Nga: Matt Wilson / BBC
Kur mendojmë për Vincent van Goghun, shumica e njerëzve do të kujtojnë menjëherë luledjellat e tij ikonikë, të realizuar guximshëm dhe me një ngrohtësi agrumesh. Është një formë identifikuese, si një markë të cilën artisti e kishte synuar. “Luledielli është i imi,” ka shkruar ai dikur, duke treguar dëshirën e tij për t’u lidhur publikisht me këtë bimë të madhe sa njeriu, të paturpshme, dhe me kurorën e saj prej petaleve që lëkunden me vetëbesim, si një kreshtë flakësh. Luledielli kishin qartazi një domethënie të thellë për të. Prandaj, nëse diçka synonte Vincenti, çfarë donte të simbolizonte ai me helianthus annuus-in e tij të dashur?
Krahas Natës me yje, Luledjellat, në Galerinë Kombëtare në Londër, janë ndoshta vepra më e njohur e tij. Por, artisti pikturoi gjithashtu edhe dhjetë kanavaca të tjera që u përqendruan te këto lule. Ato erdhën në tri shpërthime të shkurtra frymëzimi. E para ishte një seri prej katër veprash të krijuara në Paris në vitin 1887. Grupi i dytë, po ashtu prej katër kanavacash, u realizua për më pak se një javë pas zhvendosjes së tij në qytetin jugor francez të Arleit në vitin 1888. Faza e tretë (në fillim të vitit 1889) përfshinte kopjimin e tri kompozimeve nga viti i mëparshëm. Versionet më të famshme nga viti 1888 u pikturuan në një valë vetëbesimi dhe kënaqësie sensuale, “me oreksin e një marsejezi që ha bujabesë,” siç u shpreh ai vetë. E, megjithatë, kur shkruante për lulediellin në letrat e tij, Van Goghu nuk dha kurrë deklarata të qarta për atë se çfarë me të vërtetë do të thoshte për të.
Nga njëra anë, ato duken si një mjet për të eksperimentuar me kombinime ngjyrash – veçanërisht me kombinime të nuancave të ndryshme të së verdhës. Por, ato ishin gjithashtu të menduara për të zbukuruar një shtëpi ku pritej të jetonte një artist tjetër, Paul Gauguin. Gauguin kishte admiruar pikturat e mëparshme të Van Goghut me lulediellë, ndaj ndoshta ato mishëronin shpresat e papërmbajtshme të artistit për solidaritet dhe miqësi – dëshira këto të cilat në fund do të shuheshin, ashtu si edhe etja e Vincentit për famë artistike gjatë jetës. Gauguin e la Van Goghun pas vetëm dy muajsh, dhe Vincent vdiq në moshën 37-vjeçare pa arritur të shiste shumë nga veprat e tij.
Por, pikturat e Van Goghut me lulediellë fituan me shpejtësi statusin e një kulti në fillim të shekullit XX. Fillimisht, kjo ndodhi brenda avangardës artistike evropiane. Në vitin 1920, shkrimtarja Katherine Mansfield vuri në dukje se “lulet e verdha, të mbushura me diell, në një vazo” kishin frymëzuar zgjimin e saj krijues. Në vitin 1923, kritiku Roger Fry i përshkroi luledjellat e Van Goghut si “një nga sukseset triumfuese të këtij viti,” që zbulonin “energjinë supreme, vitalitetin dhe fuqinë e vrullshme të shprehjes” të artistit. Më vonë, këto vepra arritën edhe njohjen e gjerë, duke ndihmuar që Van Gogh të bëhej një nga piktorët më të famshëm dhe me ndikim në historinë e artit.
Ndikimi i Van Goghut në shekullin XXI është tema e ekspozitës më të re të Akademisë Mbretërore, Kiefer / Van Gogh, e cila eksploron ndikimin e tij te një nga artistët tanë më të mëdhenj bashkëkohorë, Anselm Kiefer. Dhe, luledielli luan një rol kyç. Në zemër të ekspozitës ndodhet Danaë, një skulpturë e re nga Kiefer që paraqet lulediellin që del nga një grumbull librash. Diku tjetër ndodhet një gravurë në dru që përshkruan një helianthus annuus që mbin nga trupi i një njeriu të shtrirë. Ato nxjerrin në pah interesin e qëndrueshëm të Kieferit për këtë motiv dhe na japin mundësinë të zbulojmë simbolizmin enigmatik të bimës si në artin e tij, ashtu edhe në atë të Van Goghut.
“Për Van Goghun, luledielli mishëronte idenë e tij për Jugun,” thotë për BBC-në, kuratori i ekspozitës, Julien Domercq, duke iu referuar zhvendosjes së tij nga Parisi në Provansë. Por, Van Goghu kishte punuar si tregtar arti në rini dhe ishte shumë mirë i arsimuar në historinë e artit. Njohuritë e tij kulturore shfaqen qartë në mënyrën se si ai i përfaqësonte lulet. “Ai i paraqet ato në një traditë të madhe holandeze: këto lule që vyshken dhe vdesin … lulet që ende shikojnë drejt qiellit, dhe pastaj ato që dalëngadalë zbehen, marrin ngjyrë kafe – dhe kështu bëhet një meditim i vërtetë mbi kalimin e kohës.”
“Mendoj se me Kieferin ndjek linja të ngjashme,” thotë Domercq. “Kjo ide e ciklit të jetës, e kësaj luleje jashtëzakonisht të gjallë, një lule jugore, lule që shikon drejt qiellit.”
Çdo simbolizëm artistik mund të shpjegohet përmes evolucionit të ideve dhe asociacioneve. Kuptimi i lulediellit ka rrënjë në të kaluarën dhe ka nxitur diskutime të gjera, si në shkencë ashtu edhe në shkencat humane. Van Goghu nuk ishte i pari dhe as e vetmja mendje krijuese në histori që ishte i magjepsur prej tij. Lulja kanë ndezur imagjinatën e panumërt artistëve dhe shkrimtarëve në të kaluarën, përfshirë ndër të tjerë emrat si, Sir Anthony van Dyck, Maria van Oosterwyck, William Blake, Oscar Wilde, Dorothea Tanning, Paul Nash dhe Allen Ginsberg.
Ndryshe nga shumë simbole të tjera në historinë e artit, luledielli është relativisht i ri. Ato janë nga Amerika dhe u prezantuan në “Botën e Vjetër” vetëm pas eksplorimeve të Kolombit dhe kolonizimit evropian në shekullin XVI. Kur u kultivuan dhe u përhapën me sukses në Evropë, fakti që luledielli i papjekur kthen fytyrën për të ndjekur diellin (një fenomen i njohur si heliotropizëm) u bë tipari më tërheqës i bimës, duke ndikuar fuqimisht në formimin e kuptimeve simbolike.
Në vitin 1568, botanisti Giacomo Antonio Cortuso e lidhi lulen me një personazh mitologjik të lashtë të quajtur Klitia. Thuhet se Klitia u dashurua me Apolonin, një zot i lidhur me Diellin, dhe u fiksua pas lëvizjes së tij nëpër qiell, derisa këmbët e saj u rrënjosën në tokë dhe ajo u shndërrua në një lule heliotrope.
Luledielli u lidh shpejt në mënyrë të drejtpërdrejtë me Klitinë në art, duke u kthyer në një ikonë të dashurisë së përkushtuar. Këtë mund ta shohim në pikturat si Lulet në një vazo zbukuruese (1670-‘75) nga Maria van Oosterwyck, ku karafili dhe luledielli e shikojnë njëri-tjetrin me adhurim përmbi një skulpturë që ngjan me një Venerë që lahet, por që të kujton fort figurën e palëvizshme të Klitisë. Te Gruaja e re që mban lulediellin (1670), nga Bartholomeus Van der Helst, lulja me shumë gjasë simbolizon martesën e gruas, duke treguar se si ajo ishte zhvilluar në një simbol të dashurisë dhe lidhjes romantike.
Por, tema e përkushtimit u lidh gjithashtu edhe me fenë në vepra arti. Në Pushimi gjatë ikjes në Egjipt (1632) nga Anthony van Dyck, Virgjëresha Mari ka lulediellin për të simbolizuar rolin e saj si ndërmjetëse mes tokësores dhe qiellores. Lulja tani nënkuptonte edhe devotshmërinë fetare.
Në vitin 1654, poeti dhe dramaturgu holandez Joost van den Vondel sugjeroi që luledielli mund të ishte simbol i vetë artit. Ashtu si luledielli i ri që ndjek drejtimin e diellit, shkroi ai, “ashtu edhe arti i pikturës, nga talenti i lindur dhe i ndezur nga një zjarr i shenjtë, ndjek bukurinë e natyrës.” Ky mund të jetë çelësi për të kuptuar një tjetër vepër të Anthony van Dyckut, Autoportret me lulediellin (1633), ku artisti na çon te vetja dhe luledielli, sikur të krahasojë veten me këtë bimë heliotrope që ndjek natyrshëm dritën.
Por, historianët e artit kanë argumentuar se në të vërtetë ajo i referohet besnikërisë së artistit ndaj mbrojtësit të tij, mbretit Charles I të Anglisë, për të cilin Van Dyck shërbente si “Piktori kryesor i oborrit.” Kjo simbolikë politike e lulediellit gjen jehonë edhe në veprat bashkëkohore. Në Farërat e lulediellit të Ai Weiweit (2010), për shembull, 100 milionë fara porcelani të pikturuara me dorë u frymëzuan nga kujtimet e artistit për posterët e kryetarit Mao. Këto e paraqisnin atë si diellin mbi fushat e lulediellit, për të simbolizuar fuqinë e tij absolute mbi popullin kinez.
Kuptimi i qëndrueshëm i gjithë simbolikës së larmishme të lulediellit është besnikëria. Është e mundur që Van Gogh të ketë qenë i vetëdijshëm për disa nga këto koncepte. Kur i shkruante motrës se pikturat e tij ishin “gati një klithmë ankthi, ndërkohë që simbolizonin mirënjohjen në lulediellin e thjeshtë,” ai mund të ketë menduar për ndjenjën e tij të thjeshtë dhe të ngjashme me lulediellin ndaj artistëve të tjerë, si Gauguin. Por, gjithashtu, mund të ketë menduar për besimin e tij të dikurshëm fetar, për dashurinë romantike, apo edhe për detyrimin e tij ndaj artit të pikturës.
Si ndikoi Van Gogh te Anselm Kiefer dhe nëse mendimet e tyre për lulediellin përputhen, kjo është një tjetër çështje interesante. Kieferi ka deklaruar më parë se “luledielli është i lidhur me yjet, sepse ai lëviz kokën drejt diellit. Dhe, natën mbyllet. Në momentin që shpërthen, bëhet i verdhë dhe fantastik: ky është pikërisht momenti i rënies. Kështu që, luledielli ëështë simbol i gjendjes së qenies sonë.”
Në gravurën e tij në dru, Hortus Conclusus (2007-‘14), luledjellat e Kieferit shprehin më fuqishëm kalbjen se ato të Van Goghut, por gjithashtu edhe mundësinë e rigjenerimit. Janë të nxirë dhe të tharë. Por, shpesh paraqiten edhe me farat që bien në tokë – dhe kështu premtojnë ardhjen e një jete të re.
Kiefer ka përmendur si frymëzim një tjetër figurë të shekullit XVII – mjekun, filozofin okult dhe kozmologun Robert Fludd. Një nga bindjet e Fluddit ishte ekzistenca e një korrespondence mes bimëve të gjalla në Tokë dhe yjeve, si dhe një lidhje mistike mes formave më të ulëta të jetës dhe një të vërtete hyjnore. Në imazhet e tij me lulediellë, Kieferi zakonisht i kornizon ato me qiellin, për të na kujtuar lidhjen heliotrope të tyre me diellin. Kur paraqiten duke mbirë nga trupat njerëzorë, është si të simbolizojnë besimin e Fluddit në lidhjen e shpirtit tonë me parajsën.
Kjo përforcon idenë se simbolika e lulediellit mbetet ende e lidhur me besimet e Rilindjes së vonë. Luledjellat e Van Goghut pasqyrojnë gjithashtu aspekte të këtyre lidhjeve historike dhe nënkuptojnë mallin e tij për një dashuri më të thellë – qoftë ndaj natyrës, artit, fesë, apo dëshirës së tij për një vëllazëri krijuese me Gauguinin.
Por, në duart e tij dhe të Kieferit, helianthus annuus-i shpreh gjithashtu shqetësime universale – dëshirën tonë për të reflektuar mbi kalueshmërinë e jetës, dhe për të kërkuar parime më të larta dhe më të përjetshme. Luledielli simbolizon një besnikëri ndaj koncepteve që ekzistojnë përtej kuptimit tonë, duke na shtyrë të mendojmë përtej realitetit të përditshëm, e të shtrihemi drejt ngrohtësisë, dritës dhe dashurisë së qiellit. Është diçka për të reflektuar, ndërsa vera ngrohet dhe luledjellat e vërtetë lulëzojnë sërish, edhe një herë, për pak kohë, në ekstazën e jetës. /Telegrafi/