Bloomberg: Trump u ka kërkuar shteteve të Ballkanit t’i pranojnë migrantët e dëbuar

    Administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, po ushtron trysni ndaj Serbisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit që t’i pranojnë migrantët e dëbuar nga Shtetet e Bashkuara, shkruan agjencia e lajmeve Reuters, duke cituar mediumin Bloomberg News.

    Radio Evropa e Lirë pyeti Qeverinë e Kosovës nëse administrata amerikane i ka dërguar edhe asaj një kërkesë të tillë, dhe është në pritje të përgjigjes.

    Ngjashëm, REL-i u është drejtuar edhe autoriteteve në Serbi.

    Kërkesat ndaj vendeve të rajonit janë pjesë e një strategjie më të gjerë të SHBA-së për të gjetur qeveri të huaja, të gatshme për të pranuar migrantët e dëbuar, raporton Bloomberg, duke cituar burime që kanë dijeni për këtë çështje.

    Reuters shkruan se nuk ka mundur të verifikojë në mënyrë të pavarur raportin.

    Agjencia shkruan se Shtëpia e Bardhë, Departamenti amerikan i Shtetit dhe Ministria e Jashtme e Serbisë nuk u janë përgjigjur ende kërkesave të saj për koment.

    Muajin e kaluar, Gjykata Supreme e SHBA-së i lejoi administratës Trump të tërheqë statusin e përkohshëm ligjor për qindra mijëra migrantë nga Venezuela, Kuba, Haiti dhe Nikaragua, që jetojnë në SHBA, duke forcuar kështu përpjekjet e presidentit republikan për shtimin e dëbimeve.

    Sipas Bloomberg-ut, administrata Trump po kërkon destinacione të mundshme për migrantët që mund të dëbohen si rezultat i këtij vendimi.

    Lajmi Paraprak

    Masa të rrepta për ndeshjen Shqipëri-Serbi / FShF: ndeshja s’duhet parë si ‘luftë’

    Lajmi i rradhës

    Komuna e Tetovës ka hapur pikën zyrtare për grumbullimin e mbetjeve të kurbanëve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë