Kur temperaturat tejkalojnë 35 gradë Celsius dhe vendi përfshihet nga valët e të nxehtit që zgjasin gjatë gjithë sezonit veror, spitalet e vendit, veçanërisht ato shtetërore, shndërrohen në hapësira ku vuajtja shëndetësore përkeqësohet nga një ambient që nuk i përmbush as kushtet minimale për freski, ajrosje dhe punë dinjitoze.
Në korridore të mbushura me pacientë, dhoma të mbinxehura, aparatura që shpesh punojnë nën kushte të papërshtatshme dhe mjekë të tejlodhur që duhet të marrin vendime kritike në ambiente të papërshtatshme për punë, nxehtësia nuk është më vetëm çështje komforti, por rrezik i drejtpërdrejtë për jetën dhe trajtimin.
Në spitalin shtetëror të Shkupit, si dhe në spitale të tjera rajonale, mungesa e sistemit funksional të klimatizimit në të gjitha repartet, mungesa e ventilimit të mjaftueshëm në laboratorë dhe lavanderi, si dhe kushtet e papërshtatshme për punonjësit teknikë, janë bërë pjesë e zakonshme e përditshmërisë gjatë muajve të verës. Për gazetën Koha ish-infermierja, Selvije Ganiu, tregon se për pacientët kronikë, të moshuarit, foshnjat dhe ata që kanë probleme me zemrën apo frymëmarrjen, çdo gradë më shumë përkthehet në rrezik të shtuar. “Në sallën ku jepnim terapi, temperatura arrinte mbi 35 gradë. Kishim raste kur pacientët binin të fikët jo nga sëmundja, por nga nxehtësia. Kishte ditë që as uji nuk ishte i mjaftueshëm për personelin. Kjo nuk është shëndetësi, kjo është mbijetesë. Jam larguar vullnetarisht për shumë arsye, por që e them se kolegët që punojnë aty, nuk e kanë aspak të lehtë”, theksoi ajo.
Plani i Veprimit për Parandalimin e Pasojave të Valëve të Nxehtit në Shëndetin e Popullsisë 2025–2030 e pranon hapur këtë realitet të ri se nxehtësia ekstreme nuk është më përjashtim sezonal, por pjesë e klimës së përditshme me të cilën sistemi shëndetësor duhet të mësojë të bashkëjetojë. Dokumenti strategjik i hartuar në përputhje me udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) thekson nevojën për klimatizim funksional, furnizim të qëndrueshëm me ujë të pijshëm, mbeturina të menaxhuara siç duhet, dhe planifikim për çdo nivel rreziku nga masat parandaluese afatgjata deri tek reagimi emergjent gjatë valëve të nxehtit.
Megjithatë, në terren, zbatimi i këtyre masave mbetet i pjesshëm, fragmentar dhe shpesh formal. Për shumë punonjës të kujdesit shëndetësor, verërat janë bërë periudha stresi fizik dhe emocional, ku përveç mbingarkesës së punës, duhet të përballen edhe me kushte të rrezikshme për veten dhe pacientët.