Zgjedhjet ende nuk janë shpallur, por betejat politike kanë nisur. Klima politike në Maqedoninë e Veriut po tensionohet dita-ditës, teksa partitë kryesore kanë aktivizuar makinerinë zgjedhore shumë përpara fillimit zyrtar të fushatës. Ndërsa, kryetari i Parlamentit Afrim Gashi, njoftoi në brifingun e sotëm me gazetarë se zgjedhjet pritet të shpallen në fillim të muajit gusht, kurse burime relevante bëjnë me dije se kryetari i Parlamentit më 8 gusht do t’i shpallë zgjedhjet lokale, të cilat pritet të mbahen në gjysmën e dytë të muajit tetor. “Zgjedhjet lokale do të shpallen në bazë të Kodit Zgjedhor dhe Ligjit për pushtet lokal, natyrisht këtu mund të referoj dy neneve të Kodit zgjedhor, 12 dhe 16, i pari ka të bëjë me atë se afatet prej momentit të shpalljes së zgjedhjeve, nuk duhet të kalojnë më shumë se 90 ditë dhe më pak se 70 ditë, dhe neni 16 ka të bëjë me atë se zgjedhjet duhet të mbahen në pjesën e dytë të muajit tetor”, tha kryetari i Parlamentit, Afrim Gashi.
Partitë politike maqedonase VMRO-DPMNE dhe LSDM kanë bërë publike shumicën e kandidatëve me të cilët do të garojnë në zgjedhje lokale. Kjo ka bërë që këto dy parti të nisin edhe me akuza dhe etiketime të ndryshme ndaj njëra-tjetrës. Shpallja e kandidaturës së Orco Gjerorgjievskit, nga ana e VMRO-DPMNE-së për Qytetitin e Shkupit, ka shtyrë LSDM-në të reagojë menjëherë. Pothuajse katër vite pas marrjes së mandatit si kryetar i Komunës së Kisella Vodës, Orce Gjorgjievski nuk i përmbushi premtimet për parqe, çerdhe, garazhe dhe rrugë të pastra, përkundrazi, komuna është në kolaps financiar dhe urbanistik, akuzon LSDM. Sipas kësaj partie, gjatë vetëm një viti e tre muaj, borxhi i komunës është rritur për 40 milionë denarë, duke arritur në gjithsej 146 milionë. Megjithatë, sipas tyre, qytetarët nuk panë as rrugë të reja, as parqe, as përmirësim të kushteve të jetesës.
LSDM ME AKUZA, PËRGJIGJET VMRO
Nga LSDM theksojnë se, në vend të projekteve të premtuara, mjetet buxhetore janë përdorur për pagesa ndaj miqve, familjarëve dhe aktivistëve partiakë. “Mbi 100.000 euro nga arka e Komunës kanë përfunduar në xhepat e njerëzve të afërt me Gjorgjievskin. Me paratë e qytetarëve ai blen besnikëri dhe prodhon PR të rremë”, theksoi Ljubica Jançeva nga press-qendra e LSDM-së.
Gjorgjievski, sipas LSDM-së, ka nënshkruar dhjetëra kontrata “autoriale” me kuadro partiake dhe propagandistë mediatikë të afërt me VMRO-DPMNE-në, duke u bërë, siç thonë ata, shembull i keq-qeverisjes. “Komuna Kisella Vodë është shndërruar në simbol të kaosit urban – muri mbajtës në Pintija u shemb, rrugët në Crniçe, Babin Dol dhe Pripor mbetën të hapura, ndërsa parqet dhe garazhet shumëkatëshe të premtuara nuk u realizuan. As qendra për të varurit nuk u zhvendos, e as parku në vend të saj nuk u ndërtua”, theksoi Ljubica Jançeva.
LSDM akuzon Gjorgjievskin se në vend që të merrej me problemet e komunës, u përfshi në beteja politike dhe bllokada. “Organizoi sabotime ndaj ‘Higjienës Komunale’, krijoi sindikata paralele në ndërmarrjen e transportit publik, përhapte panik për cilësinë e ujit dhe ishte në përplasje të vazhdueshme me Danella Arsovskën. Iniciativa më e madhe e tij ishte të largojë Arsovskën nga BNJVL, jo të rregullojë komunën”, u shpreh ajo.
Sipas opozitës, Gjorgjievski ka realizuar më pak se 20 për qind të projekteve të premtuara dhe e ka zhgënjyer rëndë banorët e Kisella Vodës. Tani, thonë nga LSDM, ai po i ofrohet qytetarëve të Shkupit me të njëjtën retorikë boshe dhe me të njëjtat skema partiake.
VMRO-DPMNE nga ana tjetër reagoi ashpër ndaj listës së kandidatëve për kryetarë komunash të publikuar nga LSDM, duke i cilësuar si një përzierje mes figurave të dështuara dhe personazheve të panjohur që, sipas tyre, pranuan të hyjnë në një garë që dihet se do ta humbin. Në fokusin e kësaj partie është kandidatura e Darko Bllazhevskit për Komunën e Jegunovcit, ish-kryetar komune, i cili, siç thonë nga VMRO-DPMNE, nuk mbahet mend për asnjë projekt, por mbahet mend për faktin se u bë një afarist i suksesshëm nga pozita publike që e kishte. Sipas tyre, Bllazhevski nuk arriti ta realizojë premtimin për ndërtimin e një shtëpie të re kulture, por “e bleu për vete të vjetrën”. “Bllazhevski ishte aq i paaftë, saqë mbylli edhe ndërmarrjen publike të komunës. Nëse do të funksiononin institucionet e drejtësisë, ai do të duhej të ishte para gjykatës, jo në garë zgjedhore”, thuhet në deklaratën e VMRO-DPMNE-së.
Partia në pushtet ironizon edhe me kandidaturën në Komunën e Sopishtes, ku LSDM ka propozuar Zvonko Vasevin, një emër, siç thonë ata, tërësisht i panjohur dhe që prej dekadash nuk jeton më në këtë komunë. Nga VMRO-DPMNE vlerësojnë se përzgjedhja e kandidatëve nga LSDM reflekton pozitën e vështirë në të cilën ndodhet kjo parti dhe vetëdijen që, sipas tyre, ka brenda LSDM-së se në zgjedhjet e ardhshme lokale do të mund të fitojnë në vetëm një ose dy komuna.
PARTITË SHQIPTARE ZIHEN PËR KAHJEN E SHTETIT
Ndërkohë që partitë maqedonase kanë hyrë në fazën e përplasjeve publike për komunat dhe kandidaturat, edhe skena politike shqiptare është tensionuar ndjeshëm, me akuza të ndërsjella mes BDI-së dhe koalicionit VLEN, lidhur me drejtimin aktual të vendit dhe të kaluarën politike të palëve. BDI, në një komunikatë zyrtare, ka shprehur “shqetësim të thellë” për, siç thuhet, përpjekjet e qeverisë së re për të shmangur vëmendjen publike nga temat strategjike, me theks të veçantë tek integrimi në Bashkimin Evropian. Sipas partisë, deklarata e kryeministrit Hristijan Mickoski se propozimi për tatimin ndaj personave të pamartuar ishte thjesht “një temë për debat”, është dëshmi e një taktike të qëllimshme për të defokusuar opinionin. BDI gjithashtu paralajmëron për izolimin në rritje të Maqedonisë së Veriut, duke u mbështetur në raportin e fundit të Parlamentit Evropian që evidenton, sipas tyre, stagnimin në procesin e integrimit, ndikimin rus dhe ndikimin e konceptit të “botës serbe”. BDI gjithashtu akuzon qeverinë për “margjinalizimin sistematik të shqiptarëve nga institucionet dhe vendimmarrja”. “Është e qartë se ndikimi rus dhe ai i konceptit serbomadh kanë për qëllim që Maqedoninë e Veriut ta mbajnë të izoluar, larg Bashkimit Evropian dhe vlerave perëndimore. Brenda këtij skenari, pjesë përbërëse është edhe përjashtimi sistematik i shqiptarëve nga institucionet, nga vendimmarrja dhe nga jeta publike. Kjo qeveri, në vend që të jetë faktor i bashkimit, po zbret drejt një plani të rrezikshëm, që synon përçarjen ndëretnike, margjinalizimin e shqiptarëve dhe zbehjen e orientimit euroatlantik të vendit”, theksojnë nga BDI.
Në reagim të menjëhershëm, koalicioni opozitar VLEN ka kundërshtuar ashpër akuzat e BDI-së, duke e quajtur këtë parti “parti e listave të zeza”, me funksionarë të përfshirë në korrupsion dhe bashkëpunim me projekte destabilizuese në rajon. “Sot BDI flet për rrezikun e ‘botës serbe’, ndërkohë që për vite të tëra vetë ajo ka mbështetur iniciativën ‘Open Balkan’, duke u bërë promotore e saj përkrah Vuçiqit dhe Daçiqit, në kohën kur shqiptarët e kundërshtonin atë projekt”, thuhet në deklaratën e VLEN-it.
Koalicioni gjithashtu ka rikujtuar përpjekjet e BDI-së për rikthimin e ish-kryeministrit Gruevski dhe lirimin e Mijallkovit, si dhe lidhjet e përfolura të disa zyrtarëve të saj me eksponentë të nëntokës ballkanike përmes bizneseve të kazinove. VLEN thekson se do të vazhdojë të punojë për sundimin e ligjit, integrimin evropian dhe mbrojtjen e interesave të shqiptarëve, duke u distancuar nga “gënjeshtrat dhe patriotizmi i rremë” që, sipas tyre, përdoret nga BDI vetëm kur është në opozitë. /Koha/