Hapje e korsive të reja në Bogorodicë për të lehtësuar fluksin veror të trafikut

    Zgjidhja e rrëmujës në pikën kufitare Bogorodicë gjatë periudhës së verës dhe ulja e radhëve të gjata për pritje është paralajmëruar nga ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, duke informuar se këtë vit në këtë pikë kufitare do të hapen dy korsi të reja për dalje dhe një korsi shtesë për hyrje të automjeteve të mallrave.

    “Nga ana ime dhe e ekipit tim konstatuam se ekzistojnë kushte reale për përmirësimin e mbikëqyrjes kufitare që e realizojmë në pikën kufitare, përkatësisht se mund të vëmë në funksion edhe të paktën dy korsi shtesë për dalje, përmes një riorganizimi, si dhe të paktën edhe një korsi shtesë për hyrje për trafikun e mallrave. Me këtë, vlerësojmë se fillimisht do të përmirësohen kushtet, në krahasim me vitet e kaluara, për tranzitimin e qytetarëve tanë si në trafikun e udhëtarëve ashtu edhe në atë të mallrave”, deklaroi Pançe Toshkovski, ministër i Punëve të Brendshme.

    Sipas shembullit të palës greke, Toshkovski njoftoi se në të ardhmen do të punohet edhe për hapjen e një pjese të veçantë vetëm për qarkullimin e automjeteve të mallrave.

    “Jemi shumë të fokusuar në krijimin e një seksioni shtesë, diçka e ngjashme me pikën kufitare që kanë grekët, e veçantë për trafikun e mallrave. Pra, po mendojmë që trafikun e mallrave ta largojmë plotësisht nga mënyra aktuale e funksionimit të pikës kufitare Bogorodicë. Prandaj, vlerësojmë se me këtë lloj implementimi do të përmirësohet ndjeshëm tranzitimi jo vetëm i trafikut të udhëtarëve, por edhe i trafikut të mallrave”, tha Pançe Toshkovski, ministër i Punëve të Brendshme.

    Ndërkohë, kryeministri grek Kiriakos Micotakis ka njoftuar tashmë rindërtim të plotë të pikës kufitare Evzoni, me qëllim përshpejtimin e kalimit të udhëtarëve dhe mallrave, çka do të kontribuojë edhe më shumë në një kalim më efikas të kufirit në rrugën më të frekuentuar ballkanike gjatë verës. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Midis idealit dhe politikës së forcës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë