Jo parti, por opsione të reja politike te shqiptarët

    Sefer Tahiri, profesor universitar / Fotografia: Nistori

    Sefer Tahiri
    Profesor universitar

    Besim Hoda, kreu apo përfaqësuesi i Organizatës së Veteranëve të Luftës së ish Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare paralajmëroi formimin e partisë së re politike, e cila me gjasë do të drejtohet nga ai. Nuk ka asgjë të keqe, përkundrazi në këtë amulli politike në të cilën janë shqiptarët mbase ky është lajm i mirë. Aktivizmi politik i secilit që e bën me vullnet të lirë dhe dëshirë për të qenë kontribues në proceset demokratike duhet\ mbështetur me kushtin që të mos jetë pjesë e ndonjë skenari të huaj ogurzi apo zgjatim i inxhinjeringut të instaluar politik me dekada, i cili nxjerr në skenë parti apo lëvizje politike, në funksion të “lojës” demokratike”! Demokracia megjithatë nuk është lojë!

    Në të vërtetë, pavarësisht se mbështes aktivizmin politik të gjithsecilit, që e bën me nijetin e mirë, shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, nuk u duhen parti të reja politike, sepse ato i kanë me bollëk. Edhe i kanë pasur, pasi nga vitet 90/ta, nga Partia e Prosperitetit Demokratik (PPD), partia e parë shqiptare, si “kërpudha pas shiut” janë formuar mbi 20 parti politike. Disa kanë pasur rol episodik, duke u shuar pas dështimit në një cikël zgjedhor, e disa u kanë mbijetuar stuhive të politikës. Për dallim nga dy partitë politike maqedonase, VMRO DPMNE dhe Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë, të cilat plot 35 vite kanë qëndrueshmëri në skenën pluraliste, dy partitë e para shqiptare, PPD-ja dhe Partia Demokratike Popullore (PDP) janë joekzistente, ndërsa Partia Demokratike Shqiptare (PDSH), e formuar në vitin 1997 është parti me një deputet, Menduh Thaçin, i fituar falë Frontit Evropian. Partia e dalë nga ish Ushtria Çlirimtare Kombëtare, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) është partia me jetëgjatësi më të madhe në pushtet, herë me LSDM-në, e herë me VMRO DPMNE-në.

    Nëse shqiptarëve nuk u duhen parti, çfarë është e domosdoshme në konfiguracionin e sotëm politik?

    U nevojiten projekte apo opsione të reja alternative politike, të cilat kanë profilizime të qarta e të strukturuara ideologjike dhe politike, të cilat nuk do t’u ngjajnë partive ekzistuese si “veza vezës”! Nuk do të jenë multiplikim i BDI-së dhe do të dallojnë ndjeshëm nga ajo dhe partitë që ngjajnë me të, si në aspektin kuadrovik, strategjik metodik dhe veprues, programor e ideologjik. Njerëzit në parti të ndryshme thuajse janë të njëjtë, pasi veç fanellën e partisë e ndërrojnë, ndërsa pozicionet në pushtet i kanë konstante, gati se të përjetshme.

    Të gjitha partitë ekzistuese kanë vetëm një linjë programore: avancimin e statusit juridik – kushtetues të shqiptarëve. Me ironi do të thonim se krejt partitë merren me shqiptarët, e ata ngelin të diskriminuar e jo rrallë herë të poshtëruar nga sistemi.

    Nevojitet opsion i ri, i cili do të artikulojë njësoj si kërkesat substanciale politike, poashtu edhe ato jetësore dhe ekonomike, sepse politikbërja duhet të reflektojë përtej filozofisë puropolitike që kryefjalë ka statusin juridik të shqiptarëve.

    Opsioni i ri duhet të jetë autentik, qoftë në pushtet, qoftë në opozitë! Duhet opsion që kur nuk bëhet “hesap” në qeveri, të mos tentojë të gjejë argumente e arsyetime në stilin “Ku të shkojmë, te shpija”? Me palën maqedonase duhet të vendoset partneritet e jo raporte të stilit “pronari dhe qiraxhiu”.

    Nevojitet klasë e re politike, jo në moshë, por me mendësi, e cila nuk do të sillet kur është në pushtet si internacionaliste (multikulturaliste), ndërsa sa del në opozitë e mpreh shpatën e etnonacionlizmit, duke u bërë gjoja mburojë e fuqishme e shqiptarëve.

    Opsioni i ri duhet të ketë konsistencë në qëndrime, që të mos ndodh që para disa muajve të jetë i kënaqur me qeverisjen dhe vetëm pas një kohe të shkurtër të bëjë opozitën e fuqishme, thuajse shqiptarëve u ka ndodhur hataja. Kur ata janë mirë në pushtet, edhe shqiptarët duhet të thonë se janë mirë! Logjikë antipolitike!

    Nevojitet opsion i ri, i cili nuk do të flasë për ridefinim dhe pastaj do ta harrojë atë si ide dhe koncept, si rezultat i vrapit makiavelist pas pushtetit.

    Përfundimisht nevojitet meritokraci e njëmendtë, e jo sa për sy e faqe, e cila në sfond e ka partitokracinë dhe logjikën primordiale fisnore lokaliste përkatësisht e bazuar tek grumbullimi i votave në familje, mëhallë, katund ose lagje. Pikërisht duke u nisur nga logjika dëgësore e nëndegësore e partive, ne kemi pasur dhe kemi njerëz që kanë kryer shkenca sociale, të cilët janë emëruar apo zgjedhur drejtorë kompanish, që duhej të drejtoheshin nga inxhinierë! Agronomi assesi të zgjidhet ministër ose zëvendësministër te bujqësia, as tani me VLEN-in, e as kur në pushtet ishte BDI-ja.

    Pozitave duhet gjetur njerëzit, e jo njerëzve pozitat.

    *Artikulli është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i ka vetëm Nistori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    Të fortin e Strugës s’e gjunjëzon kush

    Lajme tjera

    Përse duartrokasim?!

    SHEFQET MEKO  Duartrokitjet entuziaste të njeriut dhe veçmas të turmës, më kanë ngacmuar fantazinë. Shpesh, kur kujtoj “kohën…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë