SHËNIME NGA TETOVA
Kujtim Shabani
U mbyll edhe dyqani i lagjes. Keq për atë, keq edhe për ne. U mbyll mu kur qari duhej t’i ecte më mirë. Ai u shua pasi u mbyllën të gjitha dyqanet një për një në rrugën kryesore poshtë lagjes. Kur i numëroj tani, në vitet 1990/2000 në një segment prej 300 metrave, nga fundi i Shtëpia Përmirësuese deri te restorant “Kurtishi”, aty kanë qenë hapur tetë-nëntë dyqane, dhe për vite të tëra kanë punuar – e pakta pesë prej tyre përnjëherë.
U mbyll edhe dyqani i parë fare në këtë segment. Atë e punonin dy veta. Në njërin turn ishte la(la) Gani, në të dytin – la Gani tjetër. Njërin e kishim fis më të afërm, tjetrin më të largët. Nuk më kujtohet se kishte arkë fiskale. Ata mbanin uniformë pune dhe një stilolaps në xhepin e jashtëm të zemrës. Hesapin e mallrave të pazarit e bënin me një virtuozitet të paparë në një cep letre. Mu si mësuesi i matematikës në fillore, Neshat Haziri, i cili operacionet e ndërmjetme i qante në margjina të dërrasës së zezë.
Dyqani i dy Ganive ishte i kohës së komunizmit, kur gjindja prisnin radhë në mëngjes për bukë, a për qumësht. Ky ishte edhe testi për t’u bërë një çun tamam. Kur shkoje vetëm te la Gani për ndonjë pazar, në lagje quheshe “i rritur”. Nga atëherë shkoje në dyqan për shtëpinë dhe për fqinjësinë. Kështu të dilte edhe ndonjë çamçakëz “Çunga Lunga” ose qese kokrrizë “Gringo”. Pas ndërrimit tësistemit, dyqanin e morën tri djemtë e njërit Gani. Por s’ishte e thënë: Ata e shtynë ca vjet; kur erdha për pushime një mot, i kishin vënë drynin.
Dyqani i dy Ganive ishte i kohës së komunizmit, kur gjindja prisnin radhë në mëngjes për bukë, a për qumësht. Ky ishte edhe testi për t’u bërë një çun tamam. Kur shkoje vetëm te la Gani për ndonjë pazar, në lagje quheshe “i rritur”. Nga atëherë shkoje në dyqan për shtëpinë dhe për fqinjësinë. Kështu të dilte edhe ndonjë çamçakëz “Çunga Lunga” ose qese kokrrizë “Gringo”. Pas ndërrimit tësistemit, dyqanin e morën tri djemtë e njërit Gani. Por s’ishte e thënë: Ata e shtynë ca vjet; kur erdha për pushime një mot, i kishin vënë drynin.
Pse u shuan të gjitha këto biznese? Për këmbe, shumica gjatë viteve të fundit. Përnjëherë! Ja, do të thonë ata që duan t’i ikin të vërtetës së kulluar, për shembull për shkak se u përhapën këto superdyqanet… Po pastaj pse umbyllën? Të gjithë për këtë arsye falimentuan? Një kohë punonin flakë vjehrri e dhëndri përbri njëri-tjetrit. Ja vdiq ndonjëri, sepse “sot jemi, nesër s’jemi”. Po nuk vdiqën të gjithë! Pastaj ata kanë edhe trashëgimtarë…
Emigrimi? Emigrimi. Emigrimi! Jo, pronarët nuk shkuan të gjithë në mërgim. Disa i shoh kur vi në Tetovë, aty janë. Po janë arratisur klientët. Secilën herë kur vi, e kuptoj se ndonjë i njohur ia ka mbathur në Gjermani. Klasat e shkollave janë rralluar. Pinjollët e la’s Gani janë në Tetovë. Por njëri punon si shofer autobusi i linjave të largëta. Keni dalë një të premte a të shtune paradite në stacionin e autobusëve në Tetovë? Është vajmedet! Është det me vaj!
Kujt t’i ankohesh? “T’u ankohesh maleve, malet të largohen…” Jo, thotë politika njëzetvjeçare në pushtet eshqiptarëve të Maqedonisë së Veriut në avazin rapsodiko-demagogjik, punë ka, pse do të vinin përndryshe në Tetovë njerëz nga ana e anës për të punuar këtu!? Po ç’është atëherë ky turr emigrimi te shqiptarët, “induksionkolektiv”? U çmend njëri dhe u çmendën të gjithë? Si te Shvejku i Hashekut? Sikur shqiptarët ikin për pikë të qejfit. Sikur politikat sociale janë më të mirëmenduarat.Sikur politikat e punësimit nuk kanë behane.
Po emigrojnë nga i gjithë rajoni, dëshiron ta hedhë luminpolitika. Po, po, ikin nga i gjithë Ballkani, por ikin nga pakënaqësia. Nga mungesa e perspektivës. Ky është thelbii hidhur, të cilin e mohojnë këta. Ky është ngushëllimi i dështakëve! Alibia e lodhur e tyre. Sepse i gjithë Ballkani është viran. Prandaj janë jashtë Bashkimit Europian dhe i qasin me pikatore. Dhe atij që i kanë ikur më shumë qytetarë në emigrim, ai është më i dështuari!
Në Tetovë janë përtharë biznese të tëra. Fatin e dy Ganive e kanë pasur plot të tjerë. Gjithandej nëpër qytet mungojnë biznese të vogla. Viteve të fundit janë shembur ekonomi të tëra familjare. Njerëzit e kanë humbur sigurinë ekonomikedhe mirëqenien. Tani rropaten pas gjurmëve të klientëve të tyre. Statusin e “çunit të rritur” nuk e fiton më kur shkon vetë te dyqani i la’s Gani, dy-treqind metra nga shtëpia për pazar, por kur ikën me autobusin e pinjollit të tij për një ekzistencë me dinjitet, mijëra kilometra larg.
*Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.