Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë realizuar 75% të reformave që kërkon Plani i rritjes

    Liderët e Ballkanit Perëndimor u mblodhën në Shkup për të diskutuar realizimin e Agjendës së reformave dhe Planin e rritjes, tashmë kur kanë mbetur edhe dy javë deri në përpilimin e raportit dhe pak javë deri në marrjen e mjeteve të para. Komisionerja për zgjerim Marta Kos, si përfaqësuese më e lartë e BE-së në këtë takim, tha se BE-ja është krenare me realizimin ose kërkoi intensifikim të punës për kushtet e parealizuara.

    “Më vonë gjatë muajit ne do të bëjmë pagesat për rrethin e parë të raportimeve rreth zbatimit të Agjendës reformuese. Shumat e plota do të paguhen kur të gjitha reformat të zbatohen plotësisht. Raportimi i radhës është për dy javë kështu që ne do t’i përpunojmë ato raporte sa më shpejt që është e mundur që të mund të paguajmë sa më shumë fonde nëse janë përmbushur kushtet. Ne jemi krenarë të tregojmë rezulatet e para verbalisht. 75% e reformave të dakorduara në mënyrë gjenerale për të gjitha vendet ose janë zbatuar ose janë duke u zbatuar por ¼ nuk janë bërë akoma dhe unë i inkurajoj liderët të intensifikojnë punët për zbatimin e tyre”, tha Marta Kos, Komisionere për zgjerim e BE-së.

    Kryeministri Hristijan Mickoskit tha se vendi do të zbatojë Planin e rritjes jo për shkak se e kërkon BE-ja, por për zhvillimin e vendit. Nuk pranoi të ketë ngecje në zbatimin e reformave të rëndësishme edhe pse afati për disa prej tyre skadoi në fund të qershorit.

    “Ky është mekanizëm që mundëson jo vetëm qasje deri te investimet dhe fondet por edhe kornizë motivuese për avancimin e sundimit të ligjit, efikasitet të institucioneve dhe konkurrencë ekonomike. Për ne ky plan nuk është formalitet, por mjet nëpërmjet të cilit do ta transformojmë vendin. Unë nuk do të thoja që tre ministri vonojnë me reformat kyçe. Ne jemi si shtet me atë mesatare prej 75% që e përmendi Komisionerja Kos, me disa përqindje mbi të, me ligjet që për momentin janë në Kuvend dhe shumë shpejt gjithë kjo do të përfundohet”, deklaroi Hristijan Mickoski, Kryeministër.

    Kryeministri Shqiptar Edi Rama tha se vendi i tij zbaton planin sipas afateve.

    “Jemi shumë afër, jemi shumë afër. Nuk kemi qenë asnjëherë më afër dhe besoj shumë që ne do t’i përmbushim të gjitha detyrimet tona siç kemi paraparë edhe afatet me Komisionin Evropian dhe plani i përbashkët do të realizohet plotësisht”, u shpreh Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.

    Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se rezultat i bashkëpunimit rajonal janë disa nga arritjet e fundit me pikat kufitare.

    “Për mua është shumë kënaqësi që të vij në Shkup sidomos tani që kemi pikat e përbashkëta të kontrollit, në Han të Eelezit në Bllacë e cila u funksionalizua më 12 prill, edhe ajo në Jazhincë e cila më 28 maj u funksionalizua. Të gjitha këto janë rezultat i marrëveshjeve të përbashkëta që i kemi bërë me qeverinë Mickoski”, theksoi Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.

    Në takimin në Shkup ishte edhe kryeministrja e Bosnjë Hercegovinës, ministri për Çështje Evropiane i Serbisë dhe ministri për Punë të Jashtme i Malit të Zi. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Rama në Shkup: Shqipëria kurrë nuk ka qenë më afër BE-së

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë