Në Maqedoninë e Veriut, temat që lidhen me shëndetin seksual, përfshirë testimin për HIV dhe infeksione seksualisht të transmetueshme, mbeten ende të mbështjella me heshtje, paragjykim dhe mungesë informacioni. Pavarësisht se teknologjia dhe mjetet për diagnostikim janë më të qasshme se kurrë më parë, shumë qytetarë, veçanërisht të rinjtë, hezitojnë të kërkojnë ndihmë apo të bëjnë testime për shkak të frikës së stigmatizimit. Tabutë kulturore, mungesa e edukimit seksual të strukturuar dhe infrastrukturës së barabartë nëpër vend, bëjnë që testimi të shihet si diçka e ndërlikuar, jo vetëm në aspektin mjekësor, por edhe shoqëror.
Për këtë, organizata HERA ka filluar fushatën e saj vjetore për testim falas dhe konfidencial për HIV dhe infeksionet, me qëllim rritjen e vetëdijes, veçanërisht te grupet më të rrezikuara. Iniciativa përkon me Javën Evropiane të Testimit për HIV, dhe vjen si një përpjekje konkrete për ta bërë kujdesin shëndetësor seksual më të qasshëm, më të sigurt dhe pa gjykime. “Sot, HIV është një gjendje shëndetësore e kontrollueshme me terapi të disponueshme dhe efektive, e vetmja gjë që ka rëndësi është diagnostikimi në kohë. Diagnoza e vonë është një rrezik i heshtur, diçka që mund të shmanget vetëm me një hap të vogël. Testimi i hershëm do të thotë terapi efektive dhe në kohë , një jetë cilësore dhe të gjatë, si dhe zero rrezik të transmetimit të HIV-it kur njerëzit me HIV janë në terapi dhe virusi është i pazbulueshëm, pra atëherë HIV nuk transmetohet seksualisht”, theksojnë nga HERA.
Nga atje informojnë se qytetarët mund të testohen edhe për sifilizin, gonorrenë dhe klamidia, me rezultate gati deri në 30 minuta, ku testimi bëhet anonim, falas dhe konfidencial si dhe kryhet nga profesionistë dhe këshilltarë të trajnuar mjekësorë. Gjithashtu, HERA thekson se qëllimi është të krijohet një ambient i sigurt dhe jo-stigmatizues për të gjithë ata që duan të kujdesen për shëndetin e tyre seksual. “Testimi zhvillohet në një mjedis miqësor dhe të sigurt, ku përveç shërbimeve shëndetësore, qytetarët mund të marrin edhe këshillim individual mbi shëndetin seksual dhe riprodhues. Hapi i parë drejt kujdesit për shëndetin tuaj fillon me ndërgjegjësimin dhe testimin në kohë. Duke njohur statusin tuaj, ju jo vetëm që kujdeseni për veten, por edhe për partnerët dhe komunitetin në tërësi”, thuhet në njoftimin e tyre.
Sipas HERA-s, shërbimet mjekësore realizohen me mbështetjen institucionale dhe në kuadër të politikave kombëtare për mbrojtje nga HIV. “Java Evropiane e Testimit për HIV është një iniciativë evropiane që synon rritjen e qasjes në testimin për HIV dhe infeksionet seksualisht të transmetueshme si dhe rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e diagnozës së hershme, veçanërisht tek njerëzit në rrezik të shtuar. Këto shërbime zbatohen nëpërmjet Programit për Mbrojtjen e Popullatës nga Infeksioni HIV, i mbështetur nga Ministria e Shëndetësisë”, thuhet në njoftimin e HERA-s.
Sipas të dhënave më të fundit nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe UNAIDS, në Maqedoninë e Veriut, prevalenca e HIV-it në popullatën e moshës 15–49 vjeç mbetet e ulët dhe e qëndrueshme në 0.1 për qind. Kjo përqindje është ndër më të ulëtat në rajon dhe tregon për një situatë relativisht të kontrolluar të përhapjes së HIV-it në vend. Ndërsa, sipas të dhënave të fundit të publikuara nga OBSH, shkalla e infeksioneve të reja me HIV në vendin tonë është 0.02 për 1.000 banorë të pa infektuar. Megjithëse kjo përqindje e ulët tregon për një përhapje të kufizuar të virusit në vend, organizatat që punojnë në fushën e parandalimit dhe trajtimit të HIV-it kanë paralajmëruar se vendi mund të përballet me një rritje të infeksioneve nëse financimet për programet përkatëse vazhdojnë të reduktohen.
Prandaj, HERA fton të gjithë qytetarët për testim falas nga 27 deri më 30 maj, çdo ditë nga ora 15:00 deri në 18:00 në Qendrën Rinore “Dua të di” në Vodno, duke caktuar termin online në numrin e telefonit 02/3176 – 950, apo në rrugën “Elisie Popovski – Marko” numër 2. /Koha/