Shkencëtarët kanë arritur një hap të madh revolucionar: me ndihmën e baktereve E. coli të modifikuara gjenetikisht, ata kanë arritur të shndërrojnë mbetjet plastike në paracetamol, një nga ilaçet më të përdorura kundër dhimbjeve në botë
Paracetamoli, i njohur edhe si acetaminofen, deri tani është prodhuar ekskluzivisht nga nafta, por shkencëtarët britanikë nga Universiteti i Edinburgut kanë treguar se ekziston një alternativë më miqësore për mjedisin. Hulumtimi i tyre, i publikuar në revistën Nature Chemistry, zbulon se PET plastika, e njëjta që çdo ditë e hedhim në koshat e riciklimit, mund të shndërrohet me ndihmën e baktereve të modifikuara në një ilaç që gjendet pothuajse në çdo shtëpi.
Kjo teknologji bashkon kiminë dhe biologjinë në një mënyrë krejtësisht të re dhe mund të sjellë një revolucion në industrinë farmaceutike, por edhe të ndihmojë në luftën kundër mbetjeve plastike.
Si i shndërrojnë bakteret plastikën në ilaç?
Gjithçka fillon me PET plastikën, materialin nga i cili prodhohen shumë shishe dhe ambalazhe ushqimore. Fillimisht, shkencëtarët e kanë shndërruar plastikën në një substancë të re përmes një procesi kimik dhe më pas e kanë inkubuar me një soj të padëmshëm të Escherichia coli. Rezultati ishte befasues: bakteret, me ndihmën e fosfateve nga vetë qelizat e tyre, kanë nisur një reaksion kimik të njohur si rishpërndarja Lossen, një proces që deri më tani nuk ishte parë në natyrë dhe që zakonisht kërkon kushte shumë të rrepta laboratorike.
Në këtë mënyrë, bakteret nga mbetjet plastike krijuan PABA, një substancë kyçe për rritjen dhe sintezën e ADN-së, të cilën zakonisht e prodhojnë nga burime të tjera. Por këtë herë, shkencëtarët e modifikuan gjenetikisht E. coli që të mos mund të përdorte rrugët klasike, kështu që bakteri u detyrua të “hante” PET plastikën.
Nga një shishe plastike deri te paracetamoli brenda vetëm 24 orëve
Por historia nuk ndalet këtu. Shkencëtarët i shtuan E. coli-s edhe dy gjene të tjera, një nga kërpudhat dhe një nga bakteret e dheut, të cilët mundësojnë shndërrimin e PABA-s në paracetamol. Rezultati? Brenda më pak se 24 orësh, me emisione minimale dhe me efikasitet deri në 92 për qind, PET plastika u shndërrua në ilaç kundër dhimbjeve.
“Kjo është hera e parë që ekziston një rrugë nga mbetjet plastike deri te paracetamoli, gjë që nuk mund të arrihet vetëm me biologji ose vetëm me kimi”, thekson drejtuesi i hulumtimit, profesori Stephen Wallace. Ai shton se teknologjia është aq efikase, sa që një ditë mund të “thithë” mbetjet plastike nga mjedisi dhe t’i shndërrojë në substanca të dobishme.
Edhe pse deri te prodhimi komercial ka ende shumë punë, rezultatet janë jashtëzakonisht premtuese. Kjo metodë jo vetëm që mund të zvogëlojë sasinë e mbetjeve plastike, por edhe të mundësojë një prodhim më të qëndrueshëm dhe më miqësor për mjedisin të ilaçeve.