Janë dhënë 125 milionë euro, që është gjysma e parave të destinuara për kompanitë nga kredia hungareze. Kjo u konfirmua për Radion Evropa e Lirë nga Banka për Zhvillim e Maqedonisë së Veriut, përmes së cilës paratë e marra si kredi nga Hungaria duhet të përfundojnë te kompanitë në Maqedoninë e Veriut.
Por, nga banka nuk zbulojnë se cilat kompani private tashmë kanë marrë para, sidomos pasi kreditë që i marrin nuk janë nga banka shtetërore, por përmes bankave komerciale.
“Informacionet të cilat kërkohen nga Banka për Zhvillim janë informacione që banka i ka siguruar gjatë kryerjes së aktiviteteve bankare dhe të tjera për individë të caktuar dhe të njëjtat në përputhje me Ligjin për Bankat, neni 111 dhe neni 112, përbëjnë një sekret bankar që banka është e detyruar ta mbrojë dhe ta ruajë”, thanë nga Banka për Zhvillim.
Që nga mesi i muajit maj Qeveria ka bërë të mundur përdorimin e parave nga kredia që shteti e ka marrë nga Hungaria. Është paraparë që 250 milionë euro të jenë mbështetje financiare për kompanitë përmes kredive të favorshme që ato do t’i marrin nga bankat komerciale, të cilat nga ana tjetër do t’i përdorin paratë nga kredia hungareze përmes Bankës për Zhvillim. Nga Qeveria thonë se interesi për shfrytëzimin e fondeve nga kompanitë është i madh, por se të gjitha kompetencat i takojnë Bankës për Zhvillim.
“Qeveria i ka caktuar kushtet për përdorimin e kësaj linje të kredisë në mënyrën më transparente, gjë që në vetvete u mundëson institucioneve ta zbatojnë procesin në përputhje me procedurat e përcaktuara. Disponueshmëria e kësaj mundësie për të gjitha kompanitë vendase që janë të interesuara konfirmon të kundërtën – kjo Qeveri po sjell masa dhe politika që, sipas rregullave dhe procedurave, vlejnë njësoj për të gjithë”, thanë nga Qeveria.
Përndryshe pak kohë më parë partia opozitare E Majta njoftoi se kishte kërkuar të dhëna mbi kompanitë private që do t’i shfrytëzojnë paratë publike sipas Ligjit për Qasje të Lirë në Informata me Karakter Publik, por se nuk i kishte marrë për shkak të sekretit bankar.
Antikorrupsioni po ndjek procesin
Nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit janë të mendimit se emrat e kompanive që përdorin para publike duhet të zbulohen. Sipas KSHPK-së ky është një proces me interes të lartë publik që nuk mund të jetë jo transparent.
“KSHPK-ja është e mendimit se kjo është një çështje me interes të lartë publik, prandaj po e monitorojmë nga afër situatën dhe po shqyrtojmë mundësinë e ndërmarrjes së veprimeve brenda kornizës së kompetencave tona. Ne besojmë se çdo shpenzim i fondeve publike, në këtë rast fondeve të marra përmes kredisë shtetërore, duhet të jetë plotësisht transparent”, thonë nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.
Përndryshe, Banka për Zhvillim ka frikë t’i zbulojë informacionet që kërkohen prej saj edhe për shkak të gjobave. Sipas bankës, zbulimi i informacioneve sanksionohet me një gjobë prej 15.000 euro për bankën dhe 30% të gjobës së shqiptuar për personin përgjegjës.
“Përveç gjobës publikimi i këtyre informacioneve të mbrojtura do të shkaktojë një reputacion negativ për bankën, si dhe mundësinë e inicimit të një sërë procesesh ligjore nga përdoruesit përfundimtar”, thonë nga banka.
Sipas analistit ekonomik Zoran Jovanovski, qytetarët duhet të dinë se si shpenzohen paratë e tyre, por gjëja kryesore është që bankat të vazhdojnë t’i miratojnë kreditë.
“Transparenca, mendoj se të gjithë jemi për transparencë, ky është një parim i përgjithshëm, nuk kam asgjë kundër saj. Megjithatë, koha do të kalojë, do kalojë një vit, do kalojnë dy dhe do të shohim se si do të shkojë arkëtimi i këtyre kredive. Për mua, vendimi që bankat ta vlerësojnë aftësinë kreditore të kompanive që do të marrin kredi është i rëndësishëm, sepse bankat kanë njohuri për këtë çështje. Kjo është shumë më mirë sesa shteti të japë vlerësime për ato kompani që do të aplikojnë me projektet e tyre nëse kanë kapacitet për t’i kthyer ato kredi”, thotë Jovanovski.
Kushtet për marrjen e kredisë për kompanitë janë me 1,95 % kamatë, një grejs periudhë prej 3 vitesh dhe një periudhë shlyerjeje deri në 15 vjet. Ato duhet të kenë një pjesëmarrje të tyre prej 20% për projektin që do të financohet me kredi. Vendimi për financim është në duart e bankave komerciale.
Për kredinë hungareze më 17 shtator Kuvendi miratoi një ligj të posaçëm, pas të cilit më 8 tetor u nënshkrua marrëveshja në Budapest.
Kreditë për kompanitë janë pjesë e një kredie prej një miliard eurosh që Maqedonia e Veriut e mori nga Hungaria. Dyqind e pesëdhjetë milionë euro janë për kompanitë, e njëjta shumë për autoritetet lokale dhe 500 milionë për shlyerjen e kredive të vjetra të shtetit.
Kryeministri i Maqedonisë, Mickoski, dhe homologu i tij hungarez, Viktor Orban, e dakorduan kreditë në Samitin e NATO-së në Uashington në korrik të vitit 2024.
Afati i shlyerjes është 15 vjet me një grejs periudhë prej tre vjetësh, kamata për shtetin është 3,25 përqind.
Prodhimtaria dhe tregtia, fusha që financohen më shpesh
Banka për Zhvillimi deri më tani ka shpërndarë 125,8 milionë euro në tre transhe nga linja e kredisë për mbështetjen dhe zhvillimin e kompanive vendore drejt bankave komerciale. Shuma më e madhe që një kompani mund ta marrë është 10 milionë euro. Deri më tani para janë ndarë për 470 projekte, shumica e të cilave, gjegjësisht 269, janë për kompani të vogla, 113 për kompani të mesme, 60 për të mëdha dhe 28 mikro kompani.
Sipas veprimtarive, 171 projekte janë nga fusha e prodhimtarisë, 113 e tregtisë, 88 e transportit, ndërsa pjesa tjetër janë nga fusha e ndërtimtarisë dhe hotelerisë. Për veprimtaritë e tjera, në përgjigjen e saj për Radion Evropa e Lirë banka ka numëruar 15 projekte, por nuk ka specifikuar se për cilat veprimtari bëhet fjalë.
Sipas llojit të investimit, 48% e shumës së paguar është për investime në kompani ndërtimore, 40% për investime në pajisje, 7% për investime në burime të rinovueshme të energjisë dhe rreth 6% për investime në mjete transporti.
Përndryshe, kompanitë nuk mund t’i përdorin këto para për të shlyer borxhe të vjetra ndaj bankave, sepse kamata për kredinë shtetërore është shumë më e ulët se ajo e bankave komerciale.
Fillimisht ka pasur një interes të madh për paratë e kredisë, madje edhe më të madh se sa kishte parashikuar shteti. Disa nga bankat vendosën të financonin më shumë kompani me fonde më të vogla në mënyrë që sa më shumë kompani të përfitonin nga kredia shtetërore, ndërsa pjesën tjetër të parave ta merrnin përmes kredive komercial. Kredi kanë marrë vetëm kompanitë private.