Urim Hasipi
Mbajtja në punë me kontrata për dhjetë vite të shumë infermiereve dhe personelit tjetër mjekësor në Spitalin Klinik të Tetovës është turp. Nëse mund të thuhet në variantin më të lehtë Turp. Kjo neglizhencë, kjo përbuzje dhe kjo mospërfillje e kërkesave të tyre, i tejkalon përmasat humanitare. Më e pakta në këtë rast është aspekti humanitar. Këtu, kemi të bëjmë me degradim të profesionit të shenjtë të mjekut dhe përkujdesëve shëndetësor. Askush sot nuk pyet se, sa mund kanë harxhuar familjet e tyre për të shkolluar këto kuadro, që të jenë në shërbim të njerëzve që kanë probleme shëndetësore.
Askush nuk pyet se sa probleme kanë pasur derisa të punësohen, nëse mund ti thuhet punësim dinjitoz, sepse janë punësime me kontrata dhe jo vendime të përhershme. Ky është njëri aspekt, por aspekti tjetër është më i dhimbshëm. Pikërisht, fati i këtyre infermierëve ka qenë dhe është në duart e atyre që vishen me kravata dhe këmisha të bardha, pra funksionarëve. Të gjithë e dijmë një realitet, se sa e sa funksionarë me këmisha të bardha dhe kravata kanë intervenuar tek këta infermiere për të kryer punë. Kanë intervenuar për të mos respektuar terminin, për të hyrë një i afërm i tyre në kontroll pa pritur rradhë. Po, kanë intervenuar për të hyrë në operim një i afërm i tyre pa rradhë. Sa e sa ministra kanë ardhur e kanë shkuar tejqafe por asnjëherë statusin e tyre nuk e rregulluan.Sa prej tyre kanë intervenuar që të kryejnë punë pa asnjë protokoll. Dhe epilogu, i lanë në mëshirë të fatit këta djem dhe vajza që të mos e kenë të ardhmen e tyre të sigurtë.
E dhimbshme dhe e prekshme, kur janë ngushtë funksionarët intervenojnë te këta infermiere por kur duhej dhe duhet të vendosin për fatin e tyre nuk bëjnë zë. Heshtën ish-ministra e ish-drejtorë. Heshtën shefat e tyre të reparteve dhe jo vetëm por heshtëm të gjithë si shoqri përballë kësaj përbuzje. Jo e dhimbshme, por i tejkalon normat e njerëzisë dhe aspektit moral. Të lejohet që një infermiere të shërbejë pacientët 10 vite dhe mos ta ketë statusin e rregulluar të punësimit është papërgjegjësi dhe mos interesim i skajshëm. Nuk pyet askush se si është gjendja ekonomike në familjet e tyre. Askush nuk pyet se pikërisht këta 140 infermiere ose personel mjekësor, kujdesen për një popullatë prej rreth 200 mijë banorëve.
Askush nuk pyet dhe nuk gjen forcë që të përmend kontributin e këtyre djemve dhe vajzave gjatë kohës së pandemisë Covid 19, atëherë kur të gjithë kishim nevojë për këtë personel mjekësor më së shumti. Por, jo vetëm në atë kohë, ne kemi nevojë çdo ditë për këta infermiere dhe ua dijmë për nderë. Por, a ua dijnë për nderë ata me kravata dhe këmisha të bardha, është pyetje që përgjigjeja dihet, sepse po të ishe ndryshe, nuk do të kishte ardhur situata që të dilet në protesta.
*Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë autori dhe Nistori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.