Tifozllëku si komponent i qytetërimit

    GËZIM TUSHI

    Padyshim është i lartë dhe plotësisht i merituar sensibilizimi sportiv dhe bashkë me të, edhe emocionaliteti kombëtar për ndeshjen midis kombëtares sonë dhe asaj të Serbisë. Një ngjarje e cila për arsye sportive, por edhe ngjarje ekstra sportive, është kthyer në qendër të vëmendjes së opinionit sportiv, por jo vetëm.

    Dëshira për fitore është e natyrshme dhe narcizimi sportiv për vlerat dhe besimin te kapacitetet e ekipit tonë, janë të natyrshme e të kuptueshme. Por, për arsye që dihen me natyrë sportive, kulturore e sportive është meraku që me patjetër duhet të tregojmë epërsi sportive, qëndresë optimiste, performancë të lojtarëve tanë, doemos të mbështetur nga tifozeria jonë e zjarrtë dhe shfaqjet e merituara të ndjenjës patriotike. Por, duke nxjerrë mësime nga e kaluara e ndeshjeve me ekipin serb, do të ishte e arsyeshme që të tregojmë jo vetëm vlerat e sportit tonë, por edhe vlerat e tifozerisë sonë, emocionale por të kulturuar, si një nga komponentët e vlerësuar në kohën e qytetërimit modern.

    Kohës moderne nuk i shkon asnjë sjellje apo demonstrim nacionalist. Është interesant fakti, që në kohën tonë nacionalizmi në politikë, ekonomi, kulturë ka pësuar evolucion pozitiv, për shkak të zhvillimeve kulturore, ideologjike e sociale globale. Por sociologët thonë se futbolli dhe stadiumet janë ndoshta më kryesorët, në mos të vetmit, që vazhdojnë të jenë arena të shpërthimit të etnicitetit dhe dufeve nacionaliste. Askund tjetër sikurse janë stadiumet nuk kemi kaq shumë grumbullime me strukturë kompakte si tifozeri masive, por pa identitet nominal. Stadiumi është strukturë sociale unike, shumë e madhe në sasinë e njerëzve dhe diversitetin e tyre.

    Nëse strukturat e tjera të jetës sociale kanë pësuar ruptura, janë dobësuar dhe kanë humbur nga kohezioni i tyre i brendshëm, stadiumet vazhdojnë t’i kenë “tegelat” shumë të fortë. Prirjet individualiste, tendencat desolidarizuase si prirje konstante të jetës moderne nuk shfaqen në strukturën sociale të tifozerisë, e cila është kompakte, e fortë, e qëndrueshme. Është tamam një lloj “kapitali social” që prodhohet aty, edhe pse jo të gjithë tifozët e njohin njëri-tjetrin. E sigurt që sot stadiumi ka një “kontekst social” kompakt. Por ekzistenca e strukturës së tifozerisë është kalimtare dhe kapitali social është i paqëndrueshëm, sepse edhe tifozët janë kompaktë si tifozë, por nominalsiht të rastësishëm. Megjithatë, ky kapital social tifozerik është shfaqja e një “besnikërie pa kushte”, e përgjithshme edhe pse sociologët e quajnë atë “masë e mjegullt”, që në këtë rast i bashkon kauza sportive e drejtpërdrejtë. Kjo bën të mundur dhe kemi rastin sot, të shfaqim dukshëm kulturë sportive dhe “besnikëri në grup” të tifozëve të kombëtares sonë, i cili nuk është nacionalizëm, por një “patriotizëm i butë”, që nuk ka asnjë lidhje me shfaqjet nacionaliste. Kjo do të thotë se, kultura e tifozllëkut nuk ka lidhje me britmat banale, fjalët e papërshtatshme e denigruese, të cilat ndikojnë në faktin që shpesh ata humbasim sensin logjik.

    A ka ndonjë gabim tifozllëku? Absolutisht jo!

    Sociologjikisht janë të natyrshme dhe të pranueshme vlerat pozitive të tifozllëkut racional. Tifozllëku është i natyrshëm si empati dhe “besnikëri masive” kombëtare, por ajo që duhet vlerësuar është fakti që specifika e futbollit, prania e njerëzve shumë të ndryshëm në shtetësi ka nevojë jo për format e buta, moderne dhe humane të “besnikërisë kombëtare”, e cila në sport është gjë e mirë, me vlerë, por që bëhet “kanceroz” kur ai merr ngjyrat e ultranacionalizmit, apo ca më keq, të shovinizmit.

    Të cilat sjellin konflikte të dhunshme. Tifozi i paekuilibruar dhe eksentrik, që denigron “tjetrin” si kundërshtar sportiv, është shumë shpesh shkaktari që nxit dhunë, duke përdoruar me qëllime dashakeqe apo injorante përdorimin e anekdodave raciste dhe fyerjeve etnike. Ata janë pak, por në turma entuziaste është i madhe rreziku i kontaminimit dhe infeksionit social. Ne shqiptarët, mbase ndryshe nga ca të tjerë, historikisht kemi treguar se jemi “komb” dhe jo thjesht “race” që ushqen racizmin biologjik dhe urrejtjen për të tjerët. Ne dimë të tregojmë qytetari edhe kur shfaqim entuziazëm, mbështetje, emocion, pasion dhe ndërgjegje kombëtare. Agresiviteti, iracionaliteti, ndikimet e pakontrolluara të “kortizolit” që sjell agresivitet dhe urrejtje për skuadrën tjetër, janë të huaja për kulturën dhe qytetërimin tonë. Nuk është patriotizëm, as tifozeri biofilike, sjellja antisportive, britmat me tone pexhorative e ngjyrime nacionaliste, apo ca më keq shfaqjet e shëmtuara të “racizmit” (shqiptar vs serb).

    Tifozeria është e natyrshme të jetë e ndarë nga pikëpamja e mbështetjes sportive, por jo e ndarë nga qëllime ideologjike ekstra sportive, sepse nuk e ka as sporti as stadiumet detyrë dhe mundësi për të qenë përcaktues të “identitetit kombëtar”. Nuk ka pse bëhen më të thella apo me natyrë ideologjike dhe eticiste ndjenjat sportive. Sepse ndjenjat sportive ndryshe nga ato ideologjike, etnike apo nacionale, nuk janë të ngurta, të qëndrueshme, por janë ndjenja kalimtare, “ikëse”, jetëshkurtra e fluturake.

    Sado kapriçioze të jenë ato kur jemi në shkallët e stadiumit, nën peshën e një lloj narcizizmi të kuptueshëm për vlerat e ekipit tonë kombëtar, nuk mund dhe nuk duhet të bëhen ndjenja toksike, të shoqëruara më shpërthime të pakontrolluara të zemërimit, kërcënimeve apo përbuzjes së kundërshtarit të lojës. Akoma më keq kur prishet “termostati emocional” i tifozerisë dhe për pasojë, ato marrin dimensione infeksioniste, të sinkronizuara në formën e kontaminimit kolektiv. Ne po shkojmë në stadium për fitoren e shumëpritur të kombëtares sonë, të “armatosur” me besim tek ekipi ynë, performancën dhe kapacitetet e tij. Por, natyrshëm edhe me një lloj “tifozllëku narciztik” të përbashkët, kolektiv që buron nga ecuria e tij. Por pa e parë këtë realitet të ndarë” “ne” dhe “ata”, pa urrejtje dhe larg stereotipave të vjetër, agresivë, armiqësorë.

    Ne po shkojmë në stadium si qytetarë, për të parë ndeshjen dhe për të gëzuar fitoren tonë. Ky patriotizëm qytetarisht i butë, kjo besnikëri sportive masive e natyrshme, nuk ka nevojë fare për ata njerëz, kushdo qofshin dhe kudo qofshin ata, që duan të injektojnë paragjykime të rrezikshme ekstra sportive e nacionaliste, qoftë të nënkuptuara apo të fshehura, që synojnë të sjellin emocione negative. Problemet e tjera nuk zgjidhen as me pasione tifozerie dhe as në arena sportive. Ne kemi rastin sot të tregojmë vlerat e njohura, konstante e historike duke respektuar parimin e qytetërimi modern universal: Në lojë tjetri duhet respektuar…/Gazeta Panorama 

    Lajmi Paraprak

    Gjermanët nuk i besojnë ShBA-së dhe Izraelit

    Lajmi i rradhës

    Më shumë se dy milionë myslimanë përfunduan Haxhin, mes tyre edhe haxhilerët nga RMV

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë