“Mosbindja civile” vs “Bindje e verbër”

    BEN ANDONI

    Përballja e parë e çdo shqiptari me sistemin që kemi ndërtuar është dhe mbetet të jetë racionale. Anipse, kryetari i maxhorancës Rama mëton se do të ikë nga pushteti kur të dojë ai; kurse, kryetari i opozitës Berisha mohon nenin e statutit që e shkarkon pas humbjes, duke u justifikuar me parregullsitë e zgjedhjeve, por edhe verdiktin e përjetshëm të demokratëve pro tij! Edhe pse jemi me të varfrit bashkë me Kosovën në rajon, apo se zgjedhjet tek ne po kthehen në sfilitje me numërimin dhe rinumërimin e lodhshëm, askush nga politikanët nuk e ka idenë se edhe mund të tërhiqet dhe të lerë radhë, ashtu si mund të jetë më modest.

    Përgjatë pak muajve të shkuar, Partia Demokratike u mundua ta shpallë disa herë “Mosbindjen Civile” (M.C.), si moto të udhës së saj. Veçse, jo thjesht se në pak protesta ku e kërkoj M.C.-në zgjati në vetëm pak orë (saktësisht aq sa ishte leja e qeverisë), por edhe se ishte pa ide qendrore, lëvizja u kthye disi në qesharake dhe për vetë njerëzit e PD-së në parlament që e shpalosnin si argument. Një pjesë syresh që nuk e kuptonin as si koncept provuan ta mbronin në formë patetike para medias, por duke e shtuar pjesën qesharake të së gjithës me mënyrën sesi e realizonin në realitet. Ku jo vetëm gjetja e idesë, por edhe mënyra e mobilizimit të njerëzve ishte e pamundur. Dhe, me atë përbërje dhe me ato ide që mëton, Partia Demokratike e ka realisht të vështirë të realizojë një opozitë bindëse për mosbindjen civile. Ndërkohë që përveç protestave masive popullore të fillim viteve ‘90, asnjëra syresh që është bërë më pas (qoftë dhe me pjesëmarrje masive kundër PS dhe PD) nuk ka krijuar një trashëgimi, apo të ketë mbetur si ndonjë pikë referimi si model. E vetmja, e cila u zhvillua pak vite më parë nga studentët, u shua dhe ka qenë një nga zhgënjimet më të mëdha të qytetarëve për mënyrën sesi u manipulua kjo fashë e qashtër sociale dhe sesi u shuajt, por edhe për ata që e përçanë duke nisur qysh nga grevëthyesit & CO. Asnjë nga partitë tona nuk ka lënë ndonjë trashëgimi demokratike dhe janë plot xhelozi për studentët, që tashmë i kanë manipuluar frikshëm. Jo thjesht duke i mikluar dhe u hapur portat e politikës pak syresh, por duke u dhënë dhe narracionin dhe mbi të gjitha duke u diktuar dhe metodologjinë. Shtuar edhe mënyrën e mendimit dhe atë të veprimit. Zgjedhjet e fundit e treguan këtë trashëgimi. Dhe pa një trashëgimi të mirë të kulturave të protestave (Në Evropën e Lindjes ka kohë që ka nisur ndërgjegjësimi) që të gjitha partitë tona politike nuk e kanë lënë ose e kanë fashitur po tregon se nuk mund të ketë një ndryshim të brendshëm të këtij rendi problematik shoqëror, veshur me kanone demokratike. Është fat i keq që shumë përfaqësues të rinisë sot më shumë janë të futur në hullitë e partive kryesore sesa në realitetet e ndryshimit. E shton problemin edhe fakti se: në Shqipëri nuk ka traditë të mosbindjes civile. Ashtu, si nuk ka traditë të veprimit të organizuar politik, së pari në komunitete të vogla lokale dhe, pastaj edhe në komunitete më të mëdha, përtej autoritetit të ndonjë partie apo shtetit. Bindja e verbër ndaj pushtetit ka zëvendësuar reagimin dhe gjetjen e ideve për ndryshim.

    Çdo protestë që nis është e lidhur kryesisht me interesat e partive të mëdha, fare pak ato të vogla dhe shumë më pak me iniciativa civile. Kulmon vetëm ajo që lidhet me armët kimike dhe katrahura e vitit 1997, e para ku angazhimi qytetar i paparti ishte mbresëlënës dhe i dyti për sensin tonë ndaj shkatërrimit, lidhur në fakt me humbjen e kursimeve në Piramida.

    Mosbindja civile nuk mund të bëhet pa ide të mira, drejtues vizionarë dhe një strukturë të zhvilluar dhe të pavarur bashkë me vullnetin e vetë njerëzve, e cila në këtë kohë lë shumë për të dëshiruar në Shqipëri. Përdorimi i administratës nga maxhoranca dhe puna e militantëve të PD është e lodhshme, sepse nuk po e lëviz statusquo-në e lodhshme. Do të ishte një ndihmë e madhe ekzistenca e një sindikatë të fortë dhe të pakorruptueshme, por kjo nuk ndodh, sepse kjo lëvizje nuk ekziston, madje ishte një nga krenaritë e kryeministrit kur grishte investime të huaja para kolegëve të huaj. E mbi të gjitha, morali i mbetur i gjithnjë e më pak njerëzve që nuk bëjnë pakte. Por, fakti i pamohueshëm i papunësisë në sistemet hibride demokratike si ne, e bën atë një burim i qeverisë për shantazh, pasi një kontingjent i tërë pune është gati kur i duhet qeverisë! Dhe, nëse nuk pranon të bësh atë që të kërkohet ka kush të zëvendëson, kurse kolegët thjesht të kthejnë krahët. Në shoqëritë demokratike, qenësia si grevëthyes apo si i përdorur nga administrata është ofendim dhe turp dhe askush nuk të flet dhe të mënjanon në shoqëri. Kurse tek ne, rastet e solidaritetit janë të ngurta, ndërsa kolegët pothuajse kurrë nuk u bashkohen atyre, me përjashtime, të cilat duhen konsideruar si të lavdërueshme. Rasti i Serbisë dhe Hungarisë po na mësojnë shumë në demokraci, por më shumë se çfarë do të thotë vendosmëri përballë autokratëve Vuçiq & Orban dhe grevëthyesve jo të paktë. Megjithatë, edhe demokracia që kërkojnë ata në ato vende po duket e paqartë dhe akuzohen deri në ndërhyrje, ata vranë frikën dhe paqartësinë që po e mbyt protestën në Shqipëri.

    Ndërsa në Shqipëri përbënin momente të pakta, lëvizjet e M. C.-së në Evropën Lindore, kishin më peshë dhe ajo që i bashkoi si ide ishte përballja me sfida të mëdha. Regjimet komuniste u mbijetuan dhe në fund të fundit nuk u përmbysën ashtu si mund të mendohet. Ndërsa disa lëvizje si “Solidarnost” në Poloni, në këto regjime, arriti sukses të madh dhe duket se paratha ndryshimin për këtë vend, lëvizje të tjera hasën më shumë rezistencë dhe shtypje nga autoritetet komuniste. Për teoricienët e demokracisë, suksesi i M.C. më së shumti varej para Rënies së Murit të Berlinit nga faktorë si niveli i mbështetjes popullore, gatishmëria e regjimit për të negociuar dhe konteksti më i gjerë ndërkombëtar, veçanërisht qëndrimi i ish-Bashkimit Sovjetik.

    Shumë dekada pas Rënies së Murit ka shumë segmente të shoqërisë që u intereson kjo statusquo, ashtu si regjimi i sotëm hibrid demokratik në Shqipëri e sheh M.C.-në si kërcënim për pushtetin e vet dhe e ka mbytur që në djep, qoftë dhe me bashkëpunimin e vet opozitës. Jo më kot media raporton shpesh burime interesi të përbashkëta dhe bashkëpunime të paskrupullta në biznes. Koncepti i së drejtës që mund të rregullojë shumë nga paqartësitë nuk zbatohet dhe më keq nuk ndjehet si i dobishëm. Kurse, Bindja e Verbër në vend i është kundërvënë konceptit të së Drejtës, e cila duhet të ndihte ndryshimin. Kjo duhet ta alarmojë sot individin shqiptar dhe Demokracinë. “Unë mendoj se ne duhet të jemi njerëz së pari dhe më pas nënshtetas. Nuk është e dëshirueshme të kultivojmë respekt për ligjin, aq sa për të drejtën. I vetmi detyrim që kam të drejtë të marr përsipër është të bëj në çdo kohë atë që mendoj se është e drejtë”, – shkruante në shekullin XIX Henry David Thoreau tek koncepti i tij për “Mosbindjen Civile”, si respekt për të Drejtën, kundër Bindjes së Verbër që po e asfikson demokracinë. (Homo Albanicus)/Gazeta Panorama 

    Lajmi Paraprak

    Nis heqja e barrikadave në Serbi, protestuesit kërkojnë lirimin e të ndaluarve

    Lajme tjera

    Punë me kimet!

    Edmond  Tupja “Punë me kimet”, ky është shembulli me të cilin “Fjalori i gjuhës shqipe” (Tiranë, 2006) ilustron…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë