ASh e Taravarit akuzoi pushtetin për diskriminim të shqiptarëve në administratën publike

    Forumi Rinor i Aleancës për Shqiptarët ka hedhur akuza mbi pushtetin se po deshqiptarizon administratën publike në Maqedoninë e Veriut. Sipas tyre nga të dhënat e publikuara së fundmi për punësime në institucionet shtetërore dëshmohet një diskriminim sistematik dhe i qëllimshëm ndaj shqiptarëve, të cilët, siç thonë ata, përjashtohen në mënyrë të hapur nga mundësitë për punësim dhe avancim në strukturat shtetërore, përcjell Nistori.

    “Me veprimet e kësaj qeveria të dirigjuar komplet nga Agjenda e VMRO-së, po jepen goditje të drejtpërdrejtë ndaj kohezionit ndëretnik dhe barazisë qytetare. Në një analizë të thjeshtë numerike, nga gjithsej 205 punësime dhe avancime të realizuara së fundmi në institucione si Enti i Statistikave, Arkivi Shtetëror, Drejtoria e të Ardhurave Publike, Ministria e Kulturës, Regjistri Qendror, Dogana, Hidrocentarlet: Strugë, Mavrovë–Rostushë dhe Spile Dibër, dhe së fundmi në REK Manastir, vetëm 2 shqiptarë janë punësuar apo avancuar në këto institucione, përkundër 205 maqedonasve. Ky disproporcion alarmant është tregues i qartë i një politike të qëllimshme për të zbehur përfaqësimin shqiptar në administratë”, tha Viola Ramadani, kryetare e Forumit Rinor të Aleancës.

    Në këtë kontekst, thonë ata, përgjegjësia bie drejtpërdrejt edhe mbi zëvendëskryeministrin e parë, Izet Mexhiti, i cili “ka dështuar të mbrojë interesin dhe përfaqësimin e shqiptarëve në qeverisje”.

    “Mosveprimi i tij përballë këtij diskriminimi të hapur, e bën atë bashkëpërgjegjës në këtë proces të rrezikshëm antishqiptar dhe antievropian. Një zëvendëskryeministër që nuk reagon kur shqiptarët përjashtohen nga institucionet, nuk përfaqëson shqiptarët! Andaj, FRASH u bën thirrje të gjithë të rinjve shqiptarë të mos pranojnë heshtjen si normalitet dhe të mos bien preh e manipulimeve të sistemit të vjetër me aktor të rinj. Barazia nuk jepet, por fitohet me reagim, me organizim dhe me presion të vazhdueshëm. Kërkojmë transparencë, përfaqësim real dhe barazi të plotë në çdo institucion. Nëse kjo nuk garantohet, atëherë rinia do të reagojë me të gjitha mjetet demokratike për ta ndalur këtë proces të rrezikshëm. E ardhmja e shqiptarëve nuk do të ndërtohet mbi heshtjen e vazalëve, por mbi zërin, organizimin dhe vendosmërinë!”, thonë nga ASH.

    Lajmi Paraprak

    “RMV deri në vitin 2035 do të digjitalizohet plotësisht”

    Lajmi i rradhës

    Sela: Struga i takon Aleancës për Shqiptarët – s’ka diskutim!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë