Qyteti i Dibrës, me ardhjen e verës, ka filluar të gjallërohet. Migrimi masiv i popullatës ka bërë që qyteti të ketë dinamikë vetëm gjatë muajve të verës, kur mërgimtarët mbushin vendlindjen dhe kalojnë pushimet e tyre. Megjithatë, vera e sivjetme ka sjellë edhe prezencën e motoristëve lokalë, të cilët me motorët e tyre shkaktojnë zhurmë shqetësuese dhe në disa raste të padurueshme.
Dibra këto ditë po përballet me një nivel të lartë zhurme, sidomos nga automjetet dhe motorët, veçanërisht gjatë mbrëmjeve, kur prezenca e qytetarëve në rrugë rritet për shkak të temperaturave të larta.
Ky problem është diskutuar edhe në një nga seancat e Këshillit të Komunës, ku është kërkuar që organet kompetente të ndërmarrin masa urgjente kundër ndotjes akustike.
Zhurma që shkaktohet nga qytetarët me motorë dhe vetura është e padurueshme dhe paraqet një shqetësim serioz për qytetarët. Kjo u theksua edhe në seancën e Këshillit të Komunës së Dibrës, ku këshilltarët komunale kërkuan ndërhyrje të menjëhershme për të parandaluar të rinjtë që shkaktojnë këtë ndotje, si në qendër ashtu edhe në lagjet tjera të qytetit.
Kryetari i Komunës, Hekuran Duka, informoi këshilltarët se ka zhvilluar takim me përfaqësuesit e policisë lokale dhe ka kërkuar zbatimin e masave ligjore. Ai theksoi se zhurma është serioze, nuk ndalet as në orët e vona të natës dhe kërkon reagim të menjëhershëm. Kryetari informoi gjithashtu se nga stacioni policor ka marrë njoftim se janë ndërmarrë disa masa, por u përmend edhe mungesa e efektivëve të policisë.
Këshilltarët komunalë kanë kërkuar që ky problem të zgjidhet sa më parë, pasi qytetarët nuk mund të durojnë një ndotje akustike të kësaj përmase, siç po ndodh aktualisht në Dibër. Është kërkuar gjithashtu një angazhim më i madh i Këshillit Komunal për Sigurinë në Komunikacion.
Kryetari Duka informoi se për këtë çështje do të debatojë edhe Këshilli Preventiv i Komunës dhe shtoi se shumë shpejt do të përfundojnë edhe aktivitetet për përmirësimin e sinjalizimit horizontal dhe vertikal në qytet.
Nga ana e Sektorit për Punë të Brendshme në Ohër, i cili mbulon edhe Komunën e Dibrës, është bërë e ditur se edhe në këtë qytet janë ndërmarrë masa kundër drejtuesve të automjeteve dhe motorëve që tejkalojnë shpejtësinë dhe shkaktojnë zhurmë. Sipas zëdhënësit të sektorit, Stefan Dimovski, kontrollet e rrepta do të vazhdojnë në Ohër, Kërçovë, Strugë, si edhe në Dibër. /Koha/