Komisionerja evropiane për zgjerimin dhe politikën e fqinjësisë, Marta Koss, tha sot, në hapjen e Samitit BE-Ballkani Perëndimor kushtuar Planit të Rritjes në Shkup, se reformat që vendet e këtij rajoni duhet të bëjnë nuk janë të thjeshta, por përfitimet do të jenë të mëdha për qytetarët.
“Mund të emocionohem kur flas për Ballkanin Perëndimor, sepse rajoni është i dashur për mua dhe dua të ndihmoj sa më shumë që të mundem që t’ju çoj drejt vijës së finishit. Reformat kryesore që po ju kërkojmë nuk janë të thjeshta. Ato prekin struktura të rrënjosura të pushtetit dhe interesave dhe kërkojnë një transformim të thellë shoqëror. Ju, udhëheqësit, duhet ta udhëheqni këtë ndryshim. Përfitimet janë të shumëfishta, do t’u sjellë stabilitet, siguri dhe prosperitet të gjithë qytetarëve tuaj. Plani i Rritjes është plotësisht në duart tuaja, nuk ka ndërhyrje nga dinamikat politike. Ky është një mjet që do t’ju ndihmojë me reforma të rëndësishme dhe këto reforma janë të nevojshme për t’ju përgatitur për anëtarësim”, tha Kos.
Kryeministri Hristijan Mickoski mirëpriti të gjithë udhëheqësit nga Ballkani Perëndimor, duke theksuar se shpreson se do të ketë një Samit shumë të frytshëm dhe të suksesshëm, me konkluzione “se nga sot e tutje do të jemi pjesë e familjes evropiane”.
“Dua të falënderoj Komisioneren Evropiane për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë së Mirë, Marta Kos, veçanërisht për angazhimin dhe përpjekjet e saj personale me të cilat ajo udhëheq zbatimin e një plani zhvillimi të mbështetur nga të gjithë partnerët. Sot, të gjithë së bashku jemi të vendosur të ecim drejt një të ardhmeje evropiane më të fortë, më elastike dhe më të integruar, Ballkani Perëndimor është një rajon i pasur me potencial dhe ambicie. Ky Samit i kushtohet një vizioni të përbashkët, një vizioni në të cilin investimet rriten, inovacionet lulëzojnë dhe integrimi krijon mundësi, të cilat janë të arritshme për të gjithë, një vizioni në të cilin Ballkani Perëndimor nuk është më një dhomë pritjeje, por një rajon që lëviz, rritet dhe evoluon. Si Qeveri, ky vizion na udhëzon në çdo hap që hedhim, në përpjekjet tona të përbashkëta për reforma dhe bashkëpunimin rajonal. Kjo rrugë evropiane u përket të gjithë qytetarëve, të gjitha bizneseve, çdo komuniteti, le të jemi të gjithë pjesë e këtij transformimi. Besueshmëria e Planit të BE-së bazohet në përmbushjen e premtimeve dhe ofrimin e përfitimeve, qytetarët duhet t’i ndiejnë përfitimet e integrimit tani në bizneset e tyre, në institucione, në jetën e tyre të përditshme. Ne të gjithë kemi një të ardhme të përbashkët dhe për të siguruar unitetin dhe stabilitetin duhet të punojmë së bashku si fqinjë, si partnerë, si rajon. Së bashku mund të ndërtojmë një rajon të fortë dhe të lidhur, i cili është i begatë, gjithëpërfshirës dhe evropian”, tha kryeministri Mickoski.
Në Samitin e organizuar nga kryeministri Hristijan Mickoski marrin pjesë komisionerja evropiane Kos dhe udhëheqës nga Ballkani Perëndimor, si dhe ministra, përfaqësues të lartë nga Bashkimi Evropian, organizata rajonale dhe institucione ndërkombëtare.