vlerën e jetës.

    Insulina e ‘Wernerizmit’ është kthyer në “insulinë sociale”, që kjo kategori të rinjsh, por jo vetëm, sepse infeksioni është përhapur edhe në shtresa e grupe moshore të njerëzve më të rritur, që gjithashtu vegjetojnë, ankohen, bëjnë insinuata politike e kritika sociale, pa kuptuar se koha për të pritur është vrastare, ndërsa koha produktive nuk është statike, por kalimtare. Nuk e di, por një pjesë e këtyre njerëzve kur i takon, bisedon apo i këshillon, të duket sikur janë me mendje të mpirë nga kotësitë, utopitë politike, iluzionet ë kthyera pa frikë në “anestezi sociale”, të cilat u kanë paralizuar energjitë, sensin e kuptimit të nevojës për të qenë të shqetësuar dhe vigjilentë për jetën personale. Si mund të përcaktosh këtë kategori sociale të njeriut vanitozë, ankimtar, cinik e skeptik për jetën dhe realitetet e vështira sociale që vërtiten rreth tij dhe mbase këtu kanë edhe ndonjë të drejtë, për të bërë gjykime të drejta social politike dhe paragjykime subjektiviste për mënyrën e funksionimit të sistemit të vlerave, meritës, shfaqjeve të nepotizmit apo toksinave që burojnë nga politika dhe institucionet sociale, publike e private në këtë vend. Por të “mbytësh” veten vetëm me këto konstatime, qoftë të drejta apo të deformuara, do të thotë që vendin e njeriut të ndërgjegjshëm, aktiv, dinamik, ambicioz, produktiv ta zërë pjesa më e keqe, e dëmshme e kthimit të personalitetit në një ekzistencë pasive, amorfe, të pavetëdijshme.

    Kur dialogon me ta, duket qartë një defekt serioz midis dëshirave subjektive dhe gatishmërisë për t’u angazhuar konkretisht, duke orientuar në mënyrë inkrementaliste hapat e duhura, që ndihmojnë daljen nga “këneta e përtacisë” dhe efektet paralizuese të sindromës “Werner”, duke pasur koncept më utilitar për jetën. Sepse ata duan që duke ndenjur këmbëkryq e duarlidhur, të kenë akses në “të bërën” materiale e sociale, por pa u angazhuar për të realizuar atë që duhet bërë prej tyre. Vegjetimi, anomia sociale, vaniteti, kotësitë, filozofimet boshe për “negacionet” e realitetit politik, ekonomik e shoqëror, kanë dhënë efekte retrograde në strukturën e personalitetit të tyre. Një pjesë mbase nuk e kuptojnë këtë situatë, që nuk “vjen e tëra nga jashtë”, por “prodhohet” kryesisht si efekt psikologjik brenda qenies së tyre, ngaqë shfaqen apatikë, të frikësuar nga përplasja individuale me “dallgët e jetës”. Të “lodhur” nga përtacia, vaniteti dhe vështirësitë e vërteta të integrimit në jetën sociale, ekonomike dhe realitetet e jetës aktive publike, iluzionojnë veten duke mbetur në pritmëri, duke gjetur ngushëllim dhe “strehë” te skepticizmi personal dhe vaniteti social, të cilat sindroma “Werner” e bën “fole të preferuar” për ta, duke i mpirë energjitë, duke i katandisur në “ekzistencë të fjetur” dhe me pak shanse për t’u kthyer në “ekzistencë të zgjuar”. Një sjellje asociale fare e palidhur me sfidat e jetës, atemporale dhe në kundërsens me imperativat sfiduese të kohës që jetojmë. Vështirësitë që kalojnë për të siguruar “busullën” e orientimit social, të cilat janë reale, të vërteta, të natyrshme të ekzistojnë, nuk janë argument që sindroma “Werner” të paralizojë ekzistencën e dobishme individuale, ca më keq, t’i vendosë ata në pozicione pasive, të shkëputur nga jeta reale i katandisur të “vendosur” në një hapësirë sociale gati të “vdekur”.

    Kjo kategori sociale duke i parë përgjegjësitë jashtë vetes, shpesh jeton me iluzionet e “shtetit social” të bashkuar me efektet paralizuese të sindromës “Werner”. Pikërisht kur krijohet ky aliazh që buron nga bashkimi iluziv i këtyre dy sindromave toksike e paralizuese, tek ata shuhet “bakteria” sociale, mpihet vetëdija subjektive, që duhet t’i mësojë të gjejnë rrugën e duhur, duke iu larguar efekteve direkte dhe kundërefekteve psikologjike indirekte, por lehtësisht të kuptuara dhe të nënkuptuara, ngaqë në kohën e sotme nuk ka rrugë ekonomike, rrugicë sociale apo magjistral të lehtë. Ata duhet të kuptojnë paradigmën vendimtare, ekzistencialisht të sigurt se në rrethanat që jetojmë, kur kushtet janë ekzistencialisht standarde, nuk është askush garant për sukses personal dhe prosperitet material, përveçse kapitalit individual, aftësisë për të ecur në jetë duke u larguar nga iluzionet që pengojnë ecurisë së jetës personale.

    Diçka duhet bërë për të larguar këtë grup, kategori sociale apo individ nga fantazitë utopike. Padyshim është njeriu, i cili individualisht ka forcën, mundësinë dhe detyrën të përcaktojë “pragun e ecurisë” të jetës personale. Për fat të mirë, Otto Werner dhe shumë psikologë e sociologë të kohës postmoderne nuk e konsiderojnë këtë sindromë fenomen të paparashikueshëm, të pashmangshëm, të pakthyeshëm. Si çdo “sëmundje sociale”, edhe ajo ka terapinë e vet kuruese, madje edhe shëruese. Me mjete të orientimit pozitiv të vullnetit individual, por edhe me përshpejtim adekuat të reformave sociale, për të pakësuar njerëzit e “infektuar” nga kjo sindromë, për ta bërë atë sa më pak të dëmshme për individin dhe shoqërinë. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Idealizimi fatkeq i demokracisë!

    Lajmi i rradhës

    Para zgjedhjeve lokale: tendera të diskutueshëm dhe matje forcash

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë