Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dhe Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias (SPGM) kanë shprehur shqetësim serioz për mënyrën se si policët i trajtojnë gazetarët nga rajoni i Pellagonisë.
Siç thuhet në deklaratën e SHGM dhe SPGM, rasti, për të cilin organizatat tashmë i kanë dërguar një letër zyrtare Ministrisë së Brendshme, ka të bëjë me njoftimin për shkarkimin e një drejtori shkolle në Demir Hisar, kur policët iu afruan gazetarëve ndërsa ata po raportonin për një ngjarje me interes të lartë publik, duke kërkuar identifikimin e tyre, edhe pse ishte e qartë se ata ishin punonjës të medias me pajisje profesionale. Ngjarja ndodhi në një zonë publike – një oborr shkolle.
“Ne besojmë se situata të tilla mund të interpretohen si një përpjekje për të ushtruar presion mbi gazetarët, që është një ndërhyrje e palejueshme në punën e tyre dhe një shkelje e lirive të medias”, thuhet në deklaratën e SHGM dhe SPGM.
Në letrën e tyre drejtuar Ministrisë së Brendshme, ata kërkuan një shqyrtim urgjent dhe gjithëpërfshirës të rrethanave, përcaktimin e bazës ligjore për këtë lloj veprimi dhe përgjegjësi nëse konfirmohet se oficerët e policisë i kanë tejkaluar kompetencat e tyre.
“Presim që Ministria e Brendshme dhe Sektori i Kontrollit të Brendshëm të informojnë për rrethanat e konstatuara sa më shpejt të jetë e mundur dhe, nëse vërtetohet shkelje e autoritetit, të ndërmarrin masa përkatëse kundër personave përgjegjës nëpunës, thuhet në reagimin e SHGM dhe SPGPM.






