Mungesa e shqipes shkakton reagime për Korridorin 8

    U mblodhën për të prerë shiritin për realizimin e një pjese të autostradës Kërçovë-Ohër, por harruan gjuhën shqipe. Inaugurimi i segmentit të ri të autostradës Kërçovë-Ohër, pjesë e Korridorit 8, u shoqërua me fjalime pompoze dhe fotografi zyrtare, por pa asnjë tabelë në shqip. Pavarësisht se projekti kalon përmes zonave me shumicë shqiptare, as institucionet dhe as përfaqësuesit shqiptarë në pushtet nuk ngritën zërin për këtë përjashtim. Në këtë mënyrë partitë opozitare shqiptare e kanë shprehur shqetësimin, ndërsa publikisht akuzojnë VLEN-in se po legjitimon përpjekjet dashakeqe të VMRO-DPMNE-së për të diskriminuar dhe përjashtuar shqiptarët. Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës akuzon këtë qeveri të cilën e quajnë mono-etnike se po ndjek një strategji të qëllimshme, sistematike dhe të vazhdueshme për të margjinalizuar shqiptarët, për të zhdukur gjurmët e identitetit tonë kombëtar dhe për të eliminuar përdorimin zyrtar të Gjuhës Shqipe nga institucionet shtetërore dhe hapësirat publike.

    “Të heqësh shqipen nga tabelat, dokumentet zyrtare dhe komunikimi publik, në një shtet që pretendon se respekton Kushtetutën dhe marrëveshjet ndërkombëtare, do të thotë të mohosh bashkëjetesën, të fyesh një komunitet të tërë dhe të nxisësh ndasi etnike me pasoja afatgjata për stabilitetin dhe kohezionin shoqëror. I bëjmë thirrje organeve kompetente, Avokatit të Popullit, institucioneve ndërkombëtare, por mbi të gjitha popullit shqiptar që të mos heshtin para këtij diskriminimi të ulët dhe të organizuar. Shqipja nuk është gjuhë e huaj në këtë vend është gjuhë e popullit autokton”, reagon ASH-ja e Ziadin Selës.

    Me një reagim të ngjashëm edhe ASH e udhëhequr nga Arben Taravari. Nga ky subjekt politik mungesën e shqipes në mbishkrimet zyrtare të këtij aksit e cilësojnë si një skandal institucional dhe një akt flagrant diskriminimi.

    “Përfaqësuesit e grupimit FLEN, të pranishëm në inaugurim, nuk dhanë asnjë reagim ndaj këtij skandali. Përkundrazi, u panë të garonin pas gërshërëve ceremonialë, për të dalë në fotografi me shiritin e kuq në dorë, sikur të ishin protagonistë të një projekti që është konceptuar dhe nisur gati dy dekada më parë. Të vardisur pas pushtetit dhe interesave personale, ata nuk e vërejtën, ose nuk deshën ta vërejnë, mungesën e gjuhës shqipe në një projekt publik. Në vend që të mbronin dinjitetin dhe të drejtat e shqiptarëve, ata u mjaftuan me poza boshe për rrjetet sociale, duke u rreshtuar në vazhdimësi si figurantë të politikes së nënshtrimit dhe mohimit të identitetit shqiptar”, thuhet në reagimin e ASH-së së Arben Taravarit, nga ku theksojnë se ky nuk është vetëm një rast i izoluar, por pjesë e një trendi të rrezikshëm të përjashtimit të shqiptarëve nga hapësira publike.

    Ndërkohë, kryeministri Hristijan Mickoski gjatë një paraqitje para mediave, njoftoi se autostrada Kërçovë – Ohër duhet të jetë e hapur për përdorim të plotë deri në tremujorin e parë të vitit 2027, por disa pjesë të saj do të jenë të përfunduara edhe para këtij afati. Megjithatë ai tha se për përfundimin e saj do të nevojitet edhe zgjerimi i kornizës së kredisë, pasi nuk ishin paraparë mjete për stabilizimin e rrëshqitjeve të dheut.

    “Dinamika e ndërtimit të autostradës Kërçovë-Ohër para 8 muajve ishte pothuajse e ngrirë. Tani punohet në tri ndërrime, me intensitet të lartë, me përkushtim, dhe rezultat i kësaj janë 17 kilometra të përfunduara, edhe pse ajo pjesë është gjithsej 20 kilometra. Por pjesa që devijon nga Preseka deri te tunelet nuk është ende e hapur, sepse ajo pjesë, së bashku me segmentin nga Vrbjani deri në Kërçovë, me gjatësi prej 17 kilometrash, duhet të përfundohet shtesë për shkak të 10 rrëshqitjeve të dheut që duhet të stabilizohen. Pres që në gusht të fillojë stabilizimi i tyre. Kjo pjesë duhet të përfundojë deri në dhjetor ose në tremujorin e parë të vitit 2027”, theksoi kryeministri Mickoski. Ai informoi se pjesa prej 5 kilometrash nga fshati Botun ka 6 rrëshqitje edhe më të mëdha dhe më sfiduese dhe për të gjitha këto do të duhet të zgjerohet korniza e kredisë, sepse nuk kanë qenë të planifikuara mjete për këtë.

    “Po ashtu, po përfundon edhe pjesa nga Klimeshtan deri në Ohër, gjithashtu rreth 17 kilometra, e cila pritet të përfundojë deri në fund të gushtit. Pres që nga gjithsej 57 kilometrat e gjatësisë së autostradës, 35 kilometra të jenë të hapura për qarkullim deri në fund të gushtit, përveç 5 kilometrave te Botuni dhe atyre 17 kilometrave nga dalja e tunelit deri në Kërçovë, të cilat do të përfundojnë deri në fund të vitit 2026 dhe fillimin e 2027-ës”, tha Mickoski. Ai tha se ndërtimi i autostradës Kërçovë-Ohër është tregues i dallimit mes kësaj dhe qeverisë së kaluar të udhëhequr nga LSDM.

    “Ky është dallimi mes kësaj Qeverie dhe qeverisë së LSDM-së dhe BDI-së, të cilët ishin të interesuar vetëm për të paguar avance në mënyrë që të merrnin ndonjë shpërblim pasues. Kjo Qeveri nuk është e interesuar për avance, por për punë, për veprim konkret dhe për përparimin e shtetit”, tha kryeministri Mickoski. Ai gjithashtu tha se punohet në mënyrë intensive në pjesën te Bukojçani, si dhe në drejtimet Tetovë-Gostivar dhe Prilep – Manastir, të cilat pritet sipas tij pritet të përfundojnë përpara afatit të planifikuar.

    Edhe VLEN përmes një kumtese për media vlerësojnë se angazhimi i tyre mori formë konkrete me vënien në funksion të një segmenti të autostradës Kërçovë-Ohër, si pjesë e Korridorit 8. Nga VLEN thonë se “ky projekt madhor, që për vite me radhë kishte stagnuar dhe ishte shndërruar në simbol të paaftësisë dhe dyshimeve për keqpërdorime, sot më në fund po ecën përpara, me ritëm të ri, pa hije, pa dyshime dhe me transparencë të plotë”.

    “Korridori 8 nuk është thjesht një autostradë, është boshti i zhvillimit ekonomik, lidhjes rajonale dhe integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, që do të ndihmojë konkretisht në rritjen e qarkullimit, lehtësimin e transportit dhe nxitjen e turizmit e tregtisë. Me këtë segment të ri autostrade, që shkurton ndjeshëm kohën e udhëtimit drejt kufirit me Shqipërinë, investimi kthehet në dobi të drejtpërdrejtë për qytetarët. Dhe ky është vetëm fillimi”, thonë nga VLEN, nga ku e vlerësojnë korridorin 8 si projekt të rëndësishëm kombëtar.

    Ndërkohë, ish ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga i ka rikujtuar VLEN-it se për situatën e Korridorit 8, ku thotë se e vetmja meritë e kësaj qeverie lidhur me Korridorin 8 ishte përpjekja për ta vonuar, bllokuar dhe sabotuar atë.

    “Vetëm falë shumicës së mëparshme parlamentare dhe qeveritare, projekti u votua në Parlament, u bashkërendua me të gjithë partnerët perëndimorë (SHBA, BE, NATO) dhe u bë i pashmangshëm. Kur panë se nuk mund të pengonin asgjë, filluan të recitonin poezitë e VMRO-së” është shprehur Lloga. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Uji në Shkup dhe Tetovë nën lupën e autoriteteve: çfarë tregojnë rezultatet!

    Lajmi i rradhës

    Si do rriten pagat e administratës në RMV?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë