Përveç në tokë, shoferë të pakujdesshëm ka edhe në ujë – nën ndikim të alkoolit vozisin motoskafe nëpër liqen

    Edhe pse nga 1 korriku hyri në fuqi ndalesa për vozitjen e skuterëve në liqenin e Ohrit nga ora 11:00 deri në orën 19:00 dhe do të zgjasë deri më 31 gusht, përvoja nga vitet e kaluara ka treguar se kjo masë shpesh nuk respektohet, ku individë të caktuar vozisin pa kontroll edhe kur ndalesa është në fuqi. Janë inspektuar 13 anije dhe 13 individë, ku janë vërejtur 22 shkelje. Tre persona janë kapur duke drejtuar skuter gjatë ndalesës, janë regjistruar shtatë raste të drejtimit të mjetit lundrues pa licencë, si dhe pesë raste të drejtimit të mjetit lundrues pa certifikatë.

    “Gjithsej 16 persona u janë nënshtruar alkotestit, nga të cilët 7 persona u gjetën të dehur, dy prej të cilëve kishin nivele alkooli në gjak prej 1.17 dhe 1.07 promil. Për shkeljet është përgatitur dhe dorëzuar materiali përkatës”, thonë nga Kapedania e portit, Ohër.

    Sipas kapetanisë, bëhet fjalë për pronarë të anijeve private, jo njerëz që transportojnë pasagjerë përtej liqenit. Megjithatë, kjo lë përshtypje të keqe në përgjithësi.

    “Për ne që punojmë si komercialistë, është përshtypje shumë e keqe. Përndryshe, asnjëri prej nesh që drejton katamaranë dhe pontone nuk konsumon alkool. Ne jemi më të spikaturit, sepse jemi këtu pranë shëtitores. Mbi të gjitha, siguria e turistëve është parësore. Nuk na lejohet të përdorim alkool ose substanca të tjera. Para disa ditë, më ndaluan, nuk kishte alkool, nuk kishte asgjë, gjithçka ishte në rregull, katamarani ishte i pajisur plotësisht”, deklaroi Tashe Ristanovski- pronar i anijes.

    “Është vërtet alarmante që drejtohen mjete lundruese nën ndikimin e alkoolit, njësoj si te automjetet. Këto rregulla duhet të respektohen dhe duhet të ketë edukim për ata që marrin patentë dhe që japin provim, për ata që drejtojnë varka me motor. Shohim që kemi incidente me zjarre në mjete lundruese. Ka rregulla se si ndizet mjeti lundrues. Kushdo që jep provimin e mëson këtë, por mentaliteti ynë është i tillë që bëjmë improvizime dhe kjo është arsyeja pse ndodhin aksidente të tilla”, theksoi Sasho Toçkov – kryetar i Kryqit të Kuq të Ohrit.

    Kapedania njofton se në bashkëpunim me policinë e liqeneve, do të intensifikojnë kontrollet në periudhën në vijim dhe apelojnë për regjistrimin në kohë të mjeteve lundruese dhe respektimin rigoroz të rregullave për lundrim të sigurt. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    “Raca” dhe demokracia

    Lajmi i rradhës

    Temperaturat e larta, rritet numri i qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë